Rreth 24.2% e familjeve në Shqipëri rezultojnë të kenë pagesa të prapambetura që lidhen më qiranë e shtëpisë, fatura shërbimesh (energji, ujë, ngrohje) apo blerje të pronave më këste, sipas të dhënave të Eurostat që i takojnë vitit 2023.
Kjo do të thotë se afërsisht një në katër familje ka vështirësi reale për të përmbushur në kohë detyrimet në lidhje me menaxhimin e banesës.
Ky nivel është dukshëm më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila në 2023 qëndron rreth 9–10%, dhe e pozicionon Shqipërinë ndër vendet me vështirësi të larta për të përballuar kostot e banimit, pas Greqisë, Maqedonisë së Veriut e Turqisë. Krahasuar me vendet e Eurozonës, ku përqindja e familjeve me vonesa në pagesa është rreth 9.5%, situata në Shqipëri është më shumë se dyfish më problematike.
Kjo përqindje e lartë e familjeve që nuk përballojnë faturat e shtëpisë tregon se një pjesë e konsiderueshme e tyre janë financiarisht të brishta, të ekspozuara ndaj goditjeve të vogla ekonomike, rritje çmimesh, humbje të ardhurash apo shpenzime të paparashikuara.
Në shumicën e vendeve të Europës Perëndimore, si Gjermania, Franca, Holanda apo Austria vetëm 5–10% e familjeve kanë pagesa të prapambetura, çka e vendos Shqipërinë shumë larg standardit europian të përballueshmërisë financiare.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, situata është përgjithësisht më problematike sesa në BE, por Shqipëria mbetet ndër vendet me nivelin më të lartë të vështirësive. Me 24.2%, Shqipëria ka një përqindje, më të lartë se Serbia (17.9%), dhe më afër vendeve me presion të fortë financiar si Turqia (26.3%).
Shqipëria pozicionohet mbi mesataren rajonale dhe shumë larg BE-së, duke reflektuar një kombinim faktorësh si të ardhurat e ulëta, kostot relativisht të larta të jetesës dhe mungesën e mekanizmave mbrojtës për familjet.
Të dhëna të tjera të detajuara nga Eurostat tregojnë se Shqipëria ka ende kostot më të ulëta në çmimet e qirave dhe faturave utilitare, por nga ana tjetër ka një përqindje të lartë të familjeve që nuk kanë mundësi të paguajnë në kohë këto fatura.
Situata në vitet në vijim mund të vijë në përkeqësim për shkak se çmimet e shtëpive në Shqipëri janë duke u rritur më shpejt se pagat. Sakaq kostot e jetesës po rriten në tërësi duke e bërë menaxhimin e faturave që kërkon shtëpia edhe më të vështirë./Monitor.al









Discussion about this post