Nga Fatos Lubonja
Kam qenë një ish-i baraslarguar antisistem, që, në vitin 2015, ka votuar për grupimin rreth Gjergj Bojaxhiut dhe në vitin 2017 për “Librën” e Ben Blushin, me idenë se tri partitë kryesore kishin krijuar një sistem të korrupsionit oligarkik, i cili duhej sfiduar nga parti të reja. Këtë fakt ma kujton sot një pjesë të baraslarguarish, të cilët më kërkojnë një mbështetje që s’mund t’ua jap, pasi kam ndryshuar mendim. Ky shkrim është në vazhdën e shpjegimeve që kam dhënë privatisht dhe publikisht për shkakun se pse kam ndryshuar mendim.
Përgjigjja është shumë e thjeshtë: sepse ka ndryshuar sistemi, çka do të thotë se tjetër gjë është të ishe antisistem deri në vitet 2015-2017 dhe tjetër gjë është të jesh sot antisistem. Le ta shtjelloj çfarë kuptoj me këtë.
Në vitet që përkojnë me mandatin e parë të Ramës, kur ai qeveriste së bashku me Ilir Metën, zhgënjimi me partitë e sistemit e mbylli shpejt ciklin e tij të plotë. Edhe për shumicën e atyre që ushqenin iluzionin se Rama do ta godiste sistemin, u bë e qartë se ai po e kalëronte atë, siç bëri Berisha më 2005 pasi kishte dhënë të njëjtat premtime. Jemi në kohën e fillimit të ikjes së dytë masive të shqiptarëve, që përkon edhe me kohën – midis zgjedhjeve lokale të vitit 2015 dhe atyre të përgjithshme të vitit 2017 – kur një numri jo të vogël njerëzish, ndër të cilët kam qenë pjesë aktive edhe vetë, iu duk se kishte ardhur momenti i krijimit të partive të reja, që do të tërhiqnin zonën gri të të zhgënjyerve drejt marrjes së pushtetit. Por jemi edhe në kohën kur Rama fillon projektin që do të shfaqet hapur në zgjedhjet e vitit 2017 kur hedh parullën se e keqja buron nga të tjerët, që i quan “parti të tepsisë”, dhe kërkon të gjithë pushtetin në duart e veta. Rezultati i zgjedhjeve të vitit 2017 bëri të qartë edhe për më optimistët e të baraslarguarve antisistem se kryepartia e sistemit dhe aleatët e saj oligarkë, si Doshi apo Rakipi, fituan jo vetëm kundër opozitës së sistemit, por edhe kundër të baraslarguarve antisistem.
Teza ime, që shpjegon pse kam ndryshuar mendim, është se që prej asaj kohe hyjmë në një fazë të re të sistemit, i cili ndryshon në mënyrë cilësore karakterin e tij duke e shndërruar në regjim. Personalisht, këtë fazë e kam quajtur shpesh “putinizëm”, “parti shtet”, “tirani të maxhorancës”, duke pasur parasysh një sistem ku maxhoranca, ndryshe nga çka ndodhur deri në 2013, megjithë konsumimin nga pushteti vjen duke u forcuar, kurse opozita vjen duke u dobësuar pa arritur dot më të kryejnë rrotacion. Duke iu referuar një shkrimi të Yuval Hararit të datës 9 mars 2023 me titull “Ajo që po bën qeveria izraelite nuk është një reformë në drejtësi, por një grusht shteti”, do ta quaja sistemin ku jemi edhe një grusht shteti të kryer nga lart.
Harari, nisur nga projekti i Netanyahut për të kryer një reformë në drejtësi, që do t’i japë atij mundësinë e kontrollit mbi të, thotë se ka dy forma grushtesh shteti: ata që nisin “nga poshtë” kur për shembull gjeneralë të etur për pushtet sulmojnë selitë e shtetit me tanke dhe rrëzojnë pushtetarët e radhës; si dhe ata që nisin “nga lart”, kur qeveritë e ardhura në pushtet në mënyrë të ligjshme, fillojnë e përdorin pushtetin për të siguruar përjetësinë e pushtetit.
