Rritja e çmimeve është kthyer në shqetësim kryesor për qytetarët të cilët ditën e sotme do të protestojnë për ditën e 7 radhazi. Për këtë ka reaguar edhe Partia Demokratike, e cili ka kritikuar qeverinë që nuk ka marrë edhe masa për t’iu përgjigjur situatës. Për më tepër, nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku, në një intervistë për mediat nga Strasburgu ku ka shkuar që të votojë rezolutën e Këshillit të Evropës për përjashtimin e Rusisë nga ky organizëm, ka thënë se nuk ka asnjë paketë reale ndihme për njerëzit. Ajo ka thënë se ka 4 mënyra për përballimin e krizës, të cilat fillojnë nga paketa konkrete shtesë për njerëzit, tek ulja e taksës së qarkullimit, çmimi i energjisë për biznesin tek mos rritja e taksave në të ardhmen.
Intervista e plotë:
Pyetje: Së pari dua t’ju pyes çfarë takimesh keni në Strasburg, përse jeni atje?
Jorida Tabaku: Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës është mbledhur për të vendosur në qoftë se do të përjashtohet apo jo Rusia nga Këshilli i Evropës. Besoj që ka pasur diskutime shumë të mira, diskutime shumë interesante, të cilat unë si përfaqësuese e Partisë Demokratike, i kam ndjekur në koordinim edhe me grupin e Partive Popullore Evropiane për të mbajtur një qëndrim të unifikuar. Është miratuar një rezolutë dje në grupin politik dhe diskutimet kanë vazhduar edhe ditën e sotme, vendimi do të merret sot në darkë. Në fakt është një vendim historik. Përjashtimi i Rusisë nga Këshilli i Evropës do të jetë masa e parë reale për përjashtimin e Rusisë nga institucione ose organizma të tillë ndërkombëtarë që shoqëron sanksionet nga njëra anë, por nga ana tjetër do të jenë një dokument i fortë politik dhe një vendim i fortë politik, i cili besoj do të shoqërohet edhe në vendimet e organizmave të tjera. Vendimi që mund të merret sot në darkë dhe që mbështetet nga grupi i partive të djathta ku unë bëj pjesë, me gjasa duket që do të tregohet që në Këshillin e Evropës ka disa parime, ka disa standarde dhe nuk mund të lejojmë autokraci, nuk mund të lejojmë kërcënime reale që i vijnë një shteti nga një vend tjetër. Unë besoj që është mësim shumë i vlefshëm edhe për rastin e Shqipërisë, një shtet që është kthyer në një rrezik real, për Rusinë në këtë rast, një rrezik real jo vetëm për vendet fqinje, por po cenon sigurinë dhe rendin në të gjithë botën. Partia Demokratike do të mbështesë vendimin e partive të djathta por njëkohësisht edhe rezolutën që po miratohet për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i Evropës. Masa reale duhet marrë, sepse pezullimi i 3 javëve më parë nuk solli efekte, përkundrazi sulmi vazhdon dhe besoj që këto masa reale me përjashtimin nga Këshilli i Evropës, por njëkohësisht edhe masat e tjera nga BE-ja dhe organizma të tjerë, mund të fillojnë izolimin e Rusisë, po nga ana tjetër mund të fillojnë njëkohësisht edhe ndikimin që mund të kenë organizma të fuqishëm tek Rusia për t’u tërhequr nga ajo që po ndodh sot në Ukrainë ku besoj që të gjithë shtetet e botës i janë drejtuar.
Pyetje: Mirë, zonja Tabaku unë do të doja të flisnim pak për situatën në vend, sepse ju jeni e vëmendshme edhe pse jeni në Strasburg ndaj zhvillimeve që ndodhin në Tiranën zyrtare, sidomos sa i përket rritjes ose jo të çmimeve, ju keni reaguar edhe përmes rrjeteve sociale, edhe për paketën e qeverisë shqiptare që i vjen në ndihmë qytetarëve duke e konsideruar atë qesharake. Unë dua ta nis këtë diskutim me ju tani me lajmin që sapo dhashë në fillim, nëse ju mundët ta dëgjoni, sepse ju keni reaguar edhe në lidhje me çmimin e naftës, e pra është vënë re një rënie, një ulje e çmimit të naftës dhe benzinës, gazit në vend, kjo si pasojë edhe të vendimeve që ka marrë Bordi i Transparencës, i ngritur me vendim qeverie me qëllimi kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të gazit dhe naftës. Si e komentoni?
