Nga Fitim Çaushi
Po kryetarit të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, kush do t’i tregojë që eminenca e tij, alias, nënkryetari i Akademisë së Shkencave, Vaso Tole, ka qenë autori dhe protagonisti i sipërmarrjes për ta regjistruar këngën polifonike shqiptare në UNESKO me prejardhje nga sirenat greke. Pra, me origjinë helene! As zërat e profesorëve më në zë të fushës për këtë marrëzi dashakeqe me prapavijë ogurzezë nuk i ka dëgjuar zoti Gjinushi?! Ç’ka bërë në thelb akademiku Tole? As më shumë dhe as më pak, ka tjetërsuar identitetin e këngës shqiptare.
Paçka se mundohet ta justifikojë firmën e tij në dokumentin e adresuar në UNESKO me retorikën “Synimi i dosjes ishte që të regjistrohej në UNESCO trashëgimia me shumë zëra e Shqipërisë, që përfshin Toskërinë dhe Labërinë”. Mjerisht, Tole nuk ka regjistruar në UNESCO trashëgiminë me shumë zëra të Shqipërisë, po “isopolifoninë” e sirenave greke. Kjo konfirmohet lehtësisht ndër të tjera në videon “The Albanian Iso-Polyphony”, pjesë e faqes zyrtare të UNESCO-s, e lëshuar, në emër të Republikës së Shqipërisë, Radio Televizioni Shqiptar dhe Këshilli i Muzikës Shqiptare, ku, e ashtuquajtura “Iso-Polifoni” kushtëzohet nga mitologjia e sirenave. Videon për “isopolifoninë” e konfirmon edhe “Enciklopedia e Iso-polifonisë” me autor Vasil Tolen: “Dosja e përgatitur nga pala shqiptare përfshin:
1.Kërkesën zyrtare të Komisionit Kombëtar Shqiptar të UNESCO. 2.Bibliografinë e punimeve të autorëve të huaj për isopolifoninë.
3.Bibliografinë e punimeve të autorëve shqiptar për isopolifoninë.
4.Të dhëna dhe botime zyrtare ku këndohet në iso-polifoni.
5.Pesë format e tjera të propozuara siç kërkohet në formularin e aplikimit
- Studimin e plotë shkencor për isopolifoninë nga Vasil S. Tole.
- Studimin ‘Odiseja dhe Sirenat’, grishje drejt viseve isopolifonike të Epirit, 2005 nga
Vasil S. Tole.
- Harta të ndryshme të Shqipërisë.
- Një video profesionale e tipit korsive e titulluar Albanian Iso-polyphoni, 10 minuta, e cila pasqyron elementët më të rëndësishëm të dukurisë muzikore të isopolifonisë.
- Autorizime dhe dokumente që provojnë të drejtën e autorit për materialet mëposhtme. (Enciklopedia e Isopolifonisë Shqiptare, Uegen, 2007, f. 128-129)
Pra, video për “isopolifoninë”, është futur në UNESCO nga Vasil S. Tole. Në këtë enciklopedi ai ka shkruar: “Si ekspert i etnomuzikologjisë në vitin 2005, Vasil Tole përgatiti dosjen e isopolifonisë popullore shqiptare, e cila u shpall nga UNESCO “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit” (Enciklopedia e isopolifonisë, vep. e cit. f. 320).
Shkurt; në UNESCO ka hyrë dosja e përgatitur nga Vasil Tole dhe jo dosja e përgatitur nga shteti shqiptar. Përse duhej ta përgatiste atë një fillestar i etnomuzikologjisë, që nuk kishte botuar asnjë studim shkencor deri në vitin 2003 dhe jo një komision me specialistë të vërtetë të fushës. Përballë kritikave Tole reagon në mënyrë të çuditshme: “Qëllimi i aplikimit të shtetit shqiptar në UNESCO, ishte që e gjithë zona natyrale e këndimit me shumë zëra në Shqipërinë e Jugut, të ishte e përfshirë…”. Cili institucion shqiptar e ka autorizuar Vasil Tolen ta tjetër sojë trashëgiminë shpirtërore të popullit shqiptar si “isopolifoni” dhe ta paraqesë si huazim nga krijimtaria e popullit grek me harta që përfshijnë territore deri në Shkumbin? Përse Tole e çon hapësirën e isopolifonisë së sirenave greke deri në Shkumbin, kur Epiri është me origjinë arbërore? Pse kjo koincidencë e “isopolifonisë” së Toles, me pretendimet e shovinizmit grek për territor deri në Shkumbin, ndërkohë që ende mbahet i ngrehur Ligji i Luftës?
