Prokuroria e Tiranës ka nisur kërkesën për ekstradimin e Dritan Rexhepit, i cili u arrestua pak ditë më parë në Stamboll.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka përcjellë në Ministrinë e Drejtësisë dokumentacion me qëllim paraqitjen e kërkesës për ekstradim nga Turqia në Shqipëri të shtetasit Dritan Rexhepaj. Ky shtetas, është shpallur në kërkim ndërkombëtar në janar 2014 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në kuadër të ekzekutimit të një vendimi të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që e ka shpallur Dritan Rexhepajn fajtor për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, të kryer në bashkëpunim, “vrasjes me dashje”, të kryer në bashkëpunim, dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, të parashikuara nga nenet 79/c-25, 76-25 dhe 278/2 të Kodit Penal”, thuhet në Njoftimin e Prokurorisë.
Akuzat në Shqipëri
Dritan Rexhepi, deri në vitin 2010 rezultonte i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy policëve në Krujë në bashkëpunim me dy persona të tjerë. Por 4 vjet më parë çështja gjyqësore u veçua. Rexhepi u dënua me 25 vjet burg, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij, Sokol Halilaj e Shefqet Seferi, me nga 20 vite burg. Dosja Dritan Rexhepin, i njohur edhe me emrin Gramoz, u veçua pasi ky shtetas ndodhej në burg në Itali dhe u dërgua një letër-porosi atje.
Ky ka qenë një nga shkaqet pse Apeli ktheu për rigjykim dosjen, pasi Rexhepi duhej lajmëruar në Itali për gjyqin në ngarkim të tij, ndërsa ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykata pa u vënë në dijeni se po gjykohej. Gjykata ka shpallur fajtor për vrasjen e trefishtë të ndodhur në vitin 1999 Sokol Halilajn dhe Shefqet Seferin, bashkëpunëtorë të Dritan Rexhepit në këtë krim.
Seferi ka qenë si ndërmjetësues mes dy vlonjatëve, Halilaj e Rexhepi, të cilësuar edhe vrasës me pagesë. Të tre këta persona akuzohen për vrasje për shkak të detyrës të dy efektivëve të policisë, Arben Keqin dhe Durim Kasmin, në vitin 1999 në Krujë. Në ngjarje, rastësisht u vra dhe pronari i një lokali në Krujë, Raim Bakiasi.
Interpoli: Katër shtete hynë në aksionin për kapjen e shqiptarit
Zyra qendrore e Interpolit në Lion të Francës ka vlerësuar rolin e Policisë shqiptare dhe Interpol Tiranës në arrestimin e identifikimin e një prej personave më të kërkuar, shtetasit shqiptar Dritan Rexhepi. Në faqen zyrtare të Interpolit jepen detaje të operacionit “Infra Red” gjatë të cilit u arrestua Dritan Rexhepi në Ekuador. “Arrestimi dhe identifikimi i një prej personave më të rrezikshëm dhe të kërkuar është një kredit për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit të përfshira. Kjo demonstron efektivitetin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe nënvizon vlerën e shërbimeve dhe mjeteve globale të Policisë dhe të Interpolit”, ka deklaruar drejtori Ekzekutiv i Shërbimeve të Policisë në Iinterok, Jean- Michel Louboutin.
Ai ka përshëndetur edhe hapin e rëndësishëm të marrë nga autoritetet shqiptare në evidentimin e Rexhepit si shënjestër në operacionin “Infra Red”. “Autoritetet në Shqipëri, Belgjikë, Ekuador dhe Itali janë për t’u lavdëruar për rolin e tyre në bashkëpunim me zbatimin e ligjit në mbarë botën për të sjellë para drejtësisë një individ të kërkuar në nivel ndërkombëtar për vepra penale shumë të rënda”, ka drejtori Louboutin. Ende nuk është përcaktuar se ku do të ekstradohet fillimisht Dritan Rexhepi: në Shqipëri, ku kërkohet për vrasjen e dy policëve, në Itali, që po ashtu veç një krimi të rëndë është arratisur edhe nga burgu, në Belgjikë ku kërkohet për drogë, në Spanjë për grabitje, apo në Britaninë e Madhe, që e kërkon për shfrytëzim prostitucioni. Megjithatë, këtë çështje Interpoli e cilëson si më të thjeshtën për t’u zgjidhur, pasi më i rëndësishëm se gjithçka ishte arrestimi i Dritan Rexhepit.
Tri arratisjet nga Shqipëria, Italia e Belgjika
Mediat spanjolle u hapën me një kryeartikull në korrikun e vitit 2011, ku e cilësonin Dritan Rexhepin “mbret” të arratisjeve. Gazetarët në Spanjë shkruan disa ditë rresht për shqiptarin e kërkuar, pasi ai realizoi grabitjen e një prej bankave më të mëdha në Barcelonë, mbrëmjen kur gjithë tifozët gjendeshin në shesh duke festuar fitoren e Champions League nga Barcelona.
Policia vendase u trondit nga mënyra se si i kryenin grabitjet e bankave shqiptarët, ndërsa i etiketoi si “grabitësit që nuk linin gjurmë”. Pas arrestimit Rexhepi u ekstradua në Belgjikë, ku kërkohej për trafik të lëndëve narkotike. Por nuk qëndroi më shumë se dy muaj në qeli, pasi në tetor të vitit 2011 ai u arratis nga burgu bashkë me një tjetër të dënuar.
Por kjo nuk ishte arratisja e parë e tij, ndaj edhe cilësohej si mjeshtër i arratisjeve. Në vitin 2008 ai kishte kryer një tjetër arratisje spektakolare nga burgu i Pavias në Itali. Rexhepi merr makinën e një të moshuareje dhe zhduket, duke bërë që i gjithë personeli i burgut të shkarkohej. Por të njëjtën gjë e kishte bërë edhe në Shqipëri. Pasi u arrestua në hollin e një hoteli në Tiranë me dy pistoleta në brez në vitin 2006, Rexhepi u arratis nga Komisariati i Durrësit, pas një ndihmese nga radhët e policisë, që i lanë derën hapur.
Discussion about this post