Digitalb i ka kushtuar një dokumentar kualifikimit të Shqipërisë për në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” të titulluar “Rruga drejt Euro 2024”. Dokumentari i punuar nga gazetari i SuperSport Elvis Rexha sjell për të gjithë teleshikuesit emocionet e edicionit kualifikues, duke përfshirë protagonistët kryesor si Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo dhe disa futbollistë kuqezi që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në kualifikimin drejt Kampionatin Europian “Gjermani 2024”.
Dokumentari nis me Presidentin Duka, i cili tregon kontaktet e para me trajnerin Silvinjo dhe aspektet pozitive të brazilianit, që i bënë përshtypje në takimin në Milano.
“Kemi takuar disa trajnerë. Takimi im i parë me Silvinjon ka qenë në Milano dhe që nga dita e parë më ka lënë një sensacion pozitiv, me goxha uri për sukses. Trajnerët në një Kombëtare konsumohen dhe kërkohet një energji e re. Këtë kemi bërë me Silvinjon. Kemi gjetur jo vetëm një trajner të ri në moshë, por edhe me energji të reja” – tha Presidenti Duka.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar pranoi se fillimi ka qenë i vështirë për Silvinjon, që nuk pati mundësi të testojë futbollistët në miqësore, por e nisi direkt në Poloni në sfidën e parë kualifikuese.
“Ishte një lloj handikapi fillimi i punës së tij, pa një ndeshje miqësore, por e kompensoi. Bashkë me stafin e tij bënë një punë intensive vitrtuale, duke tejkaluar këtë vështirësi. U kam vënë objektiva shumë herët. Nëse nuk vë objektiva dhe nuk i beson as vetë ato, atëherë nuk i besojnë as njerëzit që bashkëpunojnë me ty”, – theksoi Presidenti Duka, i cili flet edhe për momentin e arritjes së objektivit dhe për kundërshtarët në finalet e “Euro 2024”.
“Me barazimin ndaj Moldavisë arritëm objektivin. Nuk ishin kundërshtar i lehtë. Na duhej kualifikimi dhe e arritëm. Ndaj Ishujve Faroe duhej një fitore për të festuar më shumë, por në fund të fundit futbollistët janë qenie humane dhe askush nuk mund t’i ndalte të festonin. Të vetëkënaqur, e konsideruan të lehtë ndeshjen. Nuk është e lehtë t’i motivosh në një ndeshje kur pikët nuk duhen. Shorti për mua është i bukur, janë të fortë, pasi kanë fituar. Më pelqen pasi do luajmë ndaj emrave të mëdhenj me synimin për të kaluar grupin. Nuk do shkojmë për llogari, por për të bërë më të mirën” – tha Presidenti Duka.
Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, zbuloi takimin e parë me Presidentin e FSHF-së dhe faktin se përgjigja e tij për të marrë drejtimin e Kombëtares kuqezi ishte menjëherë “Po”.
“Dola për darkë me Presidentin në Milano. Së pari komunikimi në italisht ishte shumë i mirë. Gjithçka ishte e re, një kompleks sportive për t’u inauguruar. Futbollistët janë të mirë. Ishte një “Po” e padiskutuar. Ishte një punë e rëndësishme nga janari, në shkurt për të arritur te ndeshja e parë, shumë e rëndësishme në mars. Në një kombëtare punohet ndryshe, ka më pak kohë. Ka shumë punë me videot, shumë punë në zyrë për t’u zbatuar më pas në fushë. Pastaj, ditën e parë kur ishim të gjithë bashkë ishte më e lehtë. Ishte shumë i mirë kontakti i parë me futbollistët”-tha fillimisht trajneri Silvinjo.
Më tej, duke folur për rrugëtimin drejt kualifikimit, Silvinjo theksoi se nuk ishte i lehtë, por i merituar.
“Nuk është e lehtë të shtosh objektivat. Një përfaqësim i mirë të kënaq, një përfaqësim i mirë na çon më afër një rezultati pozitiv. Nga loja e mirë, tek marrja e rezultateve, duhet shumë sforco, shumë dedikim dhe shumë punë. Ne duhet të ëndërrojmë. Moldavia nuk është kundërshtar i lehtë. Ata kanë qenë në garë deri në ndeshjen e fundit për t’u kualifikuar për herë të parë në një Kampionat Europian. Ne bëmë paraqitje të mirë dhe e merituam 100% kualifikimin”- deklaroi Silvinjo.
Pjesë e dokumentarit “Rruga drejt EURO 2024” ishin edhe disa futbollistë që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ndeshjet kualifikuese. Jasir Asani që erdhi në Kombëtare për herë të parë në epokën e trajnerit Silvinjo rrëfen emocionet e ndeshjes së parë, asaj ndaj Polonisë në Varshavë.
“Ishte një emocion shumë i madh, pasi vija për herë të parë në Kombëtare dhe nuk kam fjetur fare për dy ditë. Edhe kur dolëm në nxehje kisha shumë vështirësi, pasi ishte emocion shumë i madh. Të gjithë ishim të kënaqur pasi kishim bërë një ndeshje shumë të mirë. Por në të njëjtën kohë ishim të mërzitur, pasi nuk e meritonim të humbnim” – rrëfen Asani për transfertën polake në Varshavë.
Goli i parë i Asanit me fanellën kuqezi do të vinte në qershor ndaj Moldavisë.
