Në dhjetor 2023, importet e ushqimeve, kryesisht perimeve, frutave dhe zarzavateve shënuan rritje vjetore me 27% në sasi. Ushqimet e importuara zënë 80% të tezgave dhe shpesh vijnë me çmime më të ulëta se prodhimi vendas. Bulmetrat, mishi, patatja dhe fasulja nga Turqia dhe Egjipti, Serbia e Greqia shiten më lirë se prodhimet e Korçës. Ekspertët e bujqësisë pohojnë se, importet janë të pranishme në kulturat për të cilat mungon prodhimi vendas, teksa në vijim kjo mund të dekurajojë mbjelljet dhe të ekspozojë vendin ndaj çmimeve të importit.
Më shumë se 80% e perimeve, frutave dhe zarzavateve në tregjet vendase të pakicës janë nga importi. Patatet dhe fasulet po vijnë nga Egjipti dhe Turqia, perimet dhe frutat nga Greqia, bulmetrat dhe drithërat nga Serbia, Ukraina, Maqedonia e Veriut etj.
Kanalet e importit të ushqimeve janë rizgjuar dhe po intensifikohen, duke dekurajuar edhe më tepër fermerët dhe blegtorët të ushtrojnë profesionin e tyre. Zbrazja e fshatrave nga popullsia po tkurr sipërfaqet e mbjella në fusha në disa kultura dhe, nga ana tjetër, turizmi po nxit rritjen e kërkesës për produkte ushqimore. Për të plotësuar nevojat ushqimore, vendi po i drejtohet importit, i cili po rritet me shpejtësi kohët e fundit.
Për të gjithë vitin 2023, importet e ushqimeve në sasi u rritën me 10% në krahasim me vitin 2022, zgjerimi më i lartë në dy dekadat e fundit. Në dhjetor, sasitë e importeve të ushqimeve janë intensifikuar edhe më shumë duke u rritur me rreth 27% në raport me dhjetorin 2022 dhe në janar 2024 ishin 20% më të larta se në janar 2023.
Bilanci tregtar në prodhimet e fushës u përkeqësua më shumë në janar. Eksportet e zarzavateve ranë me mbi 20% dhe importet tyre u rritën me 80% në krahasim me janarin 2023. Ekspertët e bujqësisë mendojnë se kjo po ndodh për dy arsye. Së pari ka mungesë të prodhimit vendas në disa kultura dhe së dyti, kostot vendase po i bëjnë produktet jokonkurruese me importin. P.sh., këtë vit, një kilogram fasule e Korçës shkoi në tregjet e pakicës në rreth 500 lekë për kilogram, teksa fasulja e importuar nga Egjipti kushton vetëm 300 lekë për kilogram.
Në një konkurrencë të ngjashme po përballet patatja, qepa dhe karota dhe prodhime të tjera që në këtë periudhë po vijnë më lirë nga importi se nga fushat e Korçës dhe Divjakës.
Të dhëna të detajuara nga tregtia e jashtme tregojnë se importet janë rritur për produktet e bulmetit, drithërave, mishit dhe zarzavatet, të cilat po vijnë nga Egjipti, Turqia, Franca dhe rajoni.
Që pas luftës, Ukraina po bëhet një eksportues i madh i drithërave në vendin tonë, duke ulur varësinë e furnizimeve nga Rusia.
Ekspertët e bujqësisë pohojnë se, importet janë të pranishme në kulturat për të cilat mungon prodhimi vendas dhe tregu i kërkon.
Ruzhdi Koni, një nga eksportuesit më të mëdhenj dhe furnitor me fara e fidanë i prodhuesve, thotë se importet ushqimore janë rritur, sidomos bulmetrave, për shkak të rënies së numrit të bagëtive. Vitin e kaluar pati pak prodhim në mollë dhe patate në Korçë, për shkak të çmimit të lartë të farës.
Agronomi Nevion Telha pohoi se Korça vijon të jetë një prodhues i madh i patates dhe qepës, por këtë vit është rritur presioni i tregtarëve nga Tirana, të cilët thonë se furnizohen më lirë nga importi.