Jorida Tabaku: Po, në fakt sot në mëngjes kam reaguar, ne bashkëbiseduam me të drejtë për reagimin tim në lidhje me koston që ka çmimi i karburantit në buxhetin e çdo familjeje. Unë kam qenë në protestë, në ditët kur isha në Tiranë, sigurisht si qytetare. Ola, ne kemi diskutuar bashkë çështjen e çmimit të karburantit që në vitin 2015-të. Partia Demokratike u tregoi qartë qytetarëve shqiptarë që sot 60% e çmimit janë taksa. Dhe fakti që 60% e çmimit janë taksa, e bën çmimin tonë më të lartë se në të gjithë vendet e tjera. Unë sot kisha treguar me fakte dhe me prova që është më i larti dhe se në Pakistan, si përqindje ndaj të ardhurave dhe ndaj asaj që ka buxheti i çdo familjeje. Ne duhet të kemi parasysh se të dhënat e siguruara nga INSTAT-i dhe nga institucionet e tjera tregojnë Shqipërinë me të ardhurat më të ulëta për frymë. Duke pasur parasysh këtë dinamizëm, nuk mund të përdoret më retorika boshe e vjetërsuar e shëmtuar që u përdor për pandeminë, për tërmetin dhe në çdo rast tjetër duke thënë që po protestohet kundër luftës në Ukrainë, ose kjo është një tendencë që ndodh në të gjithë botën. Jo nuk ndodh në të gjithë botën! Në të gjithë botën, karburanti si përqindje e të ardhurave është shumë më ulët. Shkon nga 6% deri në 20%. Ndërkohë që në rastin e Shqipërisë, shkon në pothuajse 26% të buxhetit familjar, sepse të ardhurat janë më të ulëta dhe pesha e kostove është jashtëzakonisht më e lartë. Qeveria si gjithmonë ka qenë vonë në marrjen e masave, ka qenë me masa qesharake, të papërshtatshme për nevojat dhe që nuk e ndihmojnë tregun. Unë ndoqa me interes lajmin që ju dhatë, për sa i përket ka pasur një ulje thatë ju të çmimit të karburantit. Masa e qeverisë për krijimin e një bordi transparence është totalisht e papërshtatshme. Ishte jashtë konteksti. Qeveria duhet të ndikonte në treg me rezerva, duhej të kishte një ndërmarrje të cilën qeveria e çoi në falimentim dhe e shiti për skrap, që sot duhej të ndikonte në treg duke hedhur sasi shtesë karburanti në treg, për të rritur ofertën që ekziston në treg. Tregu funksionon me kërkesë dhe me ofertë. Këto shpikjet alla komunizëm të Bordit të Transparencës që cakton çmime, mua më duken jashtë çdo logjike ekonomike. Kjo është e para, e dyta, sot nafta ka rënën në një vlerë që çmimi për litër karburant mund të jetë 185 lekë për litër, ndërkohë që në Shqipëri është 211 lekë, sepse kështu vendos bordi, kështu vendos Edi Rama. Edhe kjo është jashtë çdo logjike ekonomike dhe jashtë çdo logjike tregu. Së treti, masat që ka marrë qeveria me paketën e saj që nuk e di se si quhet më, se për sa i përket emrave, këto sigurisht që janë me shumë fantazi për propagandën. Është një paketë e cila është e gjitha e miratuar në buxhetin e vitit të kaluar në dhjetor. Nuk ka absolutisht asnjë gjë të re.
Pyetje: Nuk ka asgjë të re?
Jorida Tabaku: Nuk ka absolutisht asgjë të re. Ndërkohë që flasim, është dorëzuar edhe akti normativ dhe unë isha duke lexuar aktin normativ për ndryshimet e buxhetit. I vetmi ndryshim është që vendoset një fond kontingjence në dispozicion dhe vendosen 200 milionë euro për energjinë në dispozicion. Ndërkohë që të gjitha masat e tjera, të 7 masat e tjera janë masa normale që merren nga qeveria. Indeksimi i pensioneve me inflacion pothuajse nuk përmendet fare. Masat për familjet e varfra janë po në buxhet, masat të cilat lidhen me shportën, me produktet e shportës për rritjen e çmimit janë prapë në buxhet. Pra, janë të gjitha gjëra normale që bën një qeveri. Nuk po bën absolutisht asnjë gjë anormale.
