Nga Leonard Quku
Sot, si asnjëherë më parë në këto 32 vite pluralizëm, demokracia në vendin tonë është në ditët e saj më të errëta. Agresiviteti i pushtetit është përhapur frikshëm në çdo qelizë të shoqërisë. Ne jemi pjesë e medies dhe arrijmë ta diktojmë kur pushteti po e tepron në atë formë që gjithnjë e më tepër hapësirat tona po ngushtohen. Këtu po hidhen në gjyq gazetarë, kolegët tanë, pse kritikojnë një zyrtar të shtetit, pse kritikojnë një ministër që ka firmosur një tender korruptiv, apo pse kritikojnë kryeministrin për veprimet personale të tij që Shqipërisë po i kushtojnë miliarda euro në arbitrazh.
Syri Tv dhe Syri.net janë target kryesor i kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij prej një kohe relativisht të gjatë. Në pamundësi për të kapur shkelje nga pikëpamja e zbatimit të ligjeve të shtetit, pasi prej muajsh jemi nën sulmin e Drejtorisë së Tatimeve, na janë sulur me padira dhe kallëzime pa thelb thjesht e vetëm pse përcjellim të vërtetën te publiku. Qeveria i frikësohet të vërtetës dhe po bën çmos ta fshehë atë, të paktën deri në 14 maj.
Por si mund ta fshehin gazetarët dhe mediet atë që denoncon biznesmeni italian i plehrave Gabriele Tarroni Longinotti kur thotë se Erion Veliaj mori financime nga Garda Revolucionare e Iranit (këta të fundit të interesuar për pastrim parash pas sanksioneve të amerikanëve) për të ndërtuar inceneratorin dhe se është i gatshëm të dëshmojë përpara prokurorëve të SPAK-ut me kushtin e vetëm që dëshmia të mos jepet në Shqipëri?
A mundet dikush të mos e thotë me zë të lartë se afera e inceneratorëve është vjedhje dhe megaskandal që në një vend normal do t’i hante kokën jo vetëm drejtorëve e ministrave por edhe vetë kryeministrit?
A ka ndonjë gazetar mbi rruzullin tokësor apo media të lirë dhe të pavarur që mund ta fshehë faktin se Edi Rama prej 10 vitesh në pushtet (në gjysmën e mandatit të tretë) nuk ka asnjë bilanc për punë të kryera, projekte të zbatuara, përveç dogmave dhe propagandës së fasadave e kullave të betonit që kanë asfiksuar Tiranën?
A guxon kush të mos ulërijë kur sheh atë që i është bërë Tiranës nga viti 2016 e këtej ku çdo pëllëmbë tokë është kthyer në beton e grataçelë për miqtë e Edi Ramës e Erion Veliajt? E dini sa raste ka në familjet e kryeqytetit me sëmundje të rënda tumorale të cilat lidhen direkt me ndotjen dhe smogun që emeton Tirana? Si mund të heshtim dhe të bëjmë sikur nuk e shohim politikën gjenocidale që po bëhet në katër anët e vendit aq sa periferia, qytete të tëra nga veriu në jug e nga lindja në perëndim po shkretohen? Kjo po zbatohet në terren, fillimisht duke i varfëruar rajonet dhe më pas duke iu hequr shërbimet si ato spitalore e deri te kadastra, prokuroritë, gjykatat e zyrat arsimore e ato të ISSH.
Unë nuk e di nëse ka ndonjë gazetar profesionist apo media të besueshme që mund ta relativizojë skandalin e Edi Ramës me ish-zyrtarin e FBI, Charles McGonigal.
Korrupsioni i kryeministrit shqiptar ka shtrirë tentakulat deri në zyrat e institucionit më të besueshëm për amerikanët, por nga ana tjetër kemi heshtjen e ambasadës amerikane në vendin tonë e cila ka dhënë prova të mjaftueshme se funksionon me dy standarde: pa prova të shpall non grata; dhe kur provat e korrupsionit i ka para syve, nuk i sheh.
Shqipëria nuk është vend i varfër se po të ishte i tillë nuk do shihnim tendera rrugësh me shifra të çmendura prej 7-8 mln euro për 1 km autostradë lineare. Rrugë me këtë çmim nuk ndërton as Amerika dhe as Gjermania. I ndërton Shqipëria sepse paratë devijojnë destinacion fare lehtë, mjafton të nxirren nga buxheti i shtetit.
Mirëpo, për fat për shqiptarët dhe Shqipërinë ka ende shpresë se ndryshimi mund të vijë. Nuk ka moment më të volitshëm për ne si popull dhe komb që në 14 Maj jo vetëm të bëjmë ndryshimin, por edhe t’ua japim një dorë ndihme Edi Ramës e Erion Veliajt. T’i çlirojmë ata nga robëria e korrupsionit dhe projekteve anti-shqiptare. Njërin ta çojmë në shtëpi të nesërmen e 15 majit e kështu shpëton Tirana bashkë me 1 milion banorët e saj dhe tjetrit t’i shkurtohen gradualisht ditët e qëndrimit të pushtet. Prandaj, 14 maji nuk është thjeshtë një ditë ushtrimi demokratik me votën e lirë për demokratët e primareve e shqiptarët e pashantazhueshëm, por edhe një ditë “falje gjynahesh” për Edi Ramën e Erion Veliajn.
Discussion about this post