Sipas të dhënave zyrtare nga doganat, çmimi referencë për pataten që vjen nga Kosova është 19 cent, rreth 20 lekë, ndërsa patatja e Korçës del nga prodhuesit me shumicë në 40 deri në 50 lekë.
Nga ana tjetër, konsumatorët që në kohë inflacioni priren të furnizohen me artikuj që kushtojnë lirë dhe në këtë mënyrë po zgjerojnë importin. Tregtarët pohojnë se në një masë, importet po nxiten nga zhvillimet e vrullshme në turizëm.
Vitin e kaluar pati kërkesë të lartë për ushqime nga rritja e vizitorëve në kohën e verës. Prodhimet vendase u konsumuan në një kohë të shkurtër, duke lënë magazinat bosh në dimër.
Zarzavatet dhe prodhimet e importit “pushtojnë” tregun në dimër
Importoi i zarzavateve shënoi rekord në muajin janar 2024, duke pësuar rritje vjetore me 80.7%. Vendi importi mbi 7 tonë zarzavate nga shtetet e huaja në janar nga 4,2 mijë tonë në janar 2023.
Rritje të importeve pësuan edhe prodhimet e tjera ku ka mungesë prodhimi në vend. importet e produkteve të bulmetit u rriten me 22.5% në janar, frutat pësuan rritje me 35%, mishi 16 % etj.
Vitin e kaluar, Shqipëria importoi 1,1 milionë tonë ushqime, ose 102 mijë tonë më shumë se në vitin 2022, me rritje vjetore 10%. Të dhënat më të detajuara tregojnë se, rritja më e madhe e importeve gjatë vitit 2023 në sasi ishte për drithërat.
Në të gjithë vitin janë importuar 287 mijë tonë drithë, me rritje vjetore 19%. importi i drithërave ka qenë në ulje gjatë dekadës së fundit, për shkak të tkurrjes së popullsisë dhe plakjes së saj.
P.sh., në vitin 2023, importet e drithërave ishin 21% më të ulëta se në vitin 2020. Por vitin e kaluar importi i këtij produkti u ringjall, pas një rënie të mprehtë në vitin 2021, ku pati shumë prodhim vendas nga frika se lufta në Ukrainë mund të sillte mungesa në tregjet ndërkombëtare.
Mbjellja e grurit u rrit në vitin 2021, e nxitur edhe nga qeveria, por kur nisën korrjet, çmimet në tregjet ndërkombëtare ranë aq shumë, sa një pjesë e madhe e prodhimit vendas mbeti stok në magazina, ose shkoi në vetëkonsum, duke sjellë rënie të importit.
Pas drithërave, rritjen më të madhe të importeve e kishin nënproduktet e miellit, të cilat përfaqësohen nga ushqimet industriale të tilla si makaronat, me rreth 20%. Ushqimet industriale, që gjejnë përdorim të gjerë, sidomos në restorante, janë rritur vitin e kaluar nga konsumi i turistëve.
Rritje dyshifrore patën importet e prodhimeve të bulmetit, me rreth 11%, mishit 13% dhe zarzavateve, me rreth 13%. Të dhënat tregojnë se rritja e importeve u bë më agresive në dhjetor të vitit të kaluar dhe në janar 2024.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në dhjetor, importet e zarzavateve u rritën me 80% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2022, dhe gjithashtu, importi i frutave për të njëjtën periudhë u rrit me 55%. importi i drithit e vajit shënoi rritje vjetore me rreth 47% në dhjetor të 2023, importi i kafshëve të gjalla u rrit me 21.7% dhe produktet e bulmetit gjithashtu me 21% më shumë se dhjetori 2022.
Në dhjetor dhe janar, vendi pati fluks të lartë turistësh, por prodhimi vendas ishte konsumuar më parë dhe një pjesë e konsiderueshme e ushqimeve po vjen nga importi.
