Nga Gjon Krasniqi
Aktet vetëflijuese janë ngjarje madhore në historinë tonë kombëtare, aq më tepër në kohët moderne, kur mendohet se legjendat i përkasin së kaluarës dhe shërbejnë vetëm për arkivin e kujtesës dhe historisë. Një legjendë tipike shqiptare bashkëkohore e qëndresës dhe e martirizimit mishërohet në figurën e heroit të luftës së fundit të Kosovës, profesor Bardhyl Çaushit, që pa droje mund ta quajmë një profet i lirisë, ardhur nga bota akademike universitare. Ai mbetet ndër shpëtimtarët e shumëpritur për nesh, udhërrëfyesi e frymëzuesi fisnik i drejtësisë, lirisë e pavarësisë sonë të ëndërruar në shekuj.
Profesor Bardhyl Çaushi lindi më 15 gusht 1936, në fshatin Cermjan të Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesme në Prishtinë. Diplomohet në Fakultetin Juridik të Shkupit, ndërsa studimet pasuniversitare i ndoqi në Zagreb të Kroacisë, ku mbrojti doktoraturën. Në vitin 1969 nisi punën në Gjakovë si këshilltar gjyqësor, ku pas një përvoje juridike dhe në Pejë, rikthehet në Gjakovë si kryetar i Gjykatës Komunale. Në fillim të vitit ‘90 profesor Bardhyl Çaushi zgjidhet kryetari i parë i Shoqatës së Juristëve të Kosovës. Ai ishte njëherësh i përfshirë në lëvizjen për faljen e gjaqeve. Etika, morali dhe atdhedashuria e tij u dëshmuan me vepra. Në bashkëpunim me liderin ndërmjetësues të faljes së gjaqeve, prof. Anton Çetën, studentë e miq intelektualë, si Don Lush Gjergji, Mulla Xhevat Kryeziu, prof. Zekeria Cana, shkrimtarin Ramiz Kelmendi e shumë të tjerë, ndihmoi në shërimin e plagës shekullore të gjakmarrjes dhe faljen e gjaqeve midis shqiptarëve në Dukagjin dhe mbarë Kosovën. Veprimtaria e elitës kombëtare në këtë rrafsh binte ndesh me synimet e politikës serbe, që mundohej me çdo kusht të nxiste urrejtje e përçarje të natyrave të ndryshme, me të gjitha mënyrat e mjetet, vetëm e vetëm për të na sunduar ne si shqiptarë dhe për të na lënë nën sundimin serb. Ata që e kanë njohur profesor Çaushin e kujtojnë si një personalitet me tipare të larta atdhetare, jurist i njohur dhe dijetar i spikatur i fushës së drejtësisë, pedagog i Fakultetit Juridik të Prishtinës etj. Ai rreshtohet me elitën e jurisprudencës së Kosovës, profesorë të shquar si Gazmend Zajmi, Zejnullah Gruda, Rifat Osmani, Esat Stavileci, Ejup Statovci etj. Kishte njohuri të gjithanshme dhe artikulonte në mënyrën më të mirë në auditorët universitare për edukimin e brezave të shumtë studentorë. Pas peripecive të shumta që kishte pasur në proceset e emancipimit nacional, juridik dhe politik të Kosovës, ishte një ndër figurat më karizmatike të saj.
Rrëfimin historik e jetësor të profesor Bardhylit lirshëm mund ta përqasim me personazhet biblike të profetëve, pasi sakrifica e tij i tejkalon tregimet e vjetra mbi urtinë, trimërinë, qëndresën dhe vetëflijimin. Ai, në historinë tonë të re, në ndërgjegjen liridashëse shqiptare, është ngulitur si një kult që simbolizon shqiptarinë dhe ringritjet ciklike shqiptare pas rënieve të shumta. Përmes sakrificës sublime për t’i shërbyer vendit dhe popullit të tij, iu përgjigj kushtrimit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në kundërvënie të ushtrisë famëkeqe të kryekriminelit Milosheviç. Profesor Bardhyli vinte në betejën çlirimtare pas një përvoje të gjatë studimore e hulumtuese në fushën e drejtësisë. Në veçanti nxirrte mesazhe nga e drejta romake, titullar i së cilës ishte në Fakultet etj. Si një analist i thellë në lëmet e mendimit juridik, ai u përfaqësua me plot artikuj studimorë, si mbi të drejtën e parablerjes, mbështetur në traditën zakonore shqiptare, kontratën e dorëzanisë, huasë etj. Besën dhe fjalën e dhënë ai i shihte si vazhdimësi të traditave iliro-dardano shqiptare.
