Më shumë se 2.5 milionë metra katror ndërtime të reja i janë shtuar këtë vit Shqipërisë, ku pjesa më e madhe i përket bumit të ndërtimeve në Tiranë. Edhe pse ndërtimet po shtohen nga dita në ditë, çmimet kundër logjikës së tregut vijojnë të rriten.
Në çdo rrugë të kryeqytetit shtohet nga një ndërtim vazhdimisht, duke e kthyer vendin në një kantier ndërtimi, pamje që tregon se ka një ofertë të lartë për banesa çka duhet të përkthehet edhe në çmime më konkurruese, por në Shqipëri ndodh e kundërta. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë çmimi i banesave vjet në rang vendi u rrit me 39.2%, ku vetëm në Tiranë rritja ishte me 39.5%.
“Për Tiranën, çmimet mesatare janë rritur kryesisht në zonat qendrore dhe periferike, në të cilat është raportuar edhe numri më i lartë i shitjeve gjatë periudhës”, thuhet në raport.
Shtrenjtim të madh kanë pësuar edhe pronat në bregdet pasi agjentët raportojnë çmime deri në 60% më të larta se në 2021. Për shkak të rritjes së çmimeve më shumë se gjysma e pronave të shitura është blerë me kredi, ndërsa në vitin 2021 vetëm 30% e pronave të shitura u blenë me hua bankare.
Ndërkohë që vihet re rritje e trendit për ti blerë ndërtesat në vend shtetas të huaj, që kryesisht janë nga vendet jashtë Bashkimit Evropian. Kjo dukuri nuk reflektohej në shitjet e shtëpive në vitin 2021. Pavarësisht ndërtimeve të shumta çmimet nuk pritet të ulen, madje të dhënat flasin për pamundësi edhe më të lartë për tu bërë me shtëpi gjatë këtij viti e në vijim. Vetëm 4% e agjentëve imobiliar të pyetur nga Banka e Shqipërisë deklarojnë se do të ketë rënie të çmimeve.
Mungesa e trojeve, rritja e çmimit të truallit nga pronarët, taksat e larta (e infrastrukturës, taksa strehimit etj), kërkesat për më shumë hyrje nga pronarët e truallit, çmimet e materialeve të ndërtimit apo rritja e pagave të punonjësve që ti mbajnë në punë janë disa nga shkaqet që evidentojnë ekspertët e tregut si shkaktarë të rritjes së çmimeve.
“Ne si treg imobiliar u bë vite që po përballemi me rritje të çmimeve, i ndikuar edhe nga kostot e ndërtimit dhe që më pas do të reflektohet edhe tek çmimi i banesës. Në moment që shtrenjtohen apartamentet e reja, rriten edhe ndërtimet e vjetra pasi kush nuk përballon blerjen e një apartamenti me 2000 euro metri katror, do të shkoj tek ato që janë më lire. Kjo gjë sjell rritjen automatikisht të çmimit të tyre pasi rritet kërkesa”, shprehet eksperti i pasurive të paluajtshme Ervin Demirxhiu, nga Perla Real Estate.
Nga ana tjetër ky sektor vazhdon të shtojë fitimet dhe investimet. Bazuar në të dhënat e INSTAT, në vitin 2021, të ardhurat totale të këtij sektori ishin në rekord historik prej 329 miliardë lekëve, duke u rritur me rreth 20%.
Po ashtu në të njëjtin vit është regjistruar rekord edhe për numrin e kompanive të reja te hapura në këtë sektor. Në fund të këtij viti ishin gjithsej 5035 ndërmarrje që operonin në sektor. Me ritme të shpejta kanë ecur edhe investimet e sektorit.
A ka monopol, a mund të ndërhyjë shteti në uljen e çmimeve?
Në vitin e kaluar Autoriteti i Konkurrencës pohoi se do të niste një studim të tregut për të parë nëse ka abuzime në çmime apo nëse ka devijime të tregut, që cenojnë konkurrencën dhe shkelin ligjin.
Por edhe pse ka kaluar një vit, ende nuk ka asnjë publikim apo njoftim mbi këtë studim, dhe ende nuk dihet nëse pati realisht një iniciativë të tillë nga ky autoritet për të parë nëse ka devijime në tregun e ndërtimeve që po rritet me shpejtësi.
