Shtatori ishte i trazuar: Më shumë se 200 australianë u arrestuan gjatë protestave në të gjithë qytetin e Melburnit dhe një zonë e përkohshme e ndalimit të fluturimit u shpall mbi qytet. Plumba gome dhe gaz lotsjellës u lëshuan nga policia tajlandeze kundër një turme të zemëruar. Punonjësit e kujdesit shëndetësor u sulmuan në Kanada. Në të gjithë Holandën u organizuan mitingje me mbi 150,000 njerëz.
Pandemia ka përkuar me një rritje të protestave në të gjithë globin. Gjatë 18 muajve të fundit, njerëzit kanë dalë në rrugë në Indi, Jemen, Tunizi, Eswatini, Kubë, Kolumbi, Brazil dhe Shtetet e Bashkuara. Projekti për Vendndodhjen e Konflikteve të Armatosura dhe të Dhënave të Ngjarjeve raporton se numri i demonstratave në nivel global është rritur me 7 përqind nga 2019 në 2020, pavarësisht kufizimeve të vendosura nga qeveritë dhe masave të tjera të krijuara për të kufizuar tubimet publike.
Çfarë e shtyn këtë pakënaqësi ndërkombëtare?
Disa ekspertë argumentojnë se është vetë pandemia. Njerëzit në vendet më të varfëra po protestojnë për mungesën e vaksinave dhe të pajisjeve mbrojtëse personale, ndërsa ata në vendet më të pasura kundërshtojnë shkeljet e perceptuara të lirive civile.
Por protestat e vazhdueshme në vendet e varfra dhe të pasura nuk mund të shpjegohen thjesht si reagime ndaj pandemisë. Prania e revoltave të njëkohshme në vendet me një gamë të gjerë të niveleve të të ardhurave, llojet e qeverive dhe rëndësisë gjeopolitike tregon për një zhgënjim më të thellë: humbjen e besimit në kontratën shoqërore që formon marrëdhëniet midis qeverive dhe popullit. E thënë thjesht, qeveritë e sotme duken të paafta për të ofruar një qeverisje përfaqësuese dhe efektive. Qytetarëve të zakonshëm u ka ardhur në majë të hundës.
Rritja e protestave në nivel global në fakt ka filluar shumë kohë para pandemisë. Pas rënies ekonomike të vitit 2008, demostratat masive – duke përfshirë Occupy Wall Street dhe Pranverën Arabe – bënë thirrje për një ridimensionim themelor të kontratës ekzistuese shoqërore pas Luftës së Ftohtë midis qeverive dhe popullit. Që nga shpallja që bëri Presidenti George HW Bush për një rend të ri botëror në 1990, kjo kontratë është bazuar kryesisht mbi idenë se politikat e bazuara në ekonominë e tregut do të çonin në prosperitet dhe paqe globale.
Por kriza financiare e vitit 2008 hodhi dritë mbi të metat e kësaj kontrate sociale. Si në natyrën politike ashtu edhe në atë ekonomike, protestat pasuese kërkuan që qeveritë të respektojnë të drejtat themelore të qytetarëve dhe të trajtojnë hendekun në rritje midis atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë. Në të gjithë botën, udhëheqësit autoritarë dhe demokratë iu përgjigjën krizës financiare me politika më neoliberale, të tilla si kursimi fiskal dhe privatizimi i shërbimeve të sektorit publik – politika që vetëm sa nxitën më tej zemërimin popullor.
Ky zhgënjim është përhapur sot me të ashtuquajturat Protesta Covid. Ndonëse shumë demostrata përdorin në mënyrë eksplicite si justifikim pandeminë, shqetësimi më i madh dhe latent është paaftësia e qeverive moderne për t’i shërbyer shumicës së popullsisë së tyre, veçanërisht klasave të mesme dhe më të varfra. Ky dështim është bërë i dukshëm nga numri në rritje i monopoleve, rritja e fuqisë politike të korporatave, rritja e pareshtur e pabarazisë ekonomike dhe politikat që po përkeqësojnë ndryshimet klimatike. Pasi Presidenti Iván Duque i Kolumbisë u përpoq të rishikojë sistemin e kujdesit shëndetësor në prill dhe të aplikojë taksa të reja pavarësisht rritjes së pandemisë, pati demostrata masive dhe bllokime përgjatë të gjitha autostradave kryesore për javë të tëra. Siç shpjegon një i ri aktivist për BBC: “Nuk ka të bëjë thjeshtë me një reformë tatimore, apo reformën në sistemin shëndetësor dhe të gjitha ligjet e tjera. Janë njerëzit ata që po shfaqin pakënaqësinë që kanë ndjerë për një kohë të gjatë.”