Tregtarët pohojnë se historikisht në dimër ka importe të ushqimeve, për shkak se prodhimi vendas pakësohet, por këtë sezon vihet re një prani më e lartë e importeve.
Ushqimet tani po i marrim nga Serbia
Në vendin e parë për importin e ushqimeve në sasi është Serbia, e cila eksportoi në Shqipëri 242 mijë tonë ushqime për vitin 2023, me një rritje vjetore prej 30%. Vendi ynë importoi nga Serbia rreth 22% të totalit të ushqimeve vitin e kaluar.
Rritja më e madhe ishte në importin e drithërave, me rreth 30% dhe në fruta dhe arra, importet e të cilave shënuan rritje vjetore me 6000% më 2023. Vendi ynë importoi nga Serbia 1853 tonë fruta dhe arra, nga vetëm 30 tonë më 2021.
Rritje të madhe nga Serbia shënuan edhe importet e zarzavateve të përpunuara, të cilat arritën në 2200 tonë, me rritje vjetore 58%. importi i kafshëve të gjalla gjithashtu shënoi rritje me 110%.
Importet e ushqimeve shënuan rritje të fortë edhe nga vendet e tjera të rajonit, si Maqedonia e Veriut, 27.7%, dhe Kosova, me 28%, të ndikuara kryesisht nga drithërat, frutat dhe zarzavatet e freskëta dhe ato të përpunuara.
Vitin e kaluar, nga Maqedonia e Veriut u vu re një rritje shumë e madhe e importit të mishit, me rreth 146%, frutave, 113%, teksa shihet rritje e importit të çajit, erëzave dhe kakaos nga të gjitha vendet e rajonit.
Pavarësisht rritjes së importeve të ushqimeve nga rajoni, Shqipëria vitin e kaluar ishte me suficit tregtar në tregtinë e mallrave në vlerë, me shtetet fqinjë të rajonit, përveç Serbisë.
Sipas të dhënat të INSTAT, Shqipëria eksportoi në rajon 76,4 miliardë lekë mallra më 2023 dhe importoi 52 miliardë lekë. Eksportet drejt rajonit ishin 1.4 herë më të larta se importet. Shqipëria ishte suficitare ndaj Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, ndërsa ishte deficitare në tregtinë me Serbinë.
Vlera më e lartë e eksporteve shqiptare me rajonin u realizua me Kosovën. Në vitin 2023 u eksportuan 41 miliardë lekë mallra dhe u importuan 11 miliardë lekë.
Eksportet shqiptare në Kosovë ishin tre herë më të larta se importet. Kosova është partneri kryesor i Shqipërisë në rajon, me të cilën kryhet mbi 40% e tregtisë rajonale.
Partneri i dytë tregtar i Shqipërisë në rajon është Serbia, me të cilën më 2023 u krye 26% e volumit tregtar rajonal. Për shkak të uljes së çmimeve më 2023, tregtia në vlerë pësoi tkurrje me Serbinë, por deficiti tregtar vijoi të jetë i lartë.
Nga Serbia u importuan vitin e kaluar 24 miliardë lekë mallra dhe u eksportuan rreth 10 miliardë lekë. importet nga Serbia janë 2,4 herë më të larta se eksportet tona atje. Importet nga ky vend dominohen kryesisht nga gruri dhe prodhimet blegtorale, ndërsa eksportet tona në Serbi përfaqësohen kryesisht nga prodhimet e bujqësore, zarzavatet.
Nga viti 2010 deri më 2023, importet nga Serbia u rritën me 104% ndërsa eksportet shqiptare në Serbi, për të njëjtën periudhë, u zgjeruan me 500%. Për të njëjtën periudhë, deficiti tregtar është zgjeruar jo në favor të Shqipërisë, me rreth 40%.
2023 shënoi të dytin vit radhazi në suficit edhe me Maqedoninë e Veriut. Të dhënat tregojnë se eksportet drejt vendit fqinjë ishin 16 miliardë lekë, ndërsa importet, 14.1 miliardë lekë.
