Ish-deputeti Ervin Salianji, ka komentuar sërish takimet e tij me qytetarët demokratë dhe nëse ai synon të jetë kryetar i Partisë demokratike.
alianji është shprehur se “nuk ka asgjë të keqe që dikush të ketë ambicie për të kandiduar, pasi kjo e çon partinë përpara”, por theksoi se takimet e tij me demokratët nuk kanë këtë qëllim.
“Unë jam duke dëgjuar demokratët. Ku është këtu përçarja? Vijmë te elementi tjetër, nëse dikush do kishte ambicie për të kandiduar, ambicia çon përpara, ça problemi ka? Vetëm e shëndosh një parti, sepse e fut në konkurrencë”, tha ai i ftuar në Euronews Albania.
Ai shtoi se synimi i tij është që PD të jetë parti fituese dhe se nuk ka shpallur asnjë platformë për të qenë në krye të partisë.
“Kjo nuk duhet të quhet përçarje. Unë po kërkoj që PD të jetë parti fituese, duke vendosur disa parime. Ku po kërkoj unë ndonjë gjë? Kam shpallur unë ndonjë gjë? Kam shpallur ndonjë platformë se si do të jetë apo si e bëj unë? Unë jam duke dëgjuar demokratët. Ku është këtu përçarja?
Vijmë te elementi tjetër, nëse dikush do kishte ambicie për të kandiduar, ambicia çon përpara, ça problemi ka? Vetëm e shëndosh një parti, sepse e fut në konkurrencë. Parimi është ky, lista e PD-së ishte përfaqësuese apo jo?
U zbatua normat statutore që më të votuarit të jenë në listat e deputetëve? Marrëdhënien e kam me demokratët dhe mendimet e mia do të vazhdoj ti them, ato që janë bindjet e mia,” tha Salianji.
Salianji sqaroi dhe qëllimin e turit të tij të takimeve me demokratët ku tha se qëllimi është bashkimi i PD-së për të pasur një parti fituese.
“Nuk duhet të pajtohemi me logjikën që të marrim disa deputetë dhe të rrijmë në opozitë. Nga zgjedhjet në zgjedhje ne po shkojmë në gropë. Të mos ta them unë këtë tani? Këto takime po tregojnë dhe e kanë vendosur PD-në në një tjetër ritëm. Kjo lëvizje i ka arritur disa qëllime, PD është zgjuar nga kjo lëvizje. Ajo ka vendosur një lloj konkurrence. Çfarë dëmi ka PD nga kjo? I ke parë, kanë filluar të dalin të gjithë. A dolën njerëzit në terren? A kemi një rizgjim të PD? A e tha zoti Berisha që do të kemi një ndarje të funksioneve në Kuvendin Zgjedhor, të grupit parlamentar nga partia? Disa elemente pozitive i ka prodhuar. Vëmendja a ka shkuar te PD? Nuk ka çfarë frike të ketë PD nga lëvizja jonë, por të shikojë a qëndrojnë këto që po themi ne? Unë nuk jam për rrogë, e kam për detyrim të lëviz dhe jo të rri. Njerëzit që marrin rrogë i fryjnë ndasive, këta që paguhen me rrogë nga demokratët. Ne duhet të kthejmë meritën, të bëjmë hapjen e partisë. Unë kam sakrifikuar edhe lirinë, të tjerët punën, bizneset. Ne jemi PD, ne kemi sakrifikuar, jo ata që kanë përfituar”, tha Salianji.
Duke iu përgjigjur gazetares Mirela Milori për vëmendjen që mori pjesëmarrja e tij dhe e Ilir Alimehmetit në protestë, ai tha se nuk ka pse të jetë lajm, pasi “ne jemi në Partinë Demokratike”.
Salianji u shpreh se nuk është gjë e re pjesëmarrja e tij në protesta, pasi, sipas tij, ka qenë në të gjitha protestat e PD-së dhe do të jetë kudo në organizimet e PD-së dhe opozitës, pasi ai dhe Alimehmeti janë pjesë e PD-së.
Ai tha se “u takova me disa deputetë, por me zotin Berisha jo”.
“Ne jemi në PD, i jemi nënshtruar vendimmarrjeve kolegjiale të partisë. Kjo është një protestë që zyrtarisht quhet Foltore, pavarësisht që unë mendoj se duhet të ketë revoltë dhe jo muzikë. Unë jam aty, ku janë demokratët, pavarësisht formës që ka reagimi i shoqërisë apo i opozitës. Nuk është hera e parë që jam pjesë e protestave, kam qenë në çdo protestë, pavarësisht që askush nga njerëzit më të votuar në PD dhe me kontribut të jashtëzakonshëm nuk ka pasur mundësi të marrë fjalën,” tha ai.
Gazetarja Mirela Milori i kujtoi se pjesëmarrja e tij në protestë erdhi pas takimit të Durrësit, ku zoti Berisha tha se çdo takim jashtë partie është privat.
“Takimet që po zhvillojmë janë me demokratë. Unë jam në politikë për të përfaqësuar demokratët, dhe nëse edhe një demokrat ndihet i përjashtuar apo i neglizhuar, unë do të jem aty për ta takuar, pavarësisht çfarë mendon linja zyrtare e PD-së. Kam provuar që, marr dhe kosto personale për të mbështetur individët që kanë kontribuar në rrugëtimin tim politik. Ju e patë sa shumë persona ishin në Durrës, ishin gjithë struktura e PD-së së atij qyteti, njerëz që kanë sakrifikuar dhe kanë mbajtur gjallë PD. Do jem aty kudo ku ka njerëz të tillë. Unë mendoj se PD duhet të dëgjojë më shumë sesa të flasë dhe të reflektojë për vendimmarrjet e gabuara,” tha Salianji.








Discussion about this post