Keqpërdorimi i Covid është vetëm shkelja e rradhës.
Në fillim të pandemisë, ekspertët debatuan nëse do të ishin demokracitë apo autokracitë ato që do të ishin më mirë të pajisura për tëa menaxhuar krizën. Nëntëmbëdhjetë muaj më vonë, është e qartë se të dyja kanë luftuar. Demokracia, të paktën në formën e saj dominuese neoliberale, i jep përparësi të drejtave të individëve dhe korporatave duke injoruar nevojat themelore të grupit shoqëror. Qeveritë autoritare – edhe në vendet me sisteme të fuqishme të mirëqenies – nuk mund të përgjigjen në mënyrë efektive pa nxitur pakënaqësinë popullore për shkak të mbështetjes në forcë për të siguruar pajtueshmërinë.
Kjo është arsyeja pse Afrika e Jugut, dikur një model i demokracisë neoliberale e tani e zhytur në korrupsion, dhe Kuba, një shembull i autoritarizmit të mirëqenies që fillimisht e mbivlerësoi përgjigjen e saj ndaj Covid, kohët e fundit janë përballur me sfida thelbësore për udhëheqjen e tyre.
Çarjet në kontratën shoqërore nuk janë asgjë e re. Por ndryshe nga herët e kaluara, kur aktivistët i shtynin fuqitë koloniale dhe pastaj ato komuniste të imagjinonin një strukturë të ndryshme shoqërore, kësaj rradhe nuk ka alternativa të mira, dukshme të afta për të sfiduar konsensusin neoliberal aktual.
Kthimi në status quo-në para-Covid globalisht nuk është një opsion. Pandemia është në thelb një sfidë sociale. Çdo sfidë shoqërore kërkon një përgjigje kolektive dhe çdo ndërmarrje kolektive kërkon besim. Në shumë vende, besimi në qeveri është tronditur nga udhëheqësit të cilët besojnë në zgjidhjet e bazuara në ekonominë e tregut në dëm të shumicës së qytetarëve. Një studim i Pew Research tregon se besimi i amerikanëve në qeverinë e tyre ka rënë në 24 përqind nga një mesatare prej 54 përqind që ishte në 2001.
Besimi publik është ende i lartë në disa demokraci të pasura me programe të fuqishme të mirëqenies sociale si Zelanda e Re dhe vendet nordike. Qeveritë atje me të drejtë janë lavdëruar për përgjigjen e tyre ndaj Covid-it dhe janë përballur me pak protesta. Por edhe vendet më të varfra ku besimi tek qeveria është i lartë, si Bangladeshi dhe Vietnami, apo shteti indian i Kerala-s, kanë arritur rezultate më të mira dhe kanë parë më pak trazira sesa homologët e tyre të përqendruar në ekonominë e tregut. Veçanërisht, Vietnami dhe Kerala janë larguar nga politikat ekonomike neoliberale.
Besimi shoqëror është një gjë e çmuar. Mund të duhen breza për t’u ndërtuar, por mund të humbasë në një çast. Dhe kështu protestat ka të ngjarë të vazhdojnë kudo që ai besim mbetet i ulët, ose për shkak të një përgjigjeje jo të duhur ngaj Covid-it ose krizave të tjera si ndryshimi i klimës, institucioneve politike jofunksionale dhe lakmisë së korporatave.
Pandemia ka nxjerrë në pah një shkëputje midis qeverive dhe qytetarëve të tyre. Këta të fundit tani kërkojnë një botë tjetër, më të drejtë. / Nga Zachariah Mampilly
*Zachariah Mampilly është profesor në Shkollën Marxe të Marrëdhënieve Publike dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Qytetit të Nju Jorkut. Ai është bashkautor i “Kryengritja e Afrikës: Protestat Popullore dhe Ndryshimet Politike”.