Përse i duhej autorizimi për të drejtën e autorit, Vasil Toles, kur ai e përgatiti dosjen për UNESCO-s, në emër të shtetit shqiptar? Çfarë duhej në atë dosje dhe libri i tij për sirenat greke! Kryetari i Akademisë nuk e di se në këtë libër të katër elementët e kopertinës, Odisea, Sirenat, Isopolifonia dhe Epiri, konsiderohen prej autorit me origjinë etnike greke. Vetë Tole shkruan: ”Iliada” dhe “Odisea”, përbëjnë burimin e parë historik, monumentin e parë të shkruar, i cili përshkon aktet e trimërisë së parahelenëve në këtë epokë”. Pra, thënë ndryshe, polifonia shqiptare studiohet mbi një libër – “Odisea” – që i kushtohet parahelenëve. Këtu qartësohet problemi dhe të katër elementët bazë që dominojnë librin e Toles janë etnitete greke, jehonë e parahelenëve dhe jo e parailirëve, ndonëse Homeri i konsideron trojanët Dardani. Tole në punimin e vet shprehet se sirenat kanë prejardhje nga mitologjia greke, po çfarë lidhja ka polifonia e popullit shqiptar me mitologjinë e sirenave greke, që është futur në UNESCO si isopolifoni? Akademiku Tole pretendon se dosjen për UNESCO e ka adresuar shteti shqiptar sipas kërkesës zyrtare të Komisionit Kombëtar Shqiptar. Po cila është e vërteta? Tole gënjen kur thotë se kërkesa mban firmën e Komiteti Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore. Në fakt, nga pesë anëtarë të këtij Komiteti tre prej tyre jo vetëm nuk kanë nënshkruar një dokument të tillë, por as kanë pasur dijeni për një procedurë të tillë. Edhe sot e kësaj dite ata e pohojnë me gojën e tyre. E pohon këtë Afërdita Onuzi, ish-drejtoresha e Institutit të Kulturës Popullore, Ermir Dizdari, ish-drejtor i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike dhe Koço Gjipali, drejtori i Inventarizimit të Monumenteve të Kulturës. Pra, nga pesë anëtarë të Komitetit, tre syresh nuk kanë marrë pjesë, madje nuk kanë as dijeni për atë dosje.
Mbetet enigmë nëse ka pasur dijeni vetë ministri dhe Sekretari i Komitetit të UNESCO-s në Ministrinë e Punëve të Jashtme?! Për të fshehur problemin kryesor, Tole bën “patriotin”: “Tendenca e kundërshtuesve është që të rrudhin e zvogëlojnë shtrirjen gjeografike që përfshin kjo traditë e jashtëzakonshme vetëm në një zone të caktuar”, por ai nuk e motivon karakterin e kundërshtimit nga studiues, muzikantë, intelektualë dhe shoqata “Labëria” ndaj diversionit të tij. Ai akuzon kundërshtuesit, sepse nuk pranojnë shtrirjen e “isopolifonisë” greke në territorin natyror shqiptar, e ca më pak deri në Shkumbin, ku Tole ka shtrirë hartën e “isopolifonisë”! Është ky një diversion politik që kundërshtohet prej vitesh.
Nuk është e vërtetë ajo që thotë Tole se shoqata “Labëria” kërkon ta rrudhë polifoninë popullore shqiptare, e cila shtrihet edhe më lart Shkumbinit, deri në Strugë e Kërçovë, madje edhe më lart, në Veri të Shqipërisë, për të cilën studiuesi boshnjak Cvjetko-Rihtman ka shkruar: ”Prania e polifonisë dyzërëshe në këto zona mund të shpjegohet si një trashëgim i huazuar nga fiset e lashta ilire, ose e kanë ruajtur ilirët e sllavizuar në këto treva. Nëse për mungesë provash objektive nuk mund të thuhet asgjë e sigurt mbi kulturën etnike të Epirit dhe Ilirisë, përse Tole e emërton “isopolifoni te grekët e Epirit në Greqinë Veriore”, ndërkohë që termi Greqi Veriore sot i përgjigjet një nocioni politik, jo etnik, për shkak të vendimit të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës në 1913. Tinëzisht Tole mundohet t’u kundërpërgjigjet kundërshtarëve të tij duke u shprehur; “Në asnjë rresht të dosjes nuk ka shprehje që polifonia jonë rrjedh nga muzika bizantine dhe të arrish në konkluzion të tillë, duke u nisur nga kjo, është qartazi abuzive dhe keqdashëse…”.
