Në nisje të një konference me gazetarët këtë të enjte, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të aktores së madhe Margarita Xhepa. Në një konferencë për gazetarët, ai e cilësoi Xhepën si artisten më përfaqësuese të skenës shqiptare për disa dekada. Sipas Berishës, ajo shndriti në qindra role me talentin dhe forcën e saj të jashtëzakonshme të interpretimit. Ai e vlerësoi Xhepën si një nga artistet më të dashura dhe më të çmuara të Shqipërisë. Në shenjë respekti, Berisha ftoi të gjithë të mbajnë një minutë heshtje në nderim të saj.
Lideri i Partisë Demokratike ka kritikuar ashpër gjendjen e kulturës shqiptare, duke e cilësuar atë më keq se në çdo periudhë pushtimi të mëparshëm. Berisha tha se mafia politike në pushtet ka çuar në shkatërrimin e infrastrukturës kulturore të vendit, duke theksuar se ky është një sulm ndaj trashëgimisë kombëtare dhe artit. Ai shpjegoi se buxheti për kulturën është qesharak, ndërsa artistët janë lënë të braktisur dhe pa mbështetje. Berisha e kritikoi ashpër edhe veprimtarinë artistike të Kryeministrit Edi Rama, duke i kujtuar atij vlerësimet negative të marrë për veprat e tij artistike në arenën ndërkombëtare, ku janë quajtur ‘shkarravina të një adoleshenti të droguar’. Sipas tij, pasuria kulturore e Shqipërisë është në rrezik të humbasë për shkak të partneriteteve shkatërruese dhe ndikimeve mafioze.
Në konferencën me gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha ka prezantuar programin për artin dhe kulturën, duke theksuar se një nga prioritetet e qeverisë së ardhshme do të jetë themelimi i një Ministrie të Posaçme për Kulturën. Ai ka garantuar se buxheti për kulturën do të dyfishohet dhe do të ndërmerren masa për lehtësimin e taksave mbi librin, për të mbështetur më shumë krijimin dhe përhapjen e librit shqiptar. Berisha ka theksuar gjithashtu se, pas 12 viteve në harresë, kultura dhe arti do të kenë një trajtim të ri dhe më të merituar, duke garantuar një reformë të thellë në sektorin e kulturës dhe artit. Berisha ka nënvizuar se krijimi i një ministrie të dedikuar për kulturën do të sigurojë një administrim më të fuqishëm, meritokratik dhe transparent të institucioneve kulturore. Po ashtu, ka premtuar një transformim rrënjësor të legjislacionit dhe mbështetje të plotë për artistët dhe krijuesit, duke i trajtuar ata si thelb të identitetit kombëtar shqiptar.
Kryetari i Partisë Demokratike premtoi rikthimin e Teatrit Kombëtar në vendin e tij të mëparshëm. Ai paralajmëroi sipërmarrësit që po ndërtojnë në truallin e teatrit se godina aktuale do të shembet për t’i lënë vendin një ndërtese identike me atë të mëparshme. Berisha akuzoi qeverinë për shkelje të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje.
Lideri i demokratëve, premtoi gjithashtu mbështetje për kinematografinë dhe institucionet kulturore, duke premtuar financim për filmat shqiptarë dhe bashkëpunimet ndërkombëtare. Sipas tij, qeveria e ardhshme do të angazhohet për të ndryshuar kornizat ligjore dhe për të transformuar situatën dramatike të kulturës në vend. Berisha deklaroi se do të miratohet një status i veçantë për artistët dhe shkrimtarët, duke garantuar mbrojtjen e tyre sociale dhe ekonomike. Ai siguroi se qeveria e tij do të jetë një mbështetje e fuqishme për artin dhe kulturën, duke i rikthyer dinjitetin dhe perspektivën.
