Lediona Asabella, punonjëse sociale në Gjimnazin ‘Besnik Sykja’ në Tiranë, është shprehur se është përhapur një trend i ri te gjimnazistët, të cilët bëhen grupe nga 10 veta dhe marrin shtëpi me qira ditore, ku konsumojnë lëndë të ndryshme narkotike.
Komentet Asabella i bëri në emisionin ‘Review’ në Euronews Albania, ku tha se kjo metodë e bën më të vështirë që ata të kuptohen nga prindërit apo të afërmit që po konsumojnë drogë.
Ajo tha gjithashtu se në këto raste prindërit janë në vështirësi nëse duhet t’i lejojnë ose jo, duke menduar se nëse nuk i lejojnë të shkojnë në këto ambiente, do i ndajnë nga shoqëria.
“Gjimnazistët përveçse vijnë me ato bebet e syrit që janë fare të papërqëndruar dhe që zyshat i kuptojnë dhe thonë ‘shiko se filan nxënës e shikoj të shpërqëndruar dhe ka ndryshim të sjelljes’. Ajo që vë re është se një trend i ri i të rinjve sot është që të marrin ambiente me qira, kur e kanë mundësinë ekonomike.
Bashkohen 10 veta dhe e bëjnë festën në një ambient të mbyllur ku dikush i sjell këto karamele dhe të gjitha gjërat dhe nuk kuptohet shumë. Pra sado të jetë prindi i vëmendshëm, ajo nuk tregtohet lirshëm. Ajo vjen në forma të ndryshme. Marrin një shtëpi me qira, mblidhen 20 veta. Aty mund të qëndrojnë një natë. Prindi është në atë dyzimin, ‘ta lej, mos t’ja prish, se grupi e kërkon, gjithë grupi shkon, nuk po e lë vetëm’.
Kjo është e njëjta gjë me telefonin që thonë ‘t’ja blej se gjithë grupi e ka’ dhe fillon varësia. Ajo që më kanë thënë është se është shumë trend sëfundmi. Marrin një ambient, ose vilë që është larg që Policia të ndërhyjë dhe i marrin këto ambiente dhe si fillim i nisin këto gjëra”, tha Asabella.
“Drogë me paketime karamelesh…” Ja nga çfarë duhet të kemi kujdes!
Florida Tilki, specialiste për Hetimin e Narkotikëve në policinë e Tiranës tregoi në emisionin Review në Euronews Albania se llojet e drogave që po qarkullojnë dhe konsumohen sidomos nga të rinjtë në kryeqytet janë nga më të ndryshmet dhe më të çuditshmet.
Një prej këtyre drogave të sekuestruara nga policia gjatë operacionit mbarëkombëtar ‘Tempulli’ ështw droga e quajtur LSD në formën e paketimit me letra të animuara me qëllim kamuflimin, ndaj mund të jetë rrezik potencial për më të vegjlit. Ajo tregoi se një paketim i kësaj lloj droge përmban 250 doza dhe konsumohet duke grisur një copë të vogël nga letra me paketim të animuar dhe duke e vendosur poshtë gjuhës. Efektet në organizëm mund të jenë shumë të rrezikshme pasi ka përbërje kimike.
Një tjetër lloj droge që qarkullon është i ashtuquajturi kanabis xhelatinoz që vjen nga Kanadaja, me paketim ë formë karamelesh.
Ky kanabis, shpjegoi specialistja, ka THC të lartë me vetëdije të kriminelëve për të rritur fuqinë e kësaj lëndë narkotike, THC është substanca që ka fuqinë më të madhe psikoaktive te bima e kanabisit.
Drogat haluçinante, kokaina, heroina
Mjekja toksikologe Esmeralda Thoma ka treguar në emisionin ‘Review’ në Euronews Albania efektet e drogave të ndryshme, si kokaina, heroina, metamfetamina, si dhe të drogave haluçinante si kërpudhat, LSD dhe Ketamina.
Thoma tha se heroina futet në grupin e drogave depresive, ndërsa kokaina dhe metamfetamina në grupin e drogërave psikostimuluese, të cilat sipas saj japin te njeriu eufori dhe entuziazëm.
Ndërsa drogat haluçinante sipas saj kanë si efekt humbjen e sensit real të vendit dhe kohës.
“Personat me mbidozë kokaine zënë vendin e parë që paraqiten në Urgjencë, pas atyre që paraqiten nga alkooli. Numri i rasteve që vijnë në urgjencë nga alkooli është shumë i lartë. Kokaina zë vendin e dytë. Mbidozimet me kokainë ose rastet e varësisë nga kokaina. Përsa i përket heroinës, metamfetaminës dhe kokainës, heroina i përket një grupi të caktuar drogërash, që janë drogëra depresive, ndërsa kokaina dhe metamfetamina janë drogëra psikostimuluese.
Që do të thotë heroina jep në momentin e parë të konsumimit një lloj euforie, e cila zhduket shumë shpejt pastaj dhe problemet që vijnë më pas janë ato të frenimit apo reduktimit të të gjitha funksioneve të trupit, duke nisur nga sistemi nervor qëndror dhe më poshtë. Ndërsa drogërat psikostimuluese janë drogëra që kanë efektin e shtimit të madh të euforisë, entuziazmit. Pra janë drogëra eksituese.
Çdo sistem i trupit është i përshpejtuar. Truri reagon më shpejt, ata janë gjithë kohës duke folur, duke lëvizur. Ka rritje të tensionit arterial. Dhe në fakt në rastet e mbidozimeve me këto dy drogëra, vdekja vjen si pasojë e infarktit të miokardit, pra nga ngarkesa e madhe që i ushtrohet zemrës, ose nga aksidentet vaskolare, që vijnë si pasojë e ngushtimit të enëve të gjakut.
Nëse flasim për LSD, Kërpudhën, Ketaminën, këto janë një tjetër grup drogërash, që janë drogëra haluçinante. Këto humbasin senset reale të vendit, të hapësirës. Kanë disa lloje perceptimesh. Sensi që u kalon diçka nëpër trup, ose shikojnë ose dëgjojnë gjëra jo të vërteta”, tha Thoma.
/Euronews Albania/
Discussion about this post