Protestat e studentëve dhe të rinjve kundër qeverisë së Edi Ramës kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, përfshirë edhe gazetën prestigjioze amerikane “The New York Times”. Në një artikull të publikuar më 17 tetor, me titull “Çfarë duhet të dini për protestat e dhunshme në Shqipëri”, media amerikane e vendos në fokus valën e demonstratave që ka përfshirë vendin dhe pakënaqësinë në rritje ndaj qeverisë.
Në përshkrimin e artikullit, The New York Times evidenton bashkimin e protestave studentore për arsimin me pakënaqësitë më të gjera të qytetarëve për rritjen e kostos së jetesës dhe projektin turistik luksoz të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.
Ajo që nisi si një lëvizje kundër projekteve turistike në zonat e mbrojtura bregdetare është shndërruar në një valë protestash me kërkesa politike dhe sociale. Studentët kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar kushtet në universitete, kostot e arsimit dhe mungesën e perspektivës për të ardhmen, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protestat janë shoqëruar me përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe forcave të policisë, përdorim të gazit lotsjellës, ujit me presion dhe plumbave të gomës, si dhe dëmtime të pronës publike e private.
Edhe agjencia ndërkombëtare Reuters ka raportuar për përshkallëzimin e protestave, duke evidentuar se lëvizja studentore është përhapur përtej Tiranës dhe se demonstruesit kërkojnë largimin e Ramës nga pushteti.
Ndërkohë, kryeministri ka refuzuar thirrjet për dorëheqje, duke argumentuar se trazirat rrezikojnë aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Jehona në mediat ndërkombëtare vjen në një moment kur protestat kanë hyrë në një fazë të re, me studentët dhe të rinjtë që vijojnë të kërkojnë ndryshime politike dhe institucionale në vend.
gijotina.com/









Discussion about this post