Si shumë të tjerë, edhe unë si mik i tij, pata nderin që ta njoh mirë prof. Bardhyl Çaushin në kohët më të vështira të okupimit serb të viteve ‘80 e ‘90. Ai asnjëherë nuk e ndali hovin dhe përkushtimin e tij për atdheun dhe lirinë e Kosovës, prandaj edhe thoshte: “Të flijohesh për atdheun e vendin tënd është hyjnore e profetike”. Me zërin e tij të matur dhe qortues për padrejtësitë që ndodhnin me shqiptarët, me fjalën përmbajtjesore, argumentuese dhe bindëse, në kërkim të rrugës së drejtë të çlirimit të popullit të tij, Bardhyl Çaushi u përfshi edhe në politikën kosovare, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, si bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, ku ushtronte detyrën e kryetarit të LDK-së në degën e Gjakovës.
Ishte janari i vitit 1999, muaj i ftoftë që nuk mbahej mend, por ishte shpresa e lirisë, vullneti dhe vendosmëria për ta mbërritur atë një orë e më parë, që na bënte të mos e përfillnim as motin. Ky fat i mirë më ka ndjekur edhe mua, falë dhe njohjes me Afrim Batallin, i cili kishte një rreth shumë të gjerë miqsh nga të gjitha fushat: shkencore, kulturore dhe të botës politike e ekonomike. Të premten e 22 janarit 1999 shkuam në zyrat e firmës ”Çabrati” në Gjakovë‚ ku Faton Palloshka ishte drejtor i kompanisë. Në ato rrethana, krejtësisht të pafavorshme për sigurinë tonë fizike, kishim lënë takim një grup veprimtarësh: afaristi Afrim Batalli, prof. Bardhyl Çaushi, juristi Qazim Axhemi, ishzyrtar i Kuvendit të Gjakovës dhe unë, autori i këtyre radhëve, që vija nga një zonë mjaft e rrezikshme e Luftës, siç ishte Nepolja e Lugut të Baranit, duke marrë parasysh se bijtë e saj ishin të angazhuar në UÇK, ku dhuna serbe po shtohej gjithnjë e më shumë në atë zonë të Dukagjinit. Ishin kohëra tejet të vështira për t’u takuar, sepse si sot e mbaj mend imazhin e qytetit të Gjakovës, i cili i ngjante një qyteti fantazmë pa asnjë lëvizje nëpër rrugë. Një qytet i vdekur, me njerëz të gjallë brenda. Të krijohej imazhi se në qytet kishte rënë mortaja dhe se njerëzit ishin bërë të huaj për qytetin e tyre. Kudo kishte lëvizje të makinerisë ushtarake serbe dhe qytetarët ndiheshin në ankth në çdo moment. Rrallë shihje ndonjë automjet transportues publik dhe numri i dyqaneve të hapura numërohej me gishta. Çarshia e Madhe kishte ndaluar ritmin e jetës dhe muret e tyre sikur vajtonin për jetën e gjallërinë e dikurshme.
