Internacionalja Demokristiane e Qendrës (IDC-CDI) ka shprehur shqetësim të thellë për përshkallëzimin e protestave studentore në Shqipëri dhe ka dënuar çdo formë dhune ndaj gazetarëve, studentëve, grave dhe të miturve.
Në reagimin e saj në Facebook, organizata ndërkombëtare thekson se asgjë nuk mund të justifikojë përdorimin pa dallim të forcës dhe kërkon që përgjegjësit për abuzimet të mbahen para ligjit.
IDC-CDI i bën thirrje autoriteteve shqiptare të angazhohen në një dialog të vërtetë demokratik për krijimin e një qeverie përmes procedurave kushtetuese, me mandat të kufizuar për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Organizata nënvizon se Shqipëria meriton institucione llogaridhënëse dhe se të rinjtë shqiptarë duhet të kenë zë në përcaktimin e së ardhmes së vendit.
Reagimi i plotë:
Internacionalja Demokristiane e Qendrës (IDC-CDI)
Shpreh shqetësimin e saj të thellë për përshkallëzimin e protestave të udhëhequra nga studentët në Shqipëri më 13 dhe 14 tetor. Ne kundërshtojmë çdo formë dhune ndaj gazetarëve, studentëve, grave dhe të miturve. Mbështesim të gjitha palët e përfshira në protesta, përfshirë partinë tonë anëtare, Partinë Demokratike të Shqipërisë (PD), me kusht që protestat të zhvillohen në mënyrë paqësore.
Asgjë nuk mund të justifikojë përdorimin pa dallim të forcës. Internacionalja Demokristiane e Qendrës u bën thirrje autoriteteve që të vënë përpara përgjegjësisë personat përgjegjës për abuzimet. Shqipëria meriton një qeveri demokratike dhe institucione llogaridhënëse, që garantojnë stabilitetin social dhe ekonomik.
Rikonfirmojmë se liria e shprehjes dhe pjesëmarrja politike janë liri themelore demokratike, të cilat duhet të respektohen dhe të mbrohen plotësisht.
U bëjmë thirrje autoriteteve të angazhohen në një dialog të vërtetë demokratik për krijimin e një qeverie përmes procedurave kushtetuese, me një mandat të kufizuar për të përgatitur zgjedhje të lira dhe demokratike.
Gjithashtu, rikonfirmojmë angazhimin e IDC-CDI për të mbështetur popullin shqiptar në përpjekjet e tij për demokraci, së bashku me të rinjtë shqiptarë, të cilët meritojnë të kenë zë në përcaktimin e së ardhmes së vendit të tyre.










Discussion about this post