Pyetje: Kjo me energjinë është e reja thoni ju, në këtë…
Jorida Tabaku: Kanë vendosur një fond në dispozicion për energjinë.
Por e dini se çfarë ka ndodhur me energjinë ndërkohë?!
Rama thotë që nuk është rritur çmimi i energjisë. Por ndërkohë çmimi i energjisë për bizneset është rritur, janë duke e paguar me 18.8-22 euro për kilovat orë, gjë e cila ka rritur çmimet e përgjithshme të produkteve.
Pra, nuk ka lidhej vetëm me luftën rritja e çmimeve në Shqipëri. Ka lidhje edhe me rritjen e çmimit të energjisë elektrike sepse kanë nxjerrë bizneset për tu furnizuar në treg të lirë dhe sigurisht me çmime më të larta. Kjo ka sjellë një rritje të përgjithshme të çmimeve.
Ne kemi pasur që në fund të vitit të kaluar një rritje të çmimit të miellit, për të cilën ne kërkuam me Autoritetin e Konkurrencës një dëgjesë në Komisionin e Ekonomisë.
Çmimet e të gjitha produkteve janë rritur si rezultat i çmimit të energjisë por tashmë edhe të karburantit.
Një qeveri normale do të merrte masat normale dhe do të ndikonte me politika fiskale, që është taksa e qarkullimit.
Që në vitin 2015 kemi thënë që kjo taksë jo vetëm që nuk shkon për biznesin dhe nuk shkon për investime në infrastrukturë, ashtu siç duhet të shkonte por është kthyer në një taksë abuzive, është kthyer në një taksë që vetëm mbledh të ardhura.
Sot për buxhetin e shtetit ka vetëm një përfitues, sot në Republikën e Shqipërisë ka vetëm një përfitues dhe kjo është buxheti i shtetit.
Me rritjen e çmimit të karburantit paguhen më shumë taksa për karburantin. Më përpara paguheshin 15 mln euro në muaj, tani paguhen 20 mln euro taksa. Qeveria po merr të ardhura shtesë.
Pyetje: Çfarë do t’i sugjeronit qeverisë shqiptare në këto kushte? Sepse jemi të ndërgjegjshëm që efektet e kësaj lufte mund të jenë afatgjatë edhe në vendin tonë. Çfarë do t’i sugjeronit qeverisë për të mbrojtur shqiptarët?
Tabaku: Në vendin tonë efektet po ndjehen si rezultat i qeverisë sepse taksat janë më të larta dhe të ardhurat më të ulëta. Unë besoj se kam hequr dorë nga amendimet, ndryshimet e buxhetit, nga dhënia e sugjerimeve për qeverinë sepse ky është një drejtim që qeveria ka marrë nga një vizion që ajo ka. Unë nuk e konsideroj të rastësishme faktin që sot shqiptarët janë me të ardhurat më të ulëta për frymë. Kanë çuar taksat e larta në këto të ardhura për frymë. Në këtë koment unë mendoj se dy janë zgjidhjet:
Është paketa reale ekonomike në ndihmë të familjeve të varfra, të bizneseve të vogla, etj. Pra, fonde reale dhe jo ato që janë miratuar në buxhetin e shtetit por paketa shtesë konkrete.
Dhe së dyti, qeveria ndikon me politikën e taksave. Qeveria duhet të ulët taksën e qarkullimit që të ulet në mënyrë të menjëhershme çmimi i karburantit. Kjo ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në të gjitha produktet në treg.
Dhe e treta, çmimi i energjisë, në këtë periudhë krize në mënyrë absolute nuk mundet që qeveria të rrisë çmimet për bizneset sepse po reflektohet në të gjitha produktet; vaji, mielli, buka çdo lloj produkti është rritur sot si rezultat i rritjes së këtyre të dyjave.
Dhe e katërta. Qeveria ka miratuar një plan afatmesëm dhe afatgjatë për rritjen e përgjithshme të taksave që shkon nga 120 mln euro -360 mln euro për periudhën afatgjatë, ku do të rivendoset edhe taksa e biznesit të vogël. Sepse ashtu sikurse e kemi paralajmëruar, në çdo politikë që bën Rama dështon. Qeveria nuk duhet të marrë këtë masë për paketën fiskale. Duhet të shohë me kujdes se si do të reagojnë bizneset shqiptare dhe nuk duhet t’i mbingarkojë me taksa shtesë në këtë periudhë krize.
