“Ndotje thuajse zero, trajtim të mbi 850 ton mbetjesh në ditë të mbërritura nga tre bashki dhe prodhim 15.4 megavat orë energji nga përpunimi në Inceneratorin e Tiranës në vitin 2025”. Ky ishte premtimi i koncesionarit dhe jemi pikërisht në këtë vit, por “fundi i lumtur” nuk erdhi kurrë, pasi Inceneratori i Tiranës mbetet imagjinar, duke sjellë pasoja të rënda mjedisore, por edhe qindra milionë euro dëm nga ajo që njihet se “afera e inceneratorit”.
Sipas kontratës së lidhur në vitin 2017, kompania “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, do të ndërtonte impiantin e plotë të Inceneratorit të Tiranës deri në vitin 2025.
INCINERATORI
Eksperti i ekonomisë, Neritan Sejamini, shpjegon për Faktoje.al se, “incineratori duhet të kishte kishte katër linja djegieje secila me kapacitet djegieje 230 ton në ditë, të parashikuara të ishin ndërtuar dhe të viheshin në punë respektivisht pas: 1 viti e gjysmë; afërsisht 3 vjetësh; pak më shumë se katër vjetësh; dhe pas 6 vjetësh nga marrja e lejes së ndërtimit. Leja e ndërtimit u dha me shumë vonesë, gati dy vjet pas nënshkrimit të koncesionit, në mes të vitit 2019.
Të gjitha afatet e mësipërme duhet të llogariten nga kjo datë. Pra, linja e parë duhet të kishte mbaruar në fillim të vitit 2021, e dyta duhet të ishte përfunduar në mes të vitit 2022, e treta duhet të përfundonte në vjeshtën e vitit 2023 dhe e katërta duhej në vjeshtë të vitit 2025”.
LANDFILLI
Aktualisht, në Landfillin e Sharrës inceneratori nuk ekziston, por situata është mjaft alarmante sa pranohet edhe nga vetë kompania “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k e cila me kërkesë të Prokurorisë Speciale SPAK dhe vendim të Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), që nga data 1 gusht 2023 administrohet nga institucioni shtetëror, Agjencia e Pronave të Sekuestruara.
“Kjo do të thotë që e gjithë veprimtaria ekonomike, financiare dhe ligjore e kompanisë administrohet nga institucioni publik. Pra, vend-depozitimi i plehrave menaxhohet nga shteti. Administrimi nga shteti nënkupton që ai duhet të jetë i shëndetshëm dhe të mbrojë interesat ekonomike të kompanisë. Me pak fjalë, askush nuk mund të prekë apo tjetërsojë të ardhurat e kompanisë, përfshi edhe shtetin.
Sekuestrimi nuk prek kontratën koncesionare. Ligjërisht konçesioni është në fuqi dhe marrëdhëniet mes shtetit dhe koncesionarit janë të pandryshuara, pavarësisht se kush është administratori i kompanisë”, shpjegon Sejamini.
LEJA
Faktoje.al ka mësuar se Landfilli i Sharrës është ezauruar tërësisht në kapacitetin e saj përpunues të mbetjeve, duke ngritur shqetësimin zyrtarisht tek institucionet lokale dhe qëndrore, specifikisht në Bashkinë Tiranë dhe Agjencinë e Zhvillimit të Territorit.
Faktoje.al i ka dërguar një kërkesë për informacion Bashkisë Tiranë lidhur me këtë cështje, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk kemi përgjigje.
Në qershor të vitit të kaluar, drejtuesit e kompanisë i kërkuan Agjencisë së Zhvillimit të Territorit që të zbardhë lejen në Landfillin e Sharrës, aplikim të cilin e kanë kryer që në dhjetor të vitit 2023. Mes tre institucioneve, Bashki e Tiranës, KKT (Këshilli Kombëtar i Territorit) dhe AZHT (Agjencia e Zhvillimit të Territorit), nuk ka pasur një koordinim për çështjen e lejes.
Bashkia Tiranë miratoi lejen, por zbardhja e saj duhet të kryhej nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit e cila nga ana e saj sipas një korrespondence nisur zyrtarisht kompanisë së trajtimit të mbetjeve dhe Bashkisë Tiranë, i informon se përderisa kjo kompani është nën sekuestro nga shteti, do i duhet më parë që për çdo zgjerim territori apo punime të ndryshme në impiantin ekzistues, të marrë leje nga institucionet që kanë vendosur sekuestron, pranë SPAK dhe GJKKO.
