Qeveria ka vendosur të tregohet optimiste sa i takon situatës energjetike për vitin 2023. Ajo ka parashikuar që shumicën e sasisë që do të duhet për të furnizuar vendin ta marrë nga kaskada e Drinit. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave mbi një skenar bazë të situatës energjetike tregojnë se në total për Furnizuesin e Tregut të Lirë pjesë e OSHEE Group është parashikuar një sasi energjie prej 5,469 GWh. Nga kjo sasi totale rreth 74 për qind apo 4,026 GWh parashikohet që të gjenerohet nga kaskada. Kjo e fundit është në administrimin e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.
Financat nënvizojnë se në skenarin bazë elementët që janë marrë në vlerësim janë aplikimi i prurjeve mesatare shumëvjeçare. Ka ndikuar vënia në punë të asetit gjenerues termik të përkohshëm në Vlorë. Gjithashtu dhe shkëmbimet me prodhimin e HEC-eve të vogla. Prurjet mesatare në kaskadë parashikohen të jenë në nivelin shumëvjeçar të tyre me 72.7 m3/s.
Me sigurimin e një sasie të konsiderueshme energjie nga prodhimi vendas duket se në parashikimet e qeverisë është zvogëluar ndjeshëm ekspozimi ndaj çmimeve në bursa. Në dy vitet e fundit ato i kanë kushtuar vendit qindra milionë euro. Të dhënat e Financave tregojnë se në skenarin bazë importet do të jenë 350 GWh apo 6 për qind e totalit të konsumit në vend që do t’i kalojë Furnizuesit të Tregut të Lirë. Çmimi mesatar për këto importe është parashikuar 315 euro/MWh duke bërë kështu që fondi total për këto importe të llogaritet 116 milionë euro.
Një pjesë e sasisë së energjisë është parashikuar të merret nga vendosja në punë e impianteve gjeneruese termike. Ata janë vendosur tashmë në Vlorë. Kjo sipas një kontrate të nënshkruar më herët nga KESH me bashkimin e kompanive Exelerate Energy and Renco s.p.a.
Nga këto dy gjenerues parashikohet që të prodhohen 884 GWh me një kosto totale prej 164 milionë euro. Kjo llogaritet të ketë një kosto prodhimi prej 185 euro/MWh. Pra dukshëm më ulët se çmimi i parashikuar i importit. Gjithsesi këto kosto importi janë të luhatshme me sezone. Ato mund të ulen ndjeshëm në periudha të caktuara.
Për vitin 2023 qeveria ka parashikuar mbështetje buxhetore për sektorin e energjisë. Ajo ka vlerën e 12 miliardë lekëve. Për vitin aktual totali i mbështetjes buxhetore dhe huave për këtë sektor llogaritet në 28 miliardë lekë.
Që nga pandemia parashikueshmëria për tregjet është bërë e vështirë. Madje me luftën Rusi-Ukrainë kjo u bë thuajse e pamundur. Kriza e energjisë është tashmë globale dhe vendet e cilësojnë vitin 2023 si një vit edhe më sfidues pasi efekti zinxhir është shtrirë tërësisht në ekonominë globale.
2022-i ishte viti më i vështirë energjetik deri më sot. Kjo si rrjedhojë e mungesës së reshjeve në gjysmën e dytë të vitit. Gjithashtu dhe shtrenjtimit të ndjeshëm të energjisë në bursat ndërkombëtare. Sigurimi i sasisë së nevojshme të energjisë për të furnizuar vendin gjatë këtij viti i ka kushtuar qeverisë qindra milionë euro.
Revista Monitor
Discussion about this post