Erion Luto është një nga 23 të pandehurit që Prokuroria e Posaçme e Antikorrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim me akuzën “për pjesëmarrje në organizatë terroriste.
Historia se si Erion Luto u rekrutua dhe shkoi në Siri për t’iu bashkuar ISIS-it është ndoshta më e veçanta mes 23 të pandehurve.
Nga dosja që ka siguruar gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha është shkëputur dëshmia që ka dhënë në polici babai i Erionit, Bashkim Luto. Erioni djali i madh i familjes Luto ishte zhvendosur në Lion të Francës që në vitin 1990 kur ishte vetëm 10 vjeç.
“Në vitin 1990 kam emigruar në Francë me eksodin e ambasadave dhe me ndihmën e një miku tim 8 muaj më vonë kam arritur që të marr në Lion të Francës ku isha vendosur edhe familjen time të përbërë nga bashkëshortja, djali Erion 10 vjeç, djali i dytë Ilirjan 6 vjeç dhe vajza 5 muajshe. Unë me bashkëshorten kemi filluar punë, ndërsa fëmijët kanë vazhduar shkollën”, rrëfen i ati Bashkim Luto në polici.
Sipas dosjes hetimore, Erioni i rritur në Lion të Francës kishte kryer atje studimet e larta për inxhinieri elektrike. Gjatë studimeve ishte njohur dhe ishte martuar me një vajzë nga Tunizia e quajtur Maha Jakup me të cilën ka 2 fëmijë një djalë të quajtur Hasan dhe vajzën Katixha. Bashkëshortja e Erionit i përkiste shtresës së lartë të familjeve tuniziane dhe jetonte në Tunis në kryeqytetin e Tunizisë.
Erioni i ishte futur rrugës së fesë myslimane, predikonte fenë, por pa shkuar rregullisht në xhami. Ai debatonte gjithmonë me të atin e tij pasi i urrente amerikanët dhe francezët, sepse sipas tij po bënin luftë të padrejtë në Siri dhe po vrisnin fëmijë dhe njerëz të pafajshëm atje. Në Francë ai kishte hapur ndërkohë një biznes ku tregtonte produkte ushqimore të cilat i merrte në Tunizi. Gjatë kësaj kohë ai ishte zhvendosur bashkë me familjen në Tunizi, në kryeqytetin Tunis.
E ndiqte biznesin përmes internetit dhe bënte shpesh, për arsye pune, rrugën Lion-Tunis.
“Kur vinte ne Lion qëndronte në shtëpinë tonë. Rreth muajit tetor 2015 Erioni erdhi në shtëpinë tonë bashkë me fëmijët dhe qëndroi 4 ditë”, rrëfen i ati.
“Pas 4 ditësh më tha që duhet të më çosh me makinë në Gjenevë dhe unë e dërgova atje bashkë me fëmijët dhe që nga ajo ditë unë se kam parë më. Dua të sqaroj se Erioni e kishte mbyllur biznesin e tij në Francë dhe u largua për në Tunizi te shtëpia e tij. Flisnim në Skype herë pas here dhe shikonim që ishin mirë.
Më vonë më mori e ëma e nuses së Erionit që më tregoi për një mesazh (sms) që kishte marrë nga vajza ku i thoshte: “po nuk të mora për një vit në telefon, nuk do jem gjallë”. Erioni kishte 8 muaj që kishte ikur në Siri ndërkohë që ne e dinim në Tunizi. Njëkohësisht ai njerëzve të nuses u thoshte se jemi në Shqipëri, pra me pak fjalë ka manipuluar të dy palët”, tregon i ati në polici.
Sipas dosjes që disponon Top Channel, shkruhet se Erioni dinte 3 gjuhë të huaja; arabisht, frëngjisht dhe anglisht. Gjatë kohës që Erioni kishte qenë në Siri (dhe familja e dinte në Tunizi) i ati e kishte pyetur për punën që bënte dhe ai i kishte thënë që bënte punë të ndryshme, “domethënë me gënjeshtra iku dhe me gënjeshtra vazhdonte dhe atje”, thotë Bashkim Luto.
Me kërkesë të Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i është kërkuar FBI amerikane të dhëna për këtë shtetas dhe nga të dhënat që disponon ky departament rezulton se Erion Luto ka shërbyer në Siri si luftëtar në Divizionin Ebu-Mu’tezz el-Karashi dhe ka shërbyer në zonën e Irakut. Luto rezulton të jetë nën hetim edhe nga autoritetet franceze. Fati i tij dhe famijes që nga viti 2018-të nuk dihet.
Discussion about this post