Është ky lloj grusht shteti nga lart, që, ndryshe nga të parët, nuk kryhet në pak ditë dhe me dhunë, por gradualisht dhe në mënyrë paqësore, që ka projektuar Rama dhe që po e çon drejt realizimit të plotë. Këtë e ka kryer dhe po vazhdon ta kryejë jo vetëm nëpërmjet kapjes të aktorëve më të rëndësishëm të ekonomisë (ku duhet përfshirë edhe krimi i organizuar), të mediave, të shoqërisë civile, por edhe nëpërmjet disa reformave ligjore si: ajo në drejtësi, ajo administrative, ajo zgjedhore, – për të përmendur vetëm ato më kryesoret. Në këtë proces ndryshimi ligjesh, me demek në emër të së mirës së popullit, që kemi parë ta kryejnë edhe liderë autoritarë si Putini, Erdogani, Orbani apo Kazinski, veçanërisht kur flitet për reformën në drejtësi, duhet përmendur edhe kapja dhe përdorimi i ndërkombëtarëve nga Rama. Madje, kjo duhet theksuar në mënyrë të veçantë pasi ata kanë shërbyer si legjitimues dhe si financues të këtij grushti shteti me aktorë kryesorë më herët ambasadorin amerikan Donald Lu dhe atë të BE-së, Romana Vllahutin, dhe më pas me ambasadoren amerikane Yuri Kim dhe atë të BE-së, Soreca.
Si rezultat i këtij grushti gradual shteti, sot nuk jemi më në sistemin që kemi pasur deri në vitin 2015-2017, por në një regjim, që ka instaluar një lloj gjendjeje të jashtëzakonshme, që sipas Ramës duhet të zgjasë derisa ai të pastrojnë përfundimisht të keqen – retorikë tipike kjo e diktaturave, ku pastrimi i së keqes identifikohet me eliminimin e kundërshtarëve politikë dhe gjendja e jashtëzakonshme jo vetëm nuk mbaron kurrë, por sa vjen e rëndohet. Për rrezikun e kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme ka paralajmëruar edhe Komisioni i Venecias kur kritikonte reformën tonë në drejtësi, duke u shprehur për vetingun se “një zgjidhje e tillë radikale do të ishte e pavend në kushte normale” dhe se “si çdo masë e jashtëzakonshme (ajo) krijon rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga forca politike që kontrollon procesin”. (shih për këtë edhe shkrimin tim të janarit 2016 “Draftkushtetuta e një grushti shteti” (http:// perpjekja. blogspot.com/2016/01/draftkushtetuta-e-nje-grushti-shteti.html))
Shkurt, situata e krijuar që kur ka nisur ky grusht gradual shteti nuk është më ajo e viteve 2015-2017, kur e mendonim rrotacionin si diçka të garantuar dhe synonim që ky të sillte në pushtet forca të reja. Sot jemi në një regjim që po punon në mënyrë gjithnjë e më agresive për eliminimin e kundërshtarëve sa duke ndryshuar ligje, aq dhe duke shkelur i pacenuar nga drejtësia që ka kapur ligjet që kanë mbetur ende pa ndryshuar. Prandaj, të jesh antiregjim sot nuk është e njëjta gjë me të qenit antisistem dje.
Se ç’do të thotë të jesh antiregjim sot, mjaft të shohësh se çfarë ndodhi këto ditë në Izrael, ku, për të mbrojtur demokracinë e kërcënuar nga reforma në drejtësi e Netanyahut, u bashkuan kundër tij jo vetëm krejt opozita, por edhe shoqëria civile, edhe Presidenti i vendit, Isaac Herzog, deri dhe ministra të qeverisë si ai i Mbrojtjes Yoav Gallant, dhe ku, më në fund, u shpall edhe një grevë e përgjithshme që e detyroi Netanyahun ta ngrijë reformën në drejtësi.