Po si rezulton kjo në faqen zyrtare elektronike të UNESCOS. E zeza në të bardhë duket qartazi: “Termi ‘iso’ i muzikës tradicionale polifonike shqiptare lidhet me isonin e muzikës kishtare bizantine”. Po në këtë faqe, pas klikimit mbi fotografinë ku duket një grup prej shtatë këngëtarësh, shkruhet në tre gjuhë të huaja: “E prejardhur nga muzika kishtare bizantine, iso-polifonia shqiptare…”. në fund të së cilës shfaqet sigla personale Vasil S.Tole. Nëse Tole ka bindjen se dosja e futur në UNESCO nuk e ka këtë dëshmi, ai duhet të kishte vrapuar në UNESCO dhe ta sqaronte problemin.
Ndër të tjera, në kumtesat e tij të famshme Tole rreket të sqarojë: “Futja e isopolifonisë në listën e kryeveprave që mbrohen nga UNESCO, do të sjellë më shumë mbështetje financiare për grupet popullore dhe studimet për isopolifoninë”. Po ku kanë shkuar këto fonde, në llogarinë e Shtetit Shqiptar apo në llogarinë e ndonjë individi?! Një problem ky që ka nevojë urgjente për t’u hetuar. A duhet hetuar ky problem nga organet kompetente? Strumbullari i këtij zullumi nis me termin Isopolifoni, alias shpikje e Vaso Toles, krahut të djathtë të Kreut të Akademisë së Shkencave.
“Sapo u bë i njohur nocioni iso-polifoni, shprehet etnomuzikologun Spiro Shituni, u prit me irritim të madh, si nga qarqet shoqërorë në përgjithësi, ashtu edhe nga qarqet shkencoro-artistikë në veçanti. Po kështu pohon dhe punonjësi shkencor i ish-Institutit të Kulturës Popullore, studiuesi i njohur etnoorganolog, Pirro Miso, që ka bërë një numër artikujsh shkencorë për këtë çështje. Për të përgjithësuar estetikisht mendimet mbi përdorimin ose mos-përdorimin e nocionit isopolifoni, Presidenti i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, kompozitori i mirënjohur, Limos Dizdari, organizoi një diskutim të gjerë me studiues, kompozitorë, muzicienë, vjershëtorë, këngëtarë, instrumentistë nga i gjithë vendi. Në tërë këtë sagë u vërejt se vazhdimisht në bisht të situatës qëndroi Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit, ndonëse është i specializuar për studimin e aspekteve të identitetit etnik të kombit shqiptar. Po ashtu, as Ministria e Kulturës e Shqipërisë s’e ka luajtur deri më sot rolin e saj përkatës administrativ! Nocioni iso-polifoni u përdor gjerësisht, për herë të parë, në librin me titull Folklori muzikor: Polifonia shqiptare (Tole 1999), të etnomuzikologut Vasil S. Tole.
Aty ai u shfaq si një kalorës i guximshëm polemist, i paparë ndonjëherë në historinë e etnomuzikologjisë shqiptare! Qysh në Parathënie-n dramatikisht të shkurtër, ai erdhi me një varg deklaratash të tejskajshme, të cilat, janë, në radhë të parë, sa profesionalisht të gabuara, aq edhe moralisht të shëmtuara. Me arrogancë të shquar dhe jashtë çdo natyre akademike të një libri me pretendime shkencorë, ai ecën vendosmërisht në rrugën e mohimit të arritjeve të mëparshme etnomuzikologjike. Tole shpreh kështu mendimet e tij plotësisht jashtë përvojës kërkimoro-shkencore. Për sa i takon nocionit iso-polifoni, shpjegimi i përmbajtjes së tij, nga ana e studiuesit, mjerisht, është ndoshta absurditeti profesional më i madh i parë ndonjëherë në etnomuzikologjinë shqiptare deri më sot. Nocioni isopolifoni shkon hapur kundër pikëpamjeve të studiuesve të tjerë etnomuzikologë e muzikologë shqiptarë, të djeshëm ose bashkëkohorë.
Nocioni iso-polifoni, mjerisht është përdorur subjektivisht, personalisht, arbitrarisht… Por shkenca e etnomuzikologjisë shqiptare nuk mund të përparojë asnjëherë përmes fantazisë. Janë vetëm idetë e shëndosha teoriko-estetike me anë të të cilave ajo mund të ecë përpara. Terminologjia nuk mund dhe nuk duhet të jetë, në asnjë mënyrë monopol i ndonjë studiuesi të veçantë. Të pranosh se muzika tradicionale shumëzërëshe e Shqipërisë së Jugut është elitare në krahasim me muzikën tradicionale njëzërëshe të Shqipërisë së Veriut, s’është veçse një qëndrim i njëanshëm estetik, një interpretim i gabuar i tipareve të tyre melodiko-modalë, një paragjykim pa asnjë bazë teorike ose praktike. Mediokritet i plotë”.
Discussion about this post