Një grup hetimor, i drejtuar nga prokurori i Elbasanit, Xhelian Seferi, i shoqëruar nga një furgon policie, kanë mbërritur paraditen e kësaj të enjteje në ambientet e kompanisë publike, “Eco-Elb”, e cila menaxhon landfillin dhe incerenatorin e mbetjeve. Aksioni i sotëm ka të bëjë me një hetim të dytë të nisur nga Prokuroria e Elbasanit, rreth një viti më parë, bazuar në referimet e përcjella nga Drejtoria vendore e Policisë, pas identifikimit të shtimit të rasteve të djegies së pakontrolluar të mbeturinave.
Për momentin mbeten ende të paqarta se çfarë veprimesh po kryhen nga grupi hetimor ditëmn e sotme në landfillin e Elbasanit dhe a kanë arritur hetimet në fazën e lëshimit të urdhër-arresteve.
Procedimi penal është regjistruar fillimisht për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës me zjarr” dhe “Ndotjes së ajrit”, por ky hetim është zgjeruar edhe më tej, ku në qendër të verifikimeve për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv”, është vendosur bashkia e Elbasanit dhe shoqëria “ECO Elb”.
Landfilli dhe inceneratori (jo-funsional) i Elbasanit menaxhohen prej vitit 2021 nga kompania publike “Eco-Elb”, e administratuar nga Leli Kaja.
Përgjatë kësaj periudhe, inceneratori i djegies së mbeturinave ka funksionuar vetëm pak orë, pasi impianti ka probleme të theksuara teknike. Ndërkohë, fusha e mbetjeve është e ezauruar dhe zjarret e përfshijnë herë pas here, duke lëshuar tym toksik në të gjithë qytetin e Elbasanit.
Për të kryer funksionet e saj, “Eco-Elb” ka lidhur një kontratë shërbimi me subjektin privat “Ergi” shpk. Kjo e fundit ka për detyrë që të kryejë menaxhimin e mbetjeve në landfill dhe ndarjen e tyre sipas llojit. Ekzistojnë dyshime se shoqëria “Ergi” nuk e ka kryer shërbimin e kontraktuar. Prokurorët e kanë ngritur këtë dyshim, bazuar në kqyrjen e situatës në terren dhe, sidomos, analizave mbi rastet e zjarreve.
Discussion about this post