Qysh në nisje të punës së SPAK, deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, ka qenë një kundërshtar dhe pengesë, duke u munduar të kufizojë buxhetin e këtij institucioni. Dukej si një xhelozi për rrogat e larta, por siç po shohim, ky përfaqëson linjën e pushtetit që kërkon ta mbysë reformën në Drejtësi para se të arrijë tek maja e korrupsionit.
Ky njeri tashmë ka marrë rol institucional për këtë qëllim. Krijimi nga mazhoranca i Komisionit të Posaçëm “Antikorrupsion” i gjeti në befasi edhe BE dhe SHBA që janë “prindërit” kujdestar të reformës në drejtësi dhe mbikëqyrin funksionimin e saj.
Çështja alarmoi menjëherë Departamentin e Shtetit. Vetëm 1 javë pasi ky komision nisi punën, zyrtari i DASH, Richard Nepheë, kritikoi ashpër qeverinë për komisionin. Në deklaratën e dhënë për Zërin e Amerikës, theksohet se çfarëdo lloj mekanizmi reforme që paraqitet duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të marrë parasysh aktorët e ndryshëm që ekzistojnë në vend. Gjithashtu, nënvizohet se reformat shtesë duhet të vazhdojnë të ruajnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të sigurojnë që prokurorët të punojnë në mënyrë sa më të pavarur.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbështesin Shqipërinë në përpjekjet e saj për të përmirësuar dhe punuar me veprimtaritë gjyqësore që ekzistojnë dhe për të siguruar që ato organe që ekzistojnë tashmë të jenë sa më të efektshme. Pikëpamja jonë është se çfarëdo lloj mekanizmi reforme, çfarëdo lloj legjislacioni që paraqitet ka nevojë të jetë gjithëpërfshirës dhe ka nevojë të marrë parasysh aktorët e ndryshëm që ekzistojnë në vend, sidomos organizatat e shoqërisë civile dhe të tjerë. Mendoj edhe që duam të sigurojmë që çfarëdo reformash shtesë që bëhen, të vazhdojnë të ruajnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të sigurojnë që prokurorët të vazhdojnë të çojnë çështjet përpara, që të mund ta kryejnë punën e tyre në mënyrë sa më të pavarur dhe të bazohen në fakte”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Richard Nephew, të shpërndarë nga ambasada e SHBA-së në Tiranë.
Ndonëse pa prezencën e opozitës, Komisioni i Posaçëm “Antikorrupsion” ka vijuar punën që prej 14 Qershorit. Në nisje të sesionit të ri parlamentar, Ambasada Amerikane ka deklaruar se do të “vëzhgojë” punën e kësaj strukture, për sa kohë kontribuon në respektimin e Kushtetutës dhe të pavarësisë së institucioneve. Pra, mesazhi është i qartë.
Ditën e djeshme, Ambasadori i BE foli pa dorashka për komisionin “Xhafaj”. Ambasadori Silvio Gonzato e cilësoi rolin e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, si një mundësi të mirë në përpjekjet për parandalimin e korrupsionit dhe mirëqeverisjes.
“Kuvendi krijoi një Komision të Posaçëm me synimin e avancimit të reformave të mirëqeverisje, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit. Kjo është një mundësi për të fuqizuar përpjekjet për parandalimin e korrupsionit, duke përfshirë kështu një sërë aktorësh dhe ekspertësh. Masa të tjera krijohen sigurisht, por është po aq e rëndësishme që të gjithë partnerët në rajon të shmangin veprimet që minojnë përpjekjet antikorrupsion, për shembull dobësimi i transparencës në prokurimin publik, apo akte ligjore të porositura, të cilat anashkalojnë procedurat standarde, apo kufizimin e mandateve të organeve të pavarura antikorrupsion”, deklaroi Gonzato.
E gjithë kjo ndodh në një kohë, që Fatmir Xhafaj u ekspozua sërish para publikut për rolin e tij në dënimin e ish-deputetit Ervin Salianji. Historia e vëllait trafikant droge të dënuar në Itali doli sërish në dritë dhe zyrtarisht opozita ka kërkuar hetimin pasuror ndaj Fatmir Xhafajt në bazë të ligjit Antimafia.
