Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” (pas vdekjes), Komandantin legjendar të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Gjeneral-Major Nexhip Vinçani, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të shquar në mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe tërësisë territoriale të shtetit shqiptar.
I dalluar për guximin, përkushtim dhe aftësi drejtuese gjatë LANÇ-it, si njëri prej luftëtarëve të parë të njësiteve dhe çetave partizane, deri komandant ushtarak i Brigadës IV Sulmuese.
Për cilësitë e spikatura në fuqizimin e modernizimin e ushtrisë shqiptare, për kurajën qytetare dhe mbështetjen e proceseve demokratike, si dhe njëri ndër themeluesit e Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të LANÇ-it”.
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar familjarëve, bashkëluftëtarëve dhe anëtarëve të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të LANÇ-it, Kryetari i Shtetit u shpreh:
“Jam i lumtur të jemi së bashku në këtë ceremoni solemne të dekorimit të Gjeneral Nexhip Vinçanit, një prej figurave më të ndritura të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por dhe një prej drejtuesve ushtarakë më të aftë në fuqizimin dhe modernizimin e ushtrisë shqiptare.
Gjeneral Vinçani ka qenë përherë, në kohën dhe në vendin e duhur, në çdo betejë dhe përpjekje për të mbrojtur lirinë e shqiptarëve dhe pavarësinë e Atdheut.
I lindur në një familje të dëgjuar luftëtarësh e patriotësh, si bir i atdhetarit të shquar Kahreman Vinçanit ai u përkund, u mbrujt dhe u edukua me dashurinë për popullin, për vatanin dhe aspiratën shqiptare për liri.
Jeta e tij është një kronikë heroike përpjekjesh dhe përkushtimi për atdheun.
Që në hapat e parë të arsimimit të tij në Liceun e Korçës, në Shkollën Mbretërore Ushtarake dhe gjimnazin e Shkodrës, i riu Nexhip Vinçani premtonte të bëhej një patriot i shquar në mbrojtje të kulturës, traditave dhe të identitetit kombëtar.
Formimi tij atdhetar dhe shoqëria me bashkëmoshatarë të tjerë antifashistë si Qemal Stafa e Sadik Bekteshi, e vendosi në krye të lëvizjeve antifashiste.
Ndaj, edhe pse ishte student në Romë ai iu përgjigj kushtrimit të Atdheut.
Që në fillim të pushtimit Nexhipi së bashku me të atin, vëllezërit dhe të gjithë të afërmit e tyre rrëmbyen armët dhe u përfshinë në luftën e madhe patriotike kundër pushtuesve nazi-fashistë.
Është e vështirë të përmblidhet në një përshëndetje veprimtaria luftarake, betejat dhe kontributi i Nexhip Vinçanit në epopenë e çlirimit të vendit.
Gjeneral Nexhip Vinçani ishte një luftëtar i sakrificave vetëmohuese dhe një drejtues ushtarak i talentuar, me burrëri e cilësi të rralla për karakterin e tij.
Pjesëmarrja si delegat në Konferencën e Pezës e rrit dhe më tej figurën dhe personalitetin e tij!
Si Komandant i Përgjithshëm i Shtabit të Qarkut të Korçës, ai ngriti dhe udhëhoqi në beteja mbi dhjetëra çeta e brigada partizane në krejt atë trevë të shquar.
Ai do të njihej më tej në gjithë Shqipërinë, nga Jugu në Veri si Komandant legjendar i Brigadës IV Sulmuese.
Komandant Vinçani mori pjesë në 255 ditë luftime. Ai udhëhoqi me sukses luftimet partizane në operacionet e Dimrit e të Qershorit të vitit 1944, dhe hyri fitimtar në Tiranën e lirë si Zëvendëskomandant i Shtabit për çlirimin e kryeqytetit.
Të nderuar të pranishëm, komandantët e vërtetë njihen në luftë e në furtuna, por edhe nga karakteri i pathyeshëm dhe idealist!
Pas çlirimit, Gjeneral-Major Vinçani do t’i përkushtohej artit ushtarak, forcimit e modernizimit të ushtrisë tonë. Ai do të shquhej për ekspertizën e lartë, respektimin e figurës së ushtarakut, si dhe aftësinë e veçantë drejtuese për të ruajtur të paprekur territorin e Republikës së Shqipërisë.
Por me sa duket këto vlerat, atdhetarizmi dhe kontributi Nexhip Vinçanit në çlirimin e vendit dhe fuqizimin e Ushtrisë sigurisht që i bënin hije dikujt dhe ashtu edhe si shumë figura të tjera të shquara të Luftës Antifashiste, dhe më pas edhe të ushtrisë sonë, edhe ai u persekutua për t’u burgosur padrejtësisht.
Vendosja e demokracisë bëri që Gjenerali i nderuar të integrohej e të zinte vendin e merituar në hierarkinë e vlerave shoqërore.
Në një nga përvjetorët e Brigadës IV gjenerali u kthye përsëri në Korçë, u prit me shumë dashuri e respekt si dikur nga banorët, dhe u foli bashkëluftëtarëve të tij si komandanti i tyre i dikurshëm.
Në këto vite, me shokët e tij të luftës, ai të krijoi Organizatën e Bashkuar të Veteranëve LANÇ-it për të mbrojtur idealet e vërteta partizane për liri e demokraci, si dhe për të edukuar brezat e rinj me dashurinë e pastër për Atdheun dhe dëshmorët e tij.
Të dashur familjar dhe veteranë, heronjtë e vërtetë duken më të mëdhenj me kalimin e viteve!
Ndaj sot jemi mbledhur për të vlerësuar Gjeneral Nexhip Vinçanin me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, për të gjitha meritat e shquara të tij, në organizimin e drejtimin LANÇ-it, për forcimin e Ushtrisë shqiptare, dhe si luftëtar i përhershëm i lirisë dhe i demokracisë!
Ky nderim është njëkohësisht vlerësim për gjithë luftën, vetëmohimin dhe përpjekjet e bijve më të mirë të këtij vendi për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri më të mirë por edhe shprehje respekti për të gjithë ata të cilët mbeten me jetën e tyre një simbol i integritetit dhe i dinjitetit tonë si shqiptarë!”