Strategjia e re fiskale e qeverisë 2022-2026, synon të rrisë të ardhurat buxhetore me 132 miliardë lekë (1,1 mld euro), 60% e të cilave, ose 640 milionë euro do sigurohen duke rritur tarifat dhe taksat, duke hequr përjashtimet dhe pragjet e TVSH-së, akcizës, Tatimfitimit, rritja e taksës së pronës dhe pjesa tjetër nga lufta ndaj informalitetit. Parashikohen të rikthehen tatimet fikse dhe ato mbi xhiron në bizneset e vogla dhe të vendoset TVSH mbi banesat e reja. Të vetëpunësuarit do të paguajnë TAP. Të gjitha ndryshimet fiskale e parashikuara në katër vitet në vijim dhe që kanë dalë për konsultim me grupet e interesit.
Në mes të një vale rritjeje çmimesh, që do të nxitet edhe më tej nga sulmet ruse në Ukrainë, qeveria shqiptare ka bërë gati një strategji që synon të rrisë barrën fiskale në horizontin afatmesëm për individët, bizneset dhe do të heqë të gjithë stimujt në formën e përjashtimeve tatimore të dhëna ndër vite për ekonominë.
Strategjia Afatmesme e të Ardhurave (SAA) 2022-2026 ka marrë formë përfundimtare dhe është në proces konsultimi me biznesin. Reforma synon rritjen e të ardhurave të buxhetit me rreth 2.55% të PBB-së për një periudhë 5-vjeçare, 2022-2026, nga të cilat 1.31% do të gjenerohen nga ndryshimet në politikat tatimore dhe 1.24% e PBB-së nga përmirësimi i elementeve të administrimit tatimor dhe doganor. Të ardhurat e synuara do të duhet të përballojnë shpenzime buxhetore në nivelin 32% të PBB-së. Strategjia afatmesme e të ardhurave 2022-2026 është hartuar mbi bazën e rekomandimeve nga FMN dhe do të konsultohet me grupet e biznesit.
Të ardhurat shtesë të synuara nga ndryshimet tatimore janë përllogaritur nga Ministria e Financave në nivelin e rreth 132 miliardë lekë (1,1 mld euro), nga të cilat 78 miliardë lekë (640 milionë euro) do të jenë nga ndryshimi i tarifave dhe heqja e pragjeve dhe 54 miliardë lekë, nga lufta ndaj informalitetit. Gjatë periudhës 2023-2026, të ardhurat shtesë do të merren nga katër drejtime;
1-Të ardhura shtesë nga Tatimet indirekte (tatimet mbi konsumin). Këto të ardhura do të sigurohen kryesisht nga heqja e përjashtimeve nga TVSH të kategorive të caktuara të furnizimit të mallrave dhe shërbimeve, që sipas Ministrisë së Financave kanë përfunduar misionin e tyre për të cilin ishin dizajnuar. Ky grup ndryshimesh parashikon aplikimin e TVSH në ndërtesat e reja, heqjen e përjashtimeve nga TVSH për shërbimet në sektorin e shëndetësisë, arsimit, TIK, industrisë financiare, turizmit etj. Gjithashtu do të hiqen pragjet e akcizës.
2-Të ardhura shtesë nga tatimet mbi të ardhurat për periudhën 2022 – 2026. Këto të ardhura do të sigurohen nga ndryshime në sistemin ligjor që prekin tatimet direkte, të tilla si heqja e tarifave preferenciale sektoriale, ndryshimi i skemës së taksimit të bizneseve të caktuara etj. Bizneset e vogla me xhiro 1 milion lekë në vit do të paguajnë një tatim fiks 25 mijë lekë në vit. Ndërsa bizneset me xhiro 1-8 milionë lekë në vit do të paguajnë një tatim mbi xhiron që do të jetë 2-4% në vit. Të vetëpunësuarit do të përfshihen në TAP.
3- Të ardhura shtesë nga taksat e pasurisë së paluajtshme. Këto të ardhura do të sigurohen nëpërmjet rishikimit të sistemit tatimor mbi këto pasuri, rritjes së eficiencës së Kadastrës Fiskale, si dhe rishikimit të përjashtimeve të shumta nga këto taksa, përfshirë edhe rishikimin e tarifës së taksës për kategori të caktuara rezidenciale apo disponim të pasurive rezidenciale të dyta dhe të treta.
4- Të ardhura shtesë nga strategjia dhe reformat fiskale që do të ndërmerren dhe që lidhen me miradministrimin fiskal. Qeveria synon që në pesë vitet në vijim të kalohet nga stimujt e bazuar në tarifat tatimore të reduktuara, në stimujt e bazuar te shpenzimet. Do të merren në konsideratë incentivat tatimore në fushën e kërkim-zhvillimit (R&D), nëpërmjet njohjes së shumëfishtë të tyre, si shpenzime biznesi, si një formë stimulimi ndaj kompanive, për përfitimet shoqërore që vijnë nga inovacioni. Ndërkohë që stimujt tatimorë të R&D mund të jenë efektivë në stimulimin e investimeve të biznesit në kërkim-zhvillim.
Discussion about this post