Mjekja Nada Daullja ka shpallur kandidaturën në procesin e primareve që po zhvillon Partia Demokratike në Bashkinë e Vlorës. Në një deklaratë nga selia blu, Daullja shprehet se ka vendosur që të futet në garë pasi respekton procesin qe bazohet në vullnetin e qytetareve.
Mjekja tha se e respekton vullnetin që do të dalë nga vota e demokratëve. Ajo shton se Vlora nuk është më ajo që ka qenë që pas transformimit të sheshit të Flamurit, të cilit sipas saj i ka humbur identiteti.
Deklarata:
Une jam Nada Daullja. Prej 7 vitesh mbaj detyren e nenkryetares së Partisë Demokratike, dega Vlorë. Kam mbaruar Mjekësi dhe e ushtoj prej vitesh profesionin në qytetin tim, në sherbim te komunitetit. Aktualisht po kryej specilizimin ne fushen e Psikiatrisë. Unë sot shpall kandidaturën time në primaret e Partisë Demokratike.
Vendosa te hyj ne garen e Primareve, duke qene se respektoj procesin qe bazohet ne vullnetin e qytetareve. Te jesh pjese e nje gare te tille është një leksion politik. Nuk ka rendesi cilia kandidat fiton, sa kohë fryma qe percjellim dhe serioziteti i garës dhe konkurencës janë të mirëfillta, një gjë e munguar, të paktën te kundërshtari ynë politik, që prej vitesh bën emërime dhe shkarkime sipas tekave. Kjo është një risi qe ofron Partia Demokratike dhe unë jam krenare për këtë.
Kushdo fiton në Primare eshte i barabarte me atë qe merr më pak vota, sepse në finale qëllimi është i njëjtë:
bashkimi i të gjithëve për për të mundur kundërshtarin politik, armikun e votës së lirë dhe të dërguarit e tij part-time në Vlorën tonë. Ne këtë kuadër, të gjithë së bashku kemi një vend në historinë e primareve, në historinë e Partisë Demokratike, në historinë e pluralizmit politik shqiptar. Të gjithë së bashku, mund të bëjmë secili të vetën, per ti thene te keqes Ndal! Vendosa të hyj në garën e primareve, jo për partinë time, por për qytetin tim dhe njerëzit e tij. Kam parë gjith këto vite se si kryeministri dhe njerëzit e tij kanë bërë gjithcka për t’i zhbërë identitetin, që nga sheshi i Flamurit e me radhë. Vlora pa kujtimet dhe vendet e kujtimeve nuk mund të jetë Vlora jonë.
Jo pak vlonjatë e kanë parë jetën jashtë qytetit të tyre, në Tiranë apo në emigracion. I respektoj thellësisht zgjedhjet dhe vendimet e tyre, por kam patur brenda vetes një gjë që më bënte pak më vlonjate se të tjerët: nuk e kam menduar kurrë ikjen nga ky qytet, pavarësisht se nuk ka qenë e lehtë. Dashuria për vendin, për familjen, për theksin e pazëvendësueshëm të natyrës dhe të së folurës vlonjate, më më ka mbajtur këtu. Bashkë për Vlorën! Bashkë për Shqipërinë!
Procesi i primareve në Partinë Demokratike do të përfundojë brenda datës 4 dhjetor, ditë kur do të mbahen votimet. Salvador Kaçaj dhe Ergin Mataj janë dy kandidaturat për primaret e rithemelimit në Bashkinë Lezhë. Deri më tani janë bërë publike disa kandidime. Në Tiranë janë 5 emra: Adriana Kalaja, Belind Këlliçi, Ilir Alimehmeti dhe ish-deputetët Kujtim Gjuzi e Gert Bogdani. Asllan Dogjani prezantoi kandidaturën e tij për Primaret që do zhvillohen për Bashkinë Kamëz bashkë me Shemsi Prençin dhe Arjan Hoxhën.
Ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Fisnik Qosja dhe ish-kryebashkiaku i Kavajës, Isa Sakja, janë dy emrat që kanë depozituar kandidimin për Kavajën. Bardh Spahia kërkon një mandate të plotë në krye të Shkodrës. Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj ka dorëzuar kandidaturën për primare për Bashkinë e Tropojës. Ditën e sotme dorëzoi kandidaturën e saj për bashkinë e Kurbinit dhe Lindita Toma. Ndërkohë për bashkinë e Fierit deri më tani kanë shpallur kandidaturën Artur Mahmutaj, Edvar Kodheli dhe Albano Zhapaj. Ndërkohë për bashkinë e Peqinit ka paraqitur kandidaturën e tij Mustafa Pashja. Ndërkohë ditën e djeshme Spiro Vaso shpalli kandidaturën e tij për bashkinë e Sarandës.
Discussion about this post