Kryedemokrati Sali Berisha ka njoftuar se, pas 11 majit, qeveria e Partisë Demokratike do të fillojë negociata të hapura dhe transparente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen e tarifave. Ai theksoi se Shqipëria ka përfituar deri tani tarifa më të ulëta se vendet e tjera dhe se çështja e tarifave është një çështje globale që kërkon një qasje të balancuar dhe paanshme. Berisha u shpreh optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje që do të favorizonte prodhimin dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, duke nënvizuar rëndësinë e ‘Made in Albania’ si një drejtim strategjik për ekonominë e vendit. Ai gjithashtu shtoi se, në rast se fitojnë besimin e qytetarëve, negociatat do të jenë një prioritet i menjëhershëm pas 11 majit.
Në konferencën me gazetarët, Berisha ka shprehur qëndrimin e tij në lidhje me projektin për ndërtimin e një Biblioteke të Re Kombëtare, duke hedhur poshtë idenë e Edi Ramës për ndërtimin e një ‘kulle’ për këtë qëllim. Ai ka theksuar se Shqipëria ka nevojë për një bibliotekë moderne dhe funksionale, pasi infrastruktura aktuale është e kufizuar dhe nuk mund të mbështesë nevojat e rritura për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Berisha kritikoi rikonstruksionin e sheshit që solli përmbytjen e Bibliotekës Kombëtare dhe humbjen e mijëra vëllimeve të çmuara, duke kërkuar përgjegjësi për këtë dëm të madh. Ai garantoi se qeveria e ardhshme e PD-së do të ndërtojë një bibliotekë dinjitoze, por duke përjashtuar çdo ide për ndërtimin e kullave, që sipas tij, nuk janë të përshtatshme për funksionet e një institucioni të tillë.
K kreu demokrat Berisha ka komentuar edhe lajmin për hakerimin e adresave te e-mailit te prokurove të SPAK. ‘Shumë operacion i dyshimtë, të jemi të sinqertë, i dyshimtë aq sa ishin statuset në Facebook të Erion Veliajt. Ta ndjekin’. ‘Një gjë mund të ju them, që qytetarët po kuptojnë çdo ditë e më shumë kontrollin fatal të drejtësisë nga Edi Rama, kjo është e vërtetë dhe për ne kjo ka rëndësi’, the lideri i opozitës.
Berisha ka denoncuar në një konferencë për gazetarët manipulimin e provave të krimit që bën policia. Sipas tij, në 83% të rasteve, dosjet nuk dorëzohen në prokurori, duke dëshmuar një bllokim të qëllimshëm të drejtësisë nga qeveria. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për urdhërimin e këtij mekanizmi, duke ndaluar institucionet të bashkëpunojnë me prokurorinë. Ai sulmoi ashpër drejtuesit e policisë, duke i cilësuar si mbrojtës të krimit dhe përgjegjës për fshehjen e dosjeve. Sipas tij, ministri i Brendshëm dhe zyrtarë të tjerë janë vënë në shërbim të manipulimeve politike. Berisha ngriti shqetësimin se kriminaliteti është në rritje, ndërsa shteti po bllokon hetimet për interesa të pushtetit. Ai akuzoi edhe drejtorin e Policisë së Shtetit, duke e quajtur ‘Ilir Matrixin’, që sipas tij është vendosur aty për të mbrojtur krimin dhe për të fshehur dosjet.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e quajtur atë ‘meme e gjallë’, për mashtrimet dhe trillimet që sipas tij kanë tejkaluar çdo kufi. Në daljen për media këtë të enjte, ai theksoi se Partia Demokratike ka qenë lokomotiva e proceseve integruese të Shqipërisë që nga vitit 1992, duke përmendur realizime të rëndësishme si anëtarësimi në NATO, heqjen e vizave dhe marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Berisha e akuzoi Ramën për vonesat në procesin e negociatave me Bashkimin Europian dhe theksoi se misioni i integrimit do të realizohet nga qeveria e PD-së, duke siguruar qytetarët se ky proces do të bazohen në merita dhe transparencë.










Discussion about this post