Ndërkaq, te ne, po të ndjekësh diskursin e të baraslarguarve antisistem, do të dallosh se shumica e tyre, me vetëdije apo pa vetëdije, e injorojnë këtë grusht shteti gradual që ka ndodhur dhe vazhdojnë të pretendojnë se jetojmë në të njëjtin sistem si të paravitit 2013. Po të vesh re, këta nuk e përdorin fjalën regjim. Sipas tyre, rrotacioni në Shqipëri nuk ndodhi pas 8 vjetësh, siç kishte ndodhur më parë, jo sepse Edi Rama ndryshoi pabesisht ligjin elektoral duke eliminuar koalicionet, as sepse duke shkelur i pacenuar nga drejtësia ligjin, kishte ngritur një sistem të tërë patronazhistësh, që është ende në veprim (rreth 900 000 vetë) për të gjuajtur votues, as sepse, gjithë duke shkelur i pacenuar ligjin, kishte shpërndarë tendera e dëmshpërblime tërmeti në kohë fushate, as sepse kishte vënë në veprim për shantazhim dhe blerje votash bandat e krimit të organizuar të mbrojtur nga prokurorët dhe policët e shtetit, por sepse opozita, duke qenë pjesë e sistemit, nuk i frymëzon njerëzit për ta përmbysur atë me votë.
Kur flas për të baraslarguarit kam parasysh disa kategori syresh, kufiri midis të cilëve nuk mund të ndahet prerazi. Kam parasysh të baraslarguarit e rremë: ata që e kanë kthyer këtë në një biznes personal e shfaqen në prag të zgjedhjeve për t’i hequr vota opozitës së sistemit, dhe që pastaj zhduken për t’u rikthyer në prag të zgjedhjeve të tjera; kam parasysh ata që e bëjnë sepse besojnë vërtet se jemi në vitin 2015 nga mungesa e instinktit politik, apo pse u është errësuar ky nga ambiciet për protagonizëm; të tjerë që besojnë edhe pas skandalit Mac Gonical se ndërkombëtarët nuk do ta lejojnë ndërtimin e një diktature në Shqipëri. Ka edhe një kategori të baraslarguarish që e përdorin fjalën regjim dhe janë kundër tij, por që nuk kërkojnë bashkimin e të gjitha forcave që janë në opozitë për të ndalur të keqen, pasi urojnë rritjen e saj deri në atë pikë saqë regjimi të rrëzohet nëpërmjet një dhune ndëshkuese popullore. Ndër të baraslarguarit duhen futur edhe më të këqijtë e të këqijve: indiferentët, për të cilët Ajnshtajni thotë: “Bota është një vend i rrezikshëm, jo për shkak të atyre që bëjnë vepra të liga, por të atyre që rrinë e shikojnë dhe nuk bëjnë asgjë”.
Në fakt, të gjithë këta së bashku, aktivisht apo pasivisht, po punojnë bash për të kundërtën e atij bashkimi që na tregoi shoqëria izraelite kur ndjeu se po i kërcënohet gjëja themelore, mbi të cilën qëndrojnë të gjithë: demokracia. Pa mënjanuar edhe rolin e opozitës së sistemit në këtë që po ndodh, do të thosha se, me vetëdije apo pa vetëdije, të baraslarguarit po punojnë për shkatërrimin e çdo bashkimi nëpërmjet çorientimit, ndarjes, përçarjes të njerëzve në sa më shumë pjesë. E gjitha kjo shkon në favor të parimit përça dhe sundo që përdor Rama për të çuar përpara grushtin e tij të shtetit deri në eliminimin e plotë të kundërshtarëve, përfshirë edhe të baraslarguarit që duket e kanë harruar (apo nuk e kanë mësuar kurrë) atë thënien e priftit gjerman Marin Niemöller: “Në fillim morën romët dhe unë u kënaqa sepse ata ishin hajdutë. Pastaj morën hebrenjtë dhe unë nuk fola sepse më dukeshin antipatikë. Pastaj morën homoseksualët dhe u çlirova, sepse më bezdisnin. Pastaj komunistët dhe unë nuk thashë gjë se nuk isha komunist. Një ditë erdhën e më morën mua dhe nuk kishte mbetur më kush të protestonte”.
Discussion about this post