Prokurorja Edlira Bako e Prokurorisë së Elbasanit pati një seancë pa telashe të hënën më 14 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Gjatë seancës dëgjimore, ajo dha shpjegime vetëm për një balancë negative në shumën 231 mijë lekë të konstatuar në njërin prej viteve të deklarimit. Bako mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe profesionalzimin, si dhe u konfirmua në detyrë rreth një orë pas përfundimit të seancës dëgjimore.
Procesi i vetingut për prokuroren Edlira Bako u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Alma Faskajn. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i panishëm Tonci Petkovic.
Edlira Bako e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar si prokurore deri në 2003-in, kur u emërua si inspektore pranë Ministrisë së Drejtësisë. Në vitin 2014, Bako është emëruar në krye të Drejtorisë së Inspektimit të Gjyqësorit dhe Prokurorisë dhe prej vitit 2019, e ushtron funksionin si prokurore e Prokurorisë së Rrethit Elbasan.detyre
Komisioni nuk ka gjetur probleme në dy apartamente të deklaruara nga subjekti se janë përfituar nëpërmjet privatizimit nga familja e saj e origjinës dhe ajo e bashkëshortit ne qytetet e Memaliajt dhe Tepelenës, ku bashkëshortët Bako zotërojnë përkatësisht 1/5-at dhe ¼-at pjesë takuese.
Po ashtu, nuk janë gjetur probleme në llogaritë e pagave, si dhe në deklarimin e një gjendje cash 200 mijë në deklaratën “veting”.
Nga verifikimi i burimeve për këtë kursim, është kryer analiza financiare për periudhën kur Baku ka ushtruar detyrën si inspektore në Ministrinë e Drejtësisë, deri në 2014-ën, nga ka rezultuar se ajo ka pasur burime të ligjshme për kryerjen e shpenzimeve dhe një gjendje cash 500 mijë lekë.
Ndërkohë, në vitin 2015 ka rezultuar balancë negative për mbulimin e shpenzimeve, në shumën 231 mijë lekë.
Prokurorja Bako vërejti se në vitin 2016 kishte deklaruar se gjendja cash 500 mijë lekë ishte shpenzuar gjatë tre viteve, konkretisht në vitet 2014, 2015 dhe 2016. Sipas saj, balanca negative mbulohet me burim të ligjshëm, që është pjesa e cash-it 500 mijë lekë, e shpenzuar në 2015-ën.
Bako këmbënguli se mospasqyrimi në mënyrë speficike i shpenzimit të gjendjes cash mund të jetë pasaktësi ose harresë, por kurrësesi një fshehje. “Nëse do të konsiderohet kjo rrethanë nuk do të dali balancë negative”, theksoi Bako.
Subjekti dhe bashkëshorti i saj kanë rezultuar se kanë pasur mundësi për blerjen e një autojmeti tip “Ford” në vlerën 250 mijë lekë. Nuk janë gjetur probleme edhe për detyrimet, tre kredi, një në vlerën 500 mijë lekë dhe dy nga 800 mijë lekë, si dhe për të ardhurat e deklaruara se janë përfituar nga një aktiviet privat i bashkëshortit, që aktualisht rezulton si pezulluar.
Çiftja pohoi se edhe nga verifikimi i adresave të deklaruara nga subjekti nuk është gjetur ndonjë indicie. Bako mori vlerësimn pozitiv për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Sipas relatores, për dy kallëzime penale të kryera ndaj Bakos është vendosur mosfillimi i hetimeve. Ndërkohë, ndaj saj nuk janë kryer ankesa apo denoncime nga publiku.
Prokurorja Edira Bako falënderoi Komisionin për hetimin e kryer dhe pasi dha shpjegimet për balancën e vetme negative të konstatuar, kërkoi konfirmimin e saj në detyrë.
Komisioni u tërhoq dhe shpalli në orën 11.30 vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurores Edlira Bako./BIRN
Discussion about this post