Ndodhur në këto kushte, një muaj më vonë, (korrik 2024), shoqëria “Integrated Energy BV SPV” pasi kishte aplikuar për Leje Ndërtimi për “Zgjerimin e kapacitetit të depozitimit të mbetjeve të ngurta në zonën 13 të Bashkisë Tiranë”, nisi të tjera letra zyrtare, duke kërkuar zbardhjen e lejes dhe nisjen e punës, por një “përplasje” mes Bashkisë Tiranë dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, kjo e fundit në varësi të qeverisë qëndrore, po mban pezull landfillin.
Deri në fund të vitit të kaluar leja (nga AZHT) ende nuk është zbardhur, duke lënë pezull vijimin e punimeve. Nëse një leje miratohet, por nuk zbardhet, atëherë ajo hyn në fuqi në heshtje 90 ditë pas miratimit. Edhe pse ka kaluar ky afat ligjor, punimet nuk kanë nisur për zgjerimin e territorit dhe mësohet se AZHT-ja i ka kërkuar kompanisë “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k si aprovim nga SPAK dhe GJKKO, ashtu edhe plotësim të dokumentacionit për hartën kadastrale ku ishte planifikuar zgjerimi i territorit për trajtimin e mbetjeve. Kjo përplasje institucionale e ka detyruar kompaninë “Integrated Energy BV SPV” që të paralajmërojë bashkitë se nuk mund të trajtojnë më mbetjet nëse nuk zgjerohet territori i përpunimit.
MBETJET
Faktoje.al nga burime brenda impiantit të trajtimit të mbetjeve në Sharrë mëson se sasia e mbetjeve që vijnë nga bashkitë Tiranë, Vorë dhe Kavajë është e madhe, rreth 700 ton në ditë, dhe u është dashur t’i mbajnë disa ditë mbetjet në terren të hapur, deri në momentin që kanë krijuar zona të tjera.
Të njëjtat burime konfirmojnë se prej tre muajsh po operohet me mbivendosje të mbetjeve. Sipas tyre, kjo nënkupton se zonat e konsideruara “tampon” (të mbyllura), rihapen sërish dhe groposen mbetjet organike, pasi është bërë më parë trajtimi i mbetjeve bruto, duke ndarë materialet e riciklueshme, kryesisht plastikë.
Kompania është në emergjencë të plotë për shkak se vaskat e trajtimit të mbetjeve janë ezauruar duke ulur kapacitetin përpunues për shkak të mungesës së ambienteve. Vetë impianti është ndërtuar në atë mënyrë që trajtimi në këtë formë (ndarje e mbetjeve të riciklueshme dhe më pas groposje në vaska) të vijojë për një periudhë gjashtë vjeçare, sepse më pas presupozohej se do të vihej në funksion “inceneratori i ri”, i cili nuk ekziston.
Ende nuk ka një vendim përfundimtar mbi kërkesën e kompanisë së përpunimit të mbetjeve në Landfillin e Sharrës e cila kërkon në mënyrë urgjente zgjerimin e territorit për të përpunuar në kohë mbetjet urbane. Neritan Sejamini vëren se, “gjendja e menaxhimit të mbetjeve është skandaloze: mbetjet tashmë as nuk groposen, por mblidhen kapicë mbi tokë dhe digjen. Është krim mjedisor, përveçse krim financiar”
“Fatkeqësisht, qeveria ka bërë pagesa edhe pse koncesionari ka shkelur të gjitha kushtet e kontratës për ecurinë e ndërtimit, në fakt duke mos filluar asnjëherë ndërtimin. Nuk u gërrmua asnjë lopatë dhe nuk u vendos kurrë asnjë tullë. Për rreth katër vjet rrjesht, 30 ditë nga nxjerrja e lejes së ndërtimit, pra afërsisht që nga gushti 2019, deri në sekuestrimin e kompanisë koncesionare dhe vend-depozitimit të plehrave në Sharrë në gusht 2023, çdo pagesë që është bërë nga qeveria është bërë në shkelje të kontratës dhe ligjeve të vendit”, thotë Sejamini.
Për periudhën (2019-2023) kostoja financiare është mbi 4 mld lekë.
