Kryeministri Edi Rama i joshur nga projekti arab “Alabar” për pallate dhe jahte, si dhe nga “Kastrati” të cilit i ka dhënë Porto Romanon, e fshin Portin e Durrësit nga harta. Operacioni, pasi është ligjëruar në Kuvend dhe në qeveri, po zbatohet në terren nga policia.
Uniformat blu zbarkuan sot për të përzënë koncesionarin që ka kontratë ofrimi shërbimesh kryesisht në ngarkim dhe shkarkim. EMS Albanian Port Operator SHPK kërkohet të largohet megjithëse punon aty me kontratë 35-vjeçare.
Manovrat e Ramës në favor të Kastratit
Tani Rama po kërkon ta largojë koncesionarin gjerman dhe të kalojë portin në duart e oligarkëve që bashkëpunojnë me qeverinë e tij.
Ceo i EMS-Fehn-Group, Manfred Mueller, ka shpjeguar para disa muajve për mediat situatën aktuale, sepse ka rënë volumi i përpunimit të mallrave në terminalin lindor. Sipas tij problemet nisën që në vitin 2020, kur qeveria miratoi zgjerimin e kontratës për përpunimin e mallrave të operatorit MBM në Porto Romano dhe deri te miratimi në 2022 nga Kuvendi i Shqipërisë i marrëveshjes për zhvillimin e projektit e “Durrës Yahts Marina” në portin e Durrësit.
Theksojmë se pronar i koncesionit MBM në Porto Romano është Shefqet Kastrati, ndërsa investitor i projektit “Durrës Yahts Marina” është Mohamed Alabbar themelues i kompanisë EMAAR me qendër në Dubai.
“Diskriminimi ndaj EMS APO filloi pasi një kompanie shqiptare iu dha koncesioni për operimin e një porti në zonën e Porto Romanos, në afërsi të Durrësit, në vitin 2015. Edhe pse ky koncesion fillimisht u kufizua ekskluzivisht në përpunimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, ai u shtri në vitin 2020 në trajtimin e ngarkesave rifuxho dhe të përgjithshme, pikërisht llojet e ngarkesave që EMS APO ka të drejtë të trajtojë nën koncesionin e saj në Durrës”, ka sqaruar Mueller.
Kjo, sipas tij, nuk mund të bëhej pa një procedurë të re tenderimi për të lejuar kompanitë e tjera të interesuara, përfshirë EMS APO të bënin një propozim ekonomik.
Në vend të kësaj, Shefqet Kastratit iu dha një koncesion i ri pa asnjë procedurë konkurruese. Kjo ishte gjithashtu në shkelje të Marrëveshjes së Koncesionit ku thuhet se, nëse autoritetet shqiptare vendosin të zhvendosin operacionet portuale për trajtimin e ngarkesave rifuxho ose gjenerale në një zonë tjetër të Portit të Durrësit ose jashtë zonës së Portit, EMS-it i jepet e “drejta e refuzimit të parë”.
Për më tepër, fushëveprimi i EMS APO përfshin vetëm ngarkesat rifuxho, ngarkesat e përgjithshme dhe ato të projekteve, ndërsa fushëveprimi i operatorit të ri në Porto Romano, Shefqet Kastratit, është shumë më i gjerë. Ai lejohet të trajtojë hidrokarbure, kimikate, drithëra, rifuxho, projekte dhe lloje të tjera ngarkesash, si dhe mundësisht kontejnerë.
Kështu, Kastrati mund të ofrojë edhe shërbime si terminal pasagjerësh, pra pa kufizuar asnjë ngarkesë në objektin e kontratës. Kastrati, jo vetëm që paguhet për sasinë e ngarkesave që ai trajton, por gjithashtu ka të drejtë të mbledhë tarifa nga mjetet lundruese për përdorimin e kanalit të hyrjes, akostimin dhe shërbimet përkatëse.
Plani i thur në Dubai
Kujtojmë se mëngjesin e 26 nëntorit 2020, Kryeministri Edi Rama u nis papritur me çarter drejt Emirateve të Bashkuara Arabe. Qëllimi i vizitës ishte nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e apartamenteve në Durrës për personat e prekur nga tërmeti.