“Ndaj Moldavisë ishte edhe më e vështirë. I gjithë stadiumi na mbështeste dhe nuk mundesha të bëja nxehje, pasi më dridheshin këmbët nga emocioni. 20-25 minutat e para isha në ajër. Atë gol nuk do ta harroj kurrë, sepse falë tij morëm rrugën drejt kualifikimit në Europian” – tha Jasir Asani.
Kristjan Asllani tregon besimin që djemtë e Kombëtares kishin që në momentin kur u hodh shorti dhe përballë ishin ekipe si Çekia apo Polonia.
“Që në momentin që është hedhur shorti e dinim që mund të kalonim. Ishte një grup i fortë por me punë kemi arritur tek ëndrra jonë. Unë i kam luajtur të gjitha ndeshjet dhe me tifozët tanë është shumë bukur por edhe përgjegjësi. Te goli i shënuar ndaj Ishujve Faroi nuk ka asnjë sekret, kur Nedimi më pasoi topin e kisha ndarë mendjen që ta gjuaja dhe erdhi goli” – tha Kristjan Asllani.
Nedim Bajrami rrëfen marrëdhënien me trajnerin Silvinjo por edhe momentin e golit vendimtar në Çeki.
“Ditën e parë që erdhi trajneri Silvinjo na dha besim për Europianin. E pa që kishim një grup jo shumë të fortë por as të lehtë, na ndihmoi të gjenim ekuilibrin. Para ndeshjes me Çekinë fola me babin dhe më dërgoi një foto që ishte në stadium. Pas golit e dija ku ishte dhe shkova aty” – tha Nedim Bajrami.
Kapiteni Berat Gjimshiti foli për harmoninë e grupit dhe punën e mirë të bërë nga stafi teknik.
“Do më mbetet gjithë jetën ai moment, pasi ishte edhe i bukur dhe i trishtë për mua. Besoj që më ka dhënë besim për të forcuar karakterin tim. Ja ku jam prapë dhe historia përsëritet. Erdhi staf i ri, lotjarë të rinj që nuk i njihja. Fryma ka qenë shumë pozitive, ndryshim i madh dhe kjo u pa në fushë. Stafi i dha besim lojtarëve. Grupi është shumë familjar, vallëzojnë bashkë dhe kjo është shumë e rëndësishme”- tha Berat Gjimshiti.
Pjesë e dokumentarit ishin edhe Sokol Cikalleshi, Etrit Berisha, Ernest Muçi, Ylber Ramadani, Elseid Hysaj dhe Taulant Seferi që treguan emocionet e edicionit kualifikues.
Sokol Cikalleshi: “Në vitin 2016 kishte lojtarë me karakter dhe personalitet, fokusi ishte tek disiplina taktike. Ishim për herë të parë dhe ishim një ekip që hodhi hapat e parë për një sukses të mëtejshëm. Ky ekip bën futboll më ofensiv, ku nuk kanë munguar golat e bukur”.
Etrit Berisha: “Në Kombëtare ka pak kohë për t’u përgatitur. Silvinjo nuk na dha detyra të ekzagjeruara, por na dha qetësi. Jemi munduar të ndihmojmë trajnerin. Në ndeshjen e parë me Poloninë më ndali trajneri dhe më tregoi që do ta nisja nga stoli. Ndoshta përgjigja ime e surprizoi pak pasi isha i përqendruar tek ecuria e ekipit jo e Berishës. Pas ndeshjes më përgëzoi. Këto fjalë më bënë të ndihem mirë dhe ishte edhe një mesazh për djemtë pasi asnjë nuk është i pazëvendësueshëm por të gjithë jemi të rëndësishëm”.
Ernest Muçi: “E rëndësishme që realizuam ëndrrën e çdo shqiptari, jam i lumtur që u kualifikuam pasi objektivi i skuadrës është më i rëndësishëm se ai individual. Shumica e golave në këto kualifikuese kanë qenë me kulitet të lartë, kemi ekip të tillë. Shpresoj ta vazhdojmë edhe në Europian. Ishte goli im i parë me Kombëtaren, ëndërr e bërë realitet, aksioni dhe goli shumë të bukur”.
Ylber Ramadani: “Nuk jam dorëzuar asnjëherë. Gjatë kualifikueseve do të doja të shënoja një gol dhe të festoja duke puthur fanellën. Jemi bërë si familje tani, mezi presim që të vijmë në grumbullim, për të bërë shaka dhe të qeshim me njëri-tjetrin. Kjo na bën të ndihemi shumë mirë dhe krenarë”.
Elseid Hysaj: “Jemi të gjthë bashkë, kështu kemi qenë që ditën e parë të Silvinjos, ky ishte ndryshimi i tij, pasi na bëri të kuptojmë se duhet të besojmë tek njëri-tjetri. Kemi treguar që dimë të luajmë futboll me topin dhe jo si dikur me topa të gjatë. Mund të jetë hera e parë që jemi kënaqur në fushë me ndeshjet që kemi bërë”.
Taulant Seferi: “Me ardhjen e Silvinjos na ka sjellë një frymë të re në ekip me modul të ri, duke njohur të gjithë cilësitë. Na ka bërë një grup të bashkuar. Kemi qenë një, motoja jonë është JEMI NJË. Kjo frymë na ka çuar tek suksesi. Nuk do ta harroj kurrë ndeshjen ndaj Çekisë, pasi dy golat e mi do mbeten në zemrën time. Kemi bërë krenarë kudo shqiptarët”.
Discussion about this post