Në historinë shumëvjeçare të tregtisë, Shqipëria, për herë të parë më 2022 kaloi në suficit tregtar me Maqedoninë e Veriut, që ka vijuar edhe më 2023. Maqedonia e Veriut është partneri i tretë tregtar pas Kosovës dhe Serbisë.
Eksportet shqiptare në Maqedoninë e Veriut dominohen nga materialet e ndërtimit, nafta dhe zarzavatet.
Importet përfaqësohen kryesisht nga materialet e ndërtimit, ushqimet e përpunuara, produktet kimike dhe plastike, si dhe mineralet. Shqipëria rezultoi suficitare edhe me Malin e Zi, ku eksportet shqiptare arritën në 9,6 miliardë lekë dhe ishin 4 herë më të larta se importet nga ky vend.
Tregtia me rajonin zuri vetëm 10% të volumit të tregtisë me jashtë në vitin 2023.
Emigrimi rrit presionin mbi prodhimin dhe çmimet në bujqësi
Emigrimi i popullsisë rurale drejt zonave urbane apo jashtë vendit po ndikon në uljen e prodhimit nga ngastrat e për rrjedhojë, qytetet e vogla që më parë furnizoheshin nga fshatrat rreth tyre, tani kanë burim të vetëm Tiranën dhe Lushnjën.
Sipas informacioneve që u siguruan nga “Monitor”, tregjet e fshatarëve në bashkitë e Burrelit, Rrëshenit, Kukësit, Tropojës, Fushë-Arrësit-Pukës nuk ekzistojnë më, pasi nuk ka më prodhim. Janë shuar tregjet e kafshëve dhe prodhimeve nga fshati.
Të rinjtë nga zonat e Veriut janë larguar në masë. Banorët e mbetur janë të rrallë dhe shumë të plakur për të punuar tokën. Veriu nuk mund ta zhvillojë bujqësinë intensive, për shkak të tokës së pakët në dispozicion, por shumë nga parcelat e vogla furnizonin tregun e qyteteve dhe siguronin vetëkonsum në fshat.
Tani, edhe banorët e zonave rurale janë shndërruar në konsumatorë tregu, si për produktet bujqësore edhe ato blegtorale, duke ndikuar në këtë mënyrë në uljen e prodhimit dhe në rritje të kërkesës e për rrjedhojë, edhe të çmimeve.
Sipas një studimi të organizatës së emigracionit iOM gjatë vitit 2017-2021, përqindja e meshkujve të punësuar në sektorin bujqësor është ulur në katër vitet e fundit. Në të kundërt, përqindja e meshkujve të punësuar në sektorin jobujqësor ka arritur në më shumë se 70%.
Përqindja e femrave të punësuara në sektorin bujqësor është ulur gjatë katër viteve të fundit krahasuar me meshkujt. Nga ana tjetër, përqindja e femrave të punësuara në sektorin jobujqësor u rrit, nga 57% në vitin 2017, në 60% në vitin 2021.
Përvoja ka treguar se njerëzit nga zonat rurale priren të migrojnë së brendshmi, në vend që të përfshihen në migracionin e jashtëm ndërkombëtar.
Për këtë arsye, ka të ngjarë që mekanizimi i veprimtarive bujqësore të mos kapë ritmin e personave që largohen drejt zonave urbane.
Ekspertët e IOM rekomandojnë që politikëbërësit shqiptarë të gjejnë instrumente që lejojnë hyrjen e emigrantëve për motive punësimi, të gatshëm të bëjnë punë në bujqësi.
Për këtë, Shqipëria konkurron thuajse me të gjitha vendet në Europë, që kërkojnë forcë pune në bujqësi.
Nëse nuk ka alternativa të qëndrueshme të politikave migratore, kjo mund të çojë në rritjen e çmimeve të mallrave të shportës dhe artikujve të tjerë bujqësorë, për një vend që ende varet shumë nga prodhimi vendas.