Ne ishim mbledhur të diskutonim mes nesh me dëshirën për të kontribuar dhe ndryshuar atë realitet lufte e për ta kthyer në favorin tonë. Biseda sillej dhje rreth mundësisë së intervenimit aleancës euro-atlantike në Kosovë, pasi rrethanat gjeopolitike ishin në favor të shqiptarëve. Afrim Batalli shprehu besimin që NATO do të ndërhynte për me e çlirua Kosovën, përndryshe askush nuk mund ta ndalë barbarinë serbe. Fjala shkonte sa te njëri te tjetri. E sigurt është që liria do të vijë kësaj here, tha profesor Bardhyl Çaushi, duke argumentuar se Reçaku do bëhet kauzë e lirisë sonë dhe e zhveshjes së maskës serbe në botë. Fshehja e krimeve nga ana e tyre, që e bëjnë këtë gjë tash një shekull, nuk do pijë ujë më në opinionin botëror, sepse bota demokratike me SHBA në krye e ka kuptuar se ka ardhur koha që të marrin fund padrejtësitë ndaj shqiptarëve. Ne si shqiptarë kemi përparuar në mendësi e diplomaci, por më së shumti do të na mbrojë e drejta jonë dhe gjaku i derdhur në shekuj. Shqiptari nuk është më skllav i të huajit, por farkëtar i fatit të tij, sepse tani libri e pushka janë bërë një. Edhe Evropa diplomatike e dikur e mureve të ftohta ka filluar ta kuptojë realitetin tonë historik dhe po i qëndron në krah krijuesit e ruajtësit të paqes në botë, SHBA–së. Mendoj se koha e shqiptarëve ka ardhur dhe se mbi atë pirg të vuajtjeve shekullore mileniumi i ri do na gjejë prapë në tryezën e kombeve të lira…
Ky ishte diskursi ligjërimor atdhetar i profesorit të mirënjohur, i cili na la edhe një fjalë testament brezash, sepse edhe ai kishte dilemat e tij: “Më mirë është me vdekë duke shpresuar tanë jetën në liri, sesa të zhgënjehesh nga liria e vetja jote”. Ishte një dialog mes miqsh, që nga dhimbja për vendin e kombin debatonim për këso lloj temash ekzistenciale, sikur ta kishim ne fatin e lirisë në duart tona. Në fakt flisnin zemrat dhe zëri i gjyshërve tanë të vuajtur. Profesor Bardhyli vijoi me ligjërimin e tij të thekshëm: Amerika është panteoni i lirisë në botë dhe goditja e saj është e rrufeshme, por ajo e ka mat shtatë herë e pre njëherë. Ajo e ka njeriun e vet këtu ambasadorin Wiliam Wokër dhe fjalët e tij plot pikëllim mos mendo se nuk kanë shkuar në veshët e atyre që e kanë dërguar. Kosova do të vuajë, por do të bëhet shkak i lirisë së Ballkanit.
Atë pranverë lufta ishte në kulmin e saj. Militarët dhe paramilitarët serbë u futën në lagjen Çabrat të Gjakovës, ku ishte dhe shtëpia e profesor Bardhyl Çaushit, i vunë flakën lagjes dhe ai mbeti i vrarë më 10 maj 1999. Profesori ra heroikisht nga dora gjakatare serbo çetnike, pati përpjekje që ngjarja e rëndë të fshihej e humbej pa gjurmë, por falë trysnisë së faktorit ndërkombëtar Serbia u detyrua që të zbardhë rastin dhe të identifikojë kufomën e profesor Bardhylit, ku pas gjashtë vitesh, në 2005-ën, u soll dhe u varros me nderim për t‘u prehur në varrezat e dëshmorëve të atdheut në qytetin e Gjakovës. Heronjtë e Kosovës martire do të kujtohen nga të gjitha breznitë, duke u përulur me respekt të madh para veprës së tyre. Profesor Bardhyl Çaushi është dekoruar me “Medaljen e Artë të Pavarësisë”, me “Medaljen e Artë Mësues i merituar” dhe me “Medaljen e Artë Presidenciale të Meritave”, ku edhe njëra nga rrugët kryesore të qytetit të Gjakovës është pagëzuar me emrin e tij, me të cilin ne do ta kujtojmë për jetë e mot, me mendje e zemër, si një personalitet i kauzës kombëtare të lirisë dhe pavarësisë. Vepra heroike e misionare e martirëve të Kosovës duhet të na shërbejë për të punuar më shumë e më mirë për integrimin europian, ndërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke pasur në krye figura atdhetare dhe njerëz idealistë, për të cilët janë të papranueshëm krimi, korrupsioni, hajnia e nepotizmi.
Discussion about this post