“Tre vjet për mua janë shumë në negocimin e një marrëveshje. Por më duhej të respektoja rregullat e Shqipërisë ato të BE-s”, do të pohonte vitin e kaluar investitori arab duke vërtetuar se bizedimet për projektin kishin nisur qysh në 2020.
Në maj të vitit të kaluar, gjatë prezantimit të projektit, Kryeministri Rama tha se qëllimi ishte pikërisht transformimi i infrastrukturës së vjetër në një port model si një ndër shtyllat e vizionit Shqipëria 2030. “Saktësisht ky ishte qëllimi, prandaj qysh prej fillimit e pamë që porti aktual ishte një rrëmujë e tërë, ndoste, nuk kishte kapacitete për t’u zgjeruar, nuk kishte lidhje, nuk kishte asgjë. Ndërkohë që porti i ri ka potencial, ka kapacitete dhe na bën portën hyrëse në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha Rama, pa e qartësuar çfarë do të bëhej me koncesionet që ishin firmosur më parë.
Letra e koncesionarit: Vëllai i drejtorit të Portit…
Manovrat e Ramës për të përzënë gjermanët kanë nisur që në vitin 2018. Kompania gjermane paralajmëroi autoritetet shqiptare se do nisë proceset gjyqësore ndërkombëtare. Gjermanët pretendojnë se Autoriteti Portual dhe “Konkurrenca” po kërkon largimin nga porti të koncesionarit EMS dhe falimentimin e tij. Rama aktivizoi edhe institucione të tjera për ta bezdisur gjermanin. Në atë kohë, Autoriteti i Konkurrencës, pas një hetimi në këtë koncesionar, kërkoi marrjen e masave ekstreme ndëshkuese ndaj EMS Shippig & Trading Gmbh, e cila mund të rezultonte në mbylljen e aktivitetit dhe largimin e investitorit. Pikërisht kjo situatë e krijuar nxiti dyshimet e forta, se pas këtij “hetimi” fshihen të tjera arsye dhe qëllime.
Në një letër dërguar ish-drejtorit të ADP Artjan Qirici, koncesionari theksonte: “Ne do të donim t’ju kujtojmë se jashtë zonës portuale po ngrihen sheshe depozitime mineralesh që vijnë nga minierat për t’u mbushur në kontejnerë, si qendra logjistike, përfshirë edhe kompaninë “Go Logistics Albania”, ku pronar dhe administrator është vëllai juaj”.
Kështu me një letër dërguar autoriteteve, EMS kërkoi që të ndërpriten këto vendime që cenojnë investimin e tyre prej 15 milionë euro si dhe shkelin kontratën me afat 35 -vjeçar.
“Investime në vlerën 15 milionë Euro për të gjithë periudhën koncesionare prej 35 vjetësh për përmirësimin teknik, në infrastrukturë (i pakthyeshëm) dhe në mjete për të përmirësuar, jo vetëm pozitën konkurruese të Portit të Durrësit, por edhe cilësinë e shërbimeve ndaj përdoruesve të portit në përputhje me praktikat më të mira evropiane. Detyrime këto të cilat kanë filluar të implentohen që nga dita e parë e marrjes në dorëzim të Terminalit Lindor dhe sot këto investimet kanë arritur deri në masën 30%”, thuhet në reagimin e EMS.
Kompania gjermane kërkon 40 milionë euro në Arbitrazh
Herë pas herë policia i ka bllokuar punën e kompanisë gjermane, deri më 23 prill 2023 kur u raportua se ishte bërë një padi për 40 mln euro dëmshpërblim në Arbitrazh. Gjermanët pretendojnë trajtim të pabarabartë dhe diskriminues. Drejtuesit e kompanisë pohuan se institucionet shqiptare kanë penguar qëllimisht aktivitetin e tyre që në vitin 2020, kur nisën trajtimin preferencial për operatorin privat në Porto Romano ( është fjala për Kastratin) për të vijuar më pas zënien e hapësirës së portit të Durrësit për projektin e Marinës.