Gjatë vitit të kaluar Konkurrenca hapi një hetim për tregun e çimentos në korrik, ndërsa në fund të vitit 2022 u hap një tjetër hetim për tregun e prodhimit dhe tregtimit të betonit në qarqet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, për të vlerësuar nëse ka kufizim të konkurrencës pasi më herët ishin konstatuar që gjatë vitit të shkuar të gjitha ndërmarrjet kishin rritur në të njëjtën periudhë çmimin e lëndës së parë. Hetimi do të përfshijë periudhën janar 2020 deri në fund të 2022.
Praktikisht gjatë vitit të shkuar ky institucion duket se u përqendrua vetëm tek lëndët e para dhe jo tek çmimi final që paguan qytetari për të blerë një banesë.
Por a ka dijeni Autoriteti i Konkurrencës se në rrjetet sociale kompani të shitjes së pasurive të patundshme po vënë tavane të çmimeve?
Lehtësisht në faqet online të disa real Estate mund të gjesh çmimet e caktuara prej tyre, me të cilat pronarët mund të shesin banesat e tyre. Çmimi tavan minimal i përcktuar është 900 euro metri katror që përfshin periferinë e Tiranës. Pavarësisht se nuk ka një vlerë maksimale shifrat e bëra publike nga vetë agjencitë flasin për shifra 2500-3000 euro metri katror nga zona e Liqenit të Tiranës apo ish Bllok, dhe deri në 4000 euro metri në qendër të Tiranës ku përfshihet Myslym Shyri, Rrug Kavajës dhe ajo e Durrësit.
Në këtë rast pyetja që ngrihet për Autoritetin e Konkurrencës, a flitet për bashkërendim të sjelljes mes kompanive apo kartel përsa kohë dalin me reagime publike duke vënë tavanet e çmimeve?
Ndërtimi ‘streha’ e parave të pista!
Thuajse të gjitha raportet vendase dhe të huaja e vënë në krye të listës ndërtimin si një nga sektorët më rriskun më të lartë për të pastruar paratë e pista. Banka Botërore ka kërkuar monitorim të sektorit, e njëjta gjë është përsëritur edhe nga FMN. Ndërkohë Shqiperia prej rreth 4 vitesh bën pjesë në listën gri të pastrimit të parave nga Moneyval për shkak të rrezikut që paraqet. Nga ana tjetër një raport i Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në një raport të publikuar theksonte se në Shqipëri pastrohet çdo vit 280–700 milionë euro, duke shtuar se 60% vlerës së përdorur në ndërtime vinte nga rrugë të pista.
Po i njëjti sektor është në krye të listës edhe nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, e cila në raportet e saj ka zbardhur skema se si janë pastruar paratë e pista në ndërtim.
Të gjitha këto raporte konfirmohen edhe nga sjellja e ndërtuesve për të vënë ccmime gjithmonë e më të larta, pasi qëllimi kryesor i tyre nuk është shitja por ligjërimi i parave të paligjshme.
Tirana mes luksit e polarizimit të varfërisë!
Garsoniere me sipërfaqe deri 40 metër katror vështirë të gjesh me lirë se 200 euro, në zona si Astiri, Laprakë, Zogu i zi etj. Apartamentet 1+1 janë mbi 300 euro, vetëm nëse janë të pa mobiluara në periferi mund të gjesh tek tuk deri 250 euro. Ndërsa për 2+1 apo më shumë ccmimet janë 400 euro e lartë.
Duke pare këto çmime tepër të larta përsa kohë më shumë se 65% e shqiptarëve kanë paga më pak se 55 mijë lekë në muaj, është e pamundur që të blesh një shtëpi.
“Qira poshtë 300 euro është shumë e vështirë të gjesh ose nuk gjen fare. Përballemi me klientët tanë vendas që nuk kanë burime të ardhurash nga jashtë, që vijnë duke qeshura ikin duke qarë, prej çmimeve. Tregu i Shqipërisë, apo konkretisht i Tiranës është i palogjikshëm”, thotë eksperti Demirxhiu.
Ndërsa ‘Numbeo’ e konsideron Tiranën ndër qytetet më të shtrenjta të Europës për të jetuar. Sipas përllogaritjeve të Numbeo një familje shqiptare i duhen së paku 17.5 vite për të blerë shtëpi, ndërkohë që në vendin më të shtrenjtë të Evropës, në Paris duhen 20.2 vite.
Discussion about this post