Gjithçka është hermetike në Landfillin e Sharrës ku mungesën e transparencës mundohen ta “zbulojnë” vetëm zogjtë e egër shtegtarë. Tufa shpendësh depërtojnë lirshëm nga ajri duke mos i “ndaluar” forcat e shumta të sigurisë të cilët nuk lejojnë media, ekspertë mjedisorë, apo edhe politikanë të opozitës për të parë situatën nga afër.
Paradoksalisht pirgjet me mbetje janë tërheqësit e shpendve të cilët kanë prishur sistemin e shtegtimit, pikërisht nga ushqimi i bollshëm që ofrohet nga mbetjet urbane të patrajtuara dhe hedhura pirgje pirgje.
Madje edhe ekspertët e huaj të studimit të shpendëve dhe mjedisit duke iu referuar Shqipërisë konstatojnë se zona të caktuara kanë mbetur pa zogj shtegtarë. Arsyeja lidhet edhe me Sharrën dhe çdo landfill tjetër që po kthehen në hapitate mbetjesh. “Gjatë viteve të fundit, ka pasur raste në rritje në të cilat zogjtë kanë ndaluar së shkuari deri në jug, në mënyrë që të gjejnë zona më të afërta foleje pranë landfilleve për shkak të furnizimit të tyre të pafund me ushqim”, thonë ekspertët.
“ECO TIRANA”
Në shtator të vitit të kaluar, shoqëria aksionere “Eco Tirana” mori përsipër pastrimin e Tiranës, por që në momentet e para hasi në problematika thelbësore, duke krijuar për rreth dy javë situatë të rëndë mjedisore pasi për shumë ditë mbetjet nuk mblidheshin në kohë.
Në atë kohë kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj fajësoi kompaninë e mëparshme të pastrimit të qytetit e cila sipas tij nuk kishte kryer me korrektesë kontratën për të vijuar pastrimin deri në momentin që “Eco Tirana” të siguronte mjetet e duhura.
“Eco Tirana” do të marrë në administrim të gjithë qytetin, duke u lënë operatorëve private që mbulonin zonat e ‘5 Majit’, ‘Don Boskos’, lagjen ‘Rilindja’ te Unaza e Madhe, një afat nga 1 tetor deri në 1 nëntor, sepse si çdo marrëdhënie që ndërpritet jepet edhe një afat sepse nuk bëhet në mënyrë të palajmëruar”, tha kryebashkiaku Erion Veliaj.
Sipas marrëveshjes, Bashkia Tiranë mori përsipër të pastrojë qytetin nëpërmjet kompanisë “Eco-Tirana”, ku 51 për qind të aksioneve i ka vetë bashkia, ndërsa 49 për qind një kompani italiane që ka ndërruar disa pronarë në pak muaj, duke e bërë të paqartë pronësinë.
Kontrata parashikon që “Eco-Tirana” duhet të zbrazë 6396 kosha mbetjesh në ditë. Po ashtu të lajë dhe dezinfektojë 500 vendqëndrime të koshave, ndërsa vijon detyrimi kontraktual që kjo kompani duhet të fshijë 1.9 milionë metra katrorë rrugë dhe lajë 285 mijë metra katrorë sipërfaqe të rrugëve kryesore në ditë.
Nga vëzhgimi në terren i Faktoje.al, mbetjet tërhiqen në kohë, por në zona të caktuara ka probleme me tejmbushjen e kazanëve, madje deri në rrugë. Ndonëse problemet me mbetjet në Tiranë që nuk merreshin në kohë janë cilësuar nga bashkia e kryeqytetit si çështje teknike e kalimit nga një kontraktor tek një tjetër “Eco Tirana” ishte parapërgatitur për këtë tender, që do të fitonte që në mars të vitit të kaluar, ndonëse kontrata u lidh në shtator.
Faktoje.al vëzhgoi faqen e “Eco Tirana” në rrjetet sociale e cila njoftohen tendera për disa blerje të kazanëve të mbetjeve, apo edhe automjete, duke paraqitur edhe ofertën dhe fondin limit përkatës. Në thuajse të gjithë njoftimet e tenderit, kur i referohet blerjes së koshave e saktëson: “të përdorura”, duke vendosur në dyshim cilësinë e shërbimit.