Prej disa vitesh, studimet sektoriale vazhdojnë të raportojnë mungesa në fuqinë punëtore në bujqësi, si dhe në ndërtim edhe në prodhim, i cili ka intensitet punësimi.
Importet po rrisin ekspozimin nga krizat e jashtme
Gjatë vitit të kaluar, teksa importet e ushqimeve në sasi u rritën me 10%, eksportet qëndruan në vendnumëro, nga rritjet dyshifrore gjatë dekadës. Sektori i bujqësisë, i cili po vuan mungesën e punonjësve dhe subvencioneve, po tkurret.
Prodhimi i Brendshëm Bruto në bujqësi ra në tremujorin e tretë të vitit 2023 për të gjashtin tremujor radhazi, duke e bërë rënien të qëndrueshme në sektor.
Një pjesë e prodhimit vendas po zëvendësohet me import. Situata e krijuar ka nxitur çmime më të larta në grupet që nuk prodhohen në vend.
Çmimi i qepëve dhe patateve këtë vit ka shënuar rritje vjetore me mbi 21%, për shkak se prodhimi vendas është zëvendësuar me import. Kurse çmimi i bulmetit u rrit me rreth 40% dy vitet e fundit prej mungesës së qumështit. Reduktimi i prodhimit e ekspozon vendin ndaj krizave të jashtme dhe monopoleve të grupeve të importit. Shpesh, çmimet e importit nuk janë shumë elastike, pasi zhvillimet në vend kanë treguar se, ndryshimi me ulje i çmimeve në tregjet ndërkombëtare nuk reflektohet.
Çmimet e mallrave të importit, sidomos produkteve ushqimore, kanë rënë ndjeshëm gjatë vitit 2023 në raport me një vit më parë, por kjo nuk është reflektuar në tregun e brendshëm, përkundrazi çmimet janë rritur më tej. Të dhënat e tregtisë së jashtme të përpunuara nga “Monitor” tregojnë se në vitin 2023, çmimet për njësi të importeve të ushqimeve kanë shënuar rënie vjetore mesatarisht me 11%.
(Kalkulimet u bënë duke llogaritur vlerën e një kilogrami mall të importuar në 2023 dhe në të njëjtën periudhë 2022, me të dhënat e INSTAT të tregtisë me jashtë). Një kilogram ushqim i importuar ka kushtuar mesatarisht 129.7 lekë në vitin 2023 nga 146 lekë në vitin 2022.
Për disa produkte ushqimore të shportës, rënia e çmimeve të importit ishte shumë e lartë, teksa tregu i brendshëm reagoi me rritje të çmimit.
Për shembull, një kilogram vaj nga importi ka kushtuar 33% më lirë më 2023, por të dhënat nga inflacioni tregojnë se çmimi i vajit u rrit mesatarisht me 6% në të njëjtën periudhë.
Vlera e drithërave të importuara ra me 24% më 2023, por çmimet në tregun e brendshëm u rritën me 5% në këtë grup që ka burim kryesor importin. Çmimet e importit, bulmetit dhe vezëve shënuan rënie vjetore me 12.2% në periudhën referuese, por çmimet në tregun e brendshëm u rritën 14.5% për këtë grup.
Çmimet e zarzavateve të importuara ranë me 10%, ndërsa në tregun e brendshëm, çmimet në këtë grup u rritën me 18%. Vitin e kaluar, në kulmin e sezonit të prodhimit, importi i domateve nga rajoni u rrit me shpejtësi në muajt qershor dhe korrik. Të dhënat e INSTAT treguan se në muajin qershor 2023, u importuan mbi 2600 tonë zarzavate, me rritje 150% në krahasim me qershorin 2022.
Në muajin korrik, rritja vijoi edhe me 31.5%. Tregtarët e pakicës në kryeqytet pohuan se, mungesat në treg për domate, speca e kastravecë u plotësuan me importe nga Kosova, Italia dhe Greqia. Kërkesat e larta nga sezoni turistik rikthyen importet e zarzavateve në një periudhë që nuk kishte ndodhur më parë./Monitor
Discussion about this post