E si mund të pritet të ndreqet Reforma në Drejtësi nga një njeri që ka në shtëpi të dënuarin për trafik droge? Rama mund të kishte gjetur në PS plot njerëz për këtë komision, por përdori Xhafajn që ka llogari të hapura me SPAK. Pra, me një gur vret edhe SPAK edhe vetë Xhafajn!
Në fakt, qëndrimi dinjitoz i Ervin Salianjit dhe kallëzimi në SPAK i Xhafajt i dha fund këtij komisioni. Tashmë të gjitha institucionet e drejtësisë kanë refuzuar pjesëmarrjen në komisionin e posaçëm ‘Antikorrupsion’ të drejtuar nga deputeti socialist Fatmir Xhafaj. Pas SPAK, Gjykatës së Lartë, Kushtetueses dhe ILD edhe Prokuroria e Përgjithshme thotë se nuk do të ulen në tryezën e diskutimit me ekspertë.
“Prokuroria nuk do të marrë pjesë me ekspertë si pjesë të nëngrupit të punës së komisionit, por ka njoftuar komisionin për caktimin e pikave të kontaktit të institucionit sipas fushave përkatëse të ekspertizës”. Kjo ishte goditja e fundit që mori komisioni “Xhafaj”, por nuk ka mbaruar akoma!
Së fundmi, dy fjalë për hetimin pasuror të Xhafajt që është kërkuar nga opozita. Të gjithëve na ka rënë në sy kulla në hyrje të rrugës së Kavajës e quajtur “The Eyes of Tirana”. Kulla në pronësi të biznesmenit dhe njëkohësisht mikut të Fatmir Xhafës, Armand Lilos.
Ky i fundit me kompaninë e tij “Arlis Ndërtim” është një prej biznesmenëve më të mëdhenj të ndërtimit në Tiranë, përfitues i shumë tenderave bashkiakë nga Erion Veliaj me të cilin së bashku me Xhafën kanë kompleksin “Square 21” me kulla të larta.
Sot, Lilo, person me precedentë penalë, i ka shtuar kullës së tij 8 kate pa leje (7 lart + 1 nëntokë), teksa Rama lante gojën duke “denoncuar’ këtë rast.
Kulla supozohej të kishte 24 kate mbi tokë e 3 kate nëntokë, ndërsa me shtesën e re ka gërvishtur qiellin e Tiranës pasi ka shkuar 31 kate mbi tokë e me 4 kate nën tokë.
Çfarë bëri Drejtoria e Pastrimit të Parave para se Rama të jepte leje për ndërtimin e saj? Çdo institucion e di që kulla me vlerë 250 MLN € po ndërtohet me para droge. Qeveria i ka dhënë njeriut të Xhafajt edhe leje të tjera për kulla. Të tilla janë ajo për kompaninë “Unico Construction” të Armand Lilos, i cili mori leje ndërtimi për kullë 25 kate te Komuna e Parisit. “Building Construction Invest” është gjithashtu kompania e blerë nga Armand Lilo, e cila ka marrë leje ndërtimi për kulla te diga e Liqenit.
Ndërsa ministrja Mirela Kumbaro dhe kryeministri Edi Rama, një vit pasi e cilësonte si ndërtues abuzues që kishte verbuar gjyqtarin, do ta nderonte me statusin special të investitorit strategjik.
Kompania “Klais” e themeluar fillimisht nga Altin Cela, kunati i Armand Lilos, në tetor të vitit 2023, me firmë të Edi Ramës merr leje ndërtimi për objektin, “Green Cost Resort 2”, Hotel me 1-2-3-4 dhe 5 kate në Bashkinë Himarë dhe më pas për këtë resort qeveria i dha dhe statusin special, ku sipas vendimit, Armand Lilo nuk do të paguajë për 10 vite tatim fitimin.
Më tej, Armand Lilo bleu edhe 6 milionë euro aksione në një prej bankave të nivelit të dytë, ndërsa në gusht të këtij viti, kompania e tij Armar Grup, u bë pronare e Klubit të Futbollit të Pogradecit. Pas gjithë kësaj perandorie është Xhafaj.
Discussion about this post