Po ashtu dezinfektimi i zonave të caktuara si vendgrumbullim mbetjesh në qytet nuk kryhet në kohë, ç’ka konstatohet lirshëm në thuajse çdo zonë të përcaktuar për kazanët e mbetjeve.
SHIJAKU DHE PLEHRAT
Si për ironi, pikërisht në një vend ku mezi duken tre kosha mbetjesh, në një tabelë të copëtuar shkruhet: “Ndalohet hedhja e Mbeturinave”! Jemi në aksin kryesor të hyrjes nga superstrada Tiranë-Durrës drejt zonës turistike të Hamallajt dhe Gjirit të Lalzit.
Mbetje kudo, pirgje me thasë të zinj dhe mbetje të shpërndara në rrugë të zenë sytë në këtë aks disi të shkretë tani, por mjaft të populluar në stinën e verës nga frekuentimi i plazhit.
Për Dashamir Herrin puna në një pikë të vogël karburanti është disi angari me orar të zgjatur, por vështirësinë më të madhe nuk e ka nga mundi i punës, por pamundësia për të marrë frymë lirisht. “I shihni plehrat si janë hedhur? Nuk vjen kush t’i marrë, na mbytën” thotë për Faktoje.al Herri. Ai shprehet se disa herë banorët e fshatrave Maminas, Radë, Hamallaj dhe Sukth i kanë bërë kërkesë Bashkisë Shijak për problemin e mbetjeve, por nuk marrin masat.
“Me ditë të tëra qëndrojnë aty dhe mesa na kanë thënë nuk është problem i transportit, por i përpunimit të mbetjeve”, shton një i ri i cili shprehet se në disa raste në rrjete të ndryshme sociale ka publikuar pirgjet me mbetje, por tashmë nuk ka asnjë reagim.
Nga vëzhgimi që Faktoje.al bëri në terren situata duket paksa më e stabilizuar në zonën e Hamallajt dhe Sukthit, ku janë më të pakëta mbetjet, ndonëse pranë Hidrovorit të Sukthit mbetjet kryesisht të plastikës shpërndahen kudo duke krijuar ndotje të dukshme.
INCINERATORI SI AFERË
Kontrata për trajtimin e mbetjeve urbane në Tiranë u nënshkrua më 31 gusht 2017 mes Ministrisë së Mjedisit dhe kompanisë “Integrated Energy BV SPV”, e regjistruar në Hollandë. Sipas kësaj kontrate, projekti përfshinte rehabilitimin e venddepozitimit të mbetjeve në Sharrë, si dhe ndërtimin e një landfilli dhe një inceneratori për prodhimin e energjisë elektrike.
Projekti për Inceneratorin e Tiranës do të kushtonte 128 milionë euro, ndërsa po sipas kontratës kjo kompani siguronte 29 euro për trajtimin e një ton mbetje, ku “furnizuesja” kryesore do të ishte Bashkia Tiranë.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) zbuluan dyshime për korrupsion lidhur me Inceneratorin e Tiranës. Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të identifikuar si pronarët de facto të kompanisë, akuzohen për falsifikim faturash dhe përvetësim të paligjshëm të më shumë se 409 milionë lekëve nga buxheti i shtetit.
Më 7 dhjetor 2023, u lëshuan 12 urdhër-arreste. Mes të ndaluarve ishin Namik Simixhiu, Drejtori i Pastrimit të Mbetjeve Urbane në Bashkinë e Tiranës, Bledar Karoli nga Ministria e Mjedisit, dhe Jetmir Llapaj nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Gjithashtu, Taulant Tushe, Drejtor i Punëve Publike në Bashkinë Tiranë, u vetëdorëzua. Masa e “arrestit me burg” u ekzekutua për ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako, të cilët tashmë janë dënuar për aferat e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit.
Një sërë zyrtarësh të tjerë, përfshirë Pëllumb Abeshin, Alba Thomain, Valbona Ballgjinin, Sidita Koplikun, Etleva Kondin dhe Sidita Tolën, të cilët kanë qenë pjesë e komisionit për dhënien e koncesionit, u vendosën në “arrest shtëpie”. Ndërkohë, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto mbeten në kërkim ndërkombëtar, së bashku me Erjon Muratajn, një tjetër anëtar i komisionit./ Nga SEBI ALLA Faktoje.al
Discussion about this post