Unë besoj se këto janë hapat e nevojshëm që duhet që të ndërmarrë çdo qeverie përgjegjshme dhe jo të fajësojë protestuesit, qytetarët, bizneset; këdo përveç vetes së vet.
Pyetje: Do të doja të flisnim pak edhe për inceneratorët. Ju keni drejtuar edhe komisionin hetimor për inceneratorët. Kam dijeni që keni dorëzuar tre padi për tre inceneratorët në SPAK.
Jorida Tabaku: Po është e vërtetë. Kemi dorëzuar tre padi për Elbasanin, Fierin dhe Tiranën. Ndërkohë që javën e kaluar dorëzuam edhe 6 padi individuale. Ne gjykuam që përveç tre çështjeve të tre inceneratorëve të tre qyteteve, pas punës së komisionit hetimor dolën informacione edhe bëmë padi edhe për përgjegjësi individuale të zyrtarëve. Janë dorëzuar padi për z.Erion Veliaj, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Emiriana Sako, Engjëll Agaçi dhe Armando Subashi. Ndërkohë që unë brenda fundit të javës, në emër të PD, raportin e plotë dhe një padi të përgjithshme për të gjithë personat e përfshirë në të gjithë nivelet, edhe për 50 zyrtarët që janë përfshirë në nivel komisioni koncesioni dhe nivel zbatimi projekti, do ta dorëzojmë përsëri në SPAK për të përmbyllur punën e komisionit hetimor.
Pyetje: Do të doja të diskutonim edhe situatën në PD. Ju jeni nënkryetare e kësaj partie, ndaj doja të dija çfarë reflektimi keni pas zgjedhjeve të 6 Marsit, është kërkuar dorëheqja e z.Basha, cili është pozicioni juaj?
Tabaku: Unë e di që të gjithë qytetarët kanë shumë interes për situatën në PD dhe unë nuk kam preferuar asnjëherë që diskutimet e mia t’i bëj mediatike, ashtu sikurse e thash edhe në mbledhjen e grupit parlamentar, që ne patëm ditën e shtunë. E kam ndjekur jo si një person i jashtëm, por si vendimmarrës tashmë në PD, situatën. Kam shprehur problemet që kanë ekzistuar, njëkohësisht kam ndarë edhe mendimet e mia. Unë besoj se ti bie dakord me mua që sot qytetarët protestojnë për çmimet e karburantit. Sot që PD ka çuar në SPAK një listë të gjatë zyrtarësh duke denoncuar një aferë të jashtëzakonshme korruptive që fatkeqësisht nuk u votua nga të gjithë deputetët e opozitës. Besoj se vëmendjen duhet ta keni atje. PD ka probleme që do t’i kalojë.
Pyetje: Besoni në bashkimin e PD, për një mundësi dialogu me palën e “Foltores”? A besoni se mund të arrihet diçka e tillë kur z.Berisha nuk bën tërheqje dhe njeh vetëm parimin e votës së lirë?
Jorida Tabaku: Unë, mendoj se PD duhet të jetë e fortë dhe kundërshtari i vetëm është Edi Rama. Ashtu siç e thashë edhe në mbledhjen e grupit parlamentar ne duhet t’i flasim jo vetëm demokratëve, por përtej demokratëve, atyre që na votuan dhe nuk na votuan, atyre që ishin mërzitur me ne, por edhe gjithë shtresës gri dhe gjithë shqiptarëve që protestojnë dhe që sot nuk e shohin PD si alternativë. Për mua ka një dhe vetëm një kundërshtar që është Edi Rama dhe besoj se të gjitha përpjekjet e mia do t’i drejtoj në çdo moment, ashtu siç kam bërë çdo ditë opozitë ndaj tij, edhe për të folur ne emër të shqiptarëve. Unë besoj se më kupton se të them, se të gjitha diskutimet që kam bërë në grupin parlamentar, që media i ka reflektuar, do të vazhdoj t’i bëj sërish brenda strukturave dhe institucioneve të PD.
Discussion about this post