Ndërsa nga autoritetet shqiptare, sipas EMS, nuk ka asnjë komunikim se nëse do të transferohet aktiviteti i tyre në projektin e portit të ri tregtar në Porto Romano. Projekti i prezantuar publikisht nuk parashikon asnjë hapësirë për mallrat rifuxho.
Ndërkohë shkak për dërgimin e çështjes në Arbitrazh u bë edhe projekti i “Durrës Yachts & Marina” që përkon me zhvillimin e një porti jahtesh, ngritjen e 13 mijë apartamenteve dhe hoteleve do të zhvillohen në truallin e portit aktual të Durrësit.
Ky projekt ka vënë në pikëpyetje vijueshmërinë e aktivitetit ekonomik të shumë operatorëve që përpunojnë mallrat në këtë port, por edhe të qindra qytetarëve durrsakë të cilët janë të punësuar në këto subjekte.
Ç’humb shteti nga përzënia e koncesionarit
“EMS APO paguan një tarifë qiraje vjetore prej afro 1 milion euro dhe tarifa koncesionare që shkojnë në 13% për shërbimet e faturuara sipas rregullave të tarifave portuale.
Sigurisht, EMS APO paguan gjithashtu taksa dhe detyrime si çdo biznes tjetër. Në nëntë vitet e para të operimit të Terminalit Lindor, pagesat për shtetin Shqiptar kanë arritur në afro 21 milion euro (shiko detajet më poshtë).
Pagesa koncesionare për Ministrinë e Transportit është në vlerën e 870,019 Euro. Pagesa koncesionare për Autoritetin Portual Durrës në vlerën e 18,104,548 Euro. Taksa në vlerën e 2,373,427 Euro. Gjithsej 21,347,995 euro”, theksoi Ceo i kompanisë EMS APO në prill të këtij viti.
Kryeministri Rama që është i njohur për arrogancën dhe për pasojë gjyqet e shumta në Arbittrazhin Ndërkombëtar, sot ka bërë sulmin e radhës për të pastruar sheshin e ndërtimit për arabët nga Dubai. Në mënyrë arbitrare Autoriteti Portual i Durrësit ka ndërhyrë me forca policie dhe mjete duke pezulluar aktivitetin e koncesionarit.
Sipas tyre, policia ka bllokuar hyrjet dhe daljet e automjeteve, zyrat dhe peshoren e mjeteve pa një paralajmërim. “Anijet presin të ngarkohen dhe shkarkohen. Nuk e dimë cili është qëllimi i zaptimit të sipërfaqeve të kalatës lindore dhe pezullimi i aktivitetit”, tha Florian Cimo, përfaqësues i EMS.
Afera 35-vjeçare
Historia e këtij koncesioni në terminalin Lindor nisi në 27 Korrik të vitit 2012 kur kompania e regjistruar në Gjermani “EMS Shiping & Trading GMBH” paraqiti “ofertën e pakërkuar”.
Në 19 Mars 2013 kompania është njoftuar fituese e koncesionit, pa garë të mirëfilltë. Në 18 Prill 2013, urdhërohet ngritja e grupit negociator me në krye ish-sekretarin e Partisë Demokratike, Ervin Minarolli.
Negocimi i kontratës nisi më 25 Prill 2013, ndërsa u nënshkrua vetëm 2 javë më vonë, më 6 Maj. Duket se gjithçka është bërë në nxitim e sipër, para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013.
Koncesionari nëpërmjet Kontratës së Koncesionit të lidhur, ka fituar të drejtat për: Menaxhimin, operimin, mirëmbajtjen, përmirësimin teknik për një kohëzgjatje prej 35 vjetësh; Operimin e terminalit në drejtim të ngarkim-shkarkimit, depozitimit, magazinimit, lëvizjeve, transportit të mallrave rifuxho, mineraleve, qymyrit etj, dhe mallrave të përgjithshme/gjenerale.
EMS ishte prezente prej vitit 2009 me operacionet në Portin Durrës përmes kompanisë stivatore në terminalin e kontejnerëve “Albanian Stevedoring Commapy”. Pra, lidhjet me zyrtarët e pushtetit në atë kohë ishin të hershme.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post