Akademiku Rexhep Qosja është ndarë nga jeta ditën e sotme. Lajmi është bërë i ditur nga familja e tij, e cila njoftoi se varrimi është kryer në një ceremoni të thjeshtë, në praninë e anëtarëve më të ngushtë.
Sipas njoftimit të familjes, me dëshirë të të ndjerit nuk do të organizohet ceremoni pritjeje dhe familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.
“Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes. Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale”, shkruan nipi i tij.
Kush ishte Rexhep Qosja?
U lind në Vuthaj, në krahinën e Malësisë asokohe nën Mbretërinë Jugosllave. Katër klasat e para të fillores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmëmaturën në Guci. Më 1959 mbaroi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa më 1960 u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku u diplomua më 1964.
Në vitin 1967 u pranua asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe gjatë viteve 1967/68 specializoi shkencën e letërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit.
Më 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit me punimin “Asdreni, jeta dhe vepra e tij” në studimet e tij pasuniversitare në Universitetin e Beogradit. Pas doktorimit, më 1972, u zgjodh, një herë bashkëpunëtor i lartë e pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, si dhe profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.
U pranua në Partinë Komuniste të Jugosllavisë në vitet 70. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981, shef shumëvjeçar i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe, gjatë viteve 1974-1975, kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare Jeta e Re.[2] Më 1989 iu propozua që të bëhej kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, por Qosja refuzoi.
Pas ndryshimeve politike më 1990 në Shqipëri, Qosja u bë ndër kritikët më të zëshëm të kulturës dhe elitës politike si derivat gjenealogjik i nomenklaturës komuniste.
Dhjetëvjeçarin para Luftës së Kosovës mori emër si figurë e realitetit kombëtar shqiptar. Politikisht organizoi Forumin Demokratik të Intelektualëve Shqiptarë si kundërpeshë ndaj LDK-së së Ibrahim Rugovës, më 1998 shkoi edhe më tej, duke e themeluar Lëvizjen Demokratike të Bashkuar (LDB). Në këtë cilësi mori pjesë në bisedimet në Rambouillet në shkurtin e vitit 1999 si anëtar i delegacionit shqiptar. Pas luftës Qosja mori pjesë në Këshillin Administrativ Interim vendosur më 15 dhjetor 1999. Pas një viti, më 16 dhjetor, dha dorëheqjen nga kryetarësia e LDB-së pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet e 28 tetorit të atij viti.
Vepra
Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.
Në vitin 2010 Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi kompletin e veprave në 29 vëllime.
Rexhep Qosja ka botuar disa romane: “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974), “Një dashuri dhe shtatë faje” (2003), “Nata është dita jonë” (2007), “Bijtë e askujt” (2010) dhe Të fshehtat e treguara (2020).
Përveç në Prishtinë romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” është botuar në vitin 1987 edhe në Tiranë, me inisiativë të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili kishte lexuar botimin e Shtëpisë Botuese “Rilindja” të Prishtinës dhe e kishte pëlqyer. Më vonë Kadare e rekomandoi romanin e Qosjes edhe në Francë dhe ai u botua atje, në vitin 1994 me parathënie të Kadaresë.
Qosja ashtu si shkrimtarët tjerë shqiptarë është ndikuar nga Ismail Kadare. Një rast i tillë është romani i Qosjes Një dashuri dhe shtatë faje i botuar më 2001, që është i ngjashëm me romanin e Kadaresë Krushqit janë të ngrirë botuar më 1986. Ngjashmëritë janë protagonisti i cili është mjek në të dy rastet, antagonisti që është UDB, vendi është Spitali i Prishtinës, viti është 1981, faji i protagonistit është mjekimi ose nderimi i viktimave të demonstratës. Studiuesi Ag Apolloni pohon se ngjashmëri të tilla ka edhe te shkrimtarët e mëdhenj botërorë dhe ato nuk ua ulin vlerën veprave.
Nga proza Qosja ka botuar edhe tregimin “I ringjalluri i penduar” i cili mund të quhet edhe novelë ose roman. Ky tregim është satirë që fshikullon politikanët kosovarë të pasluftës. Të fshehtat e treguara është romani i parë omnibus në letërsinë shqipe.
Eseja “Çështja Shqiptare” e Qosjes në vitin 1995 u përkthye dhe u botua në Francë nga shtëpia botuese Fayard.
Në këtë vepër të përkthyer në frëngjisht Qosja do të deklaronte:
«Perandoria Osmane ka ngritur mur mes shqiptarëve dhe Evropës, në radhë të parë me ideologjinë fetare islame»
Me botimin e vëllimit Identiteti evropian i shqiptarëve nga Ismail Kadare më 2006 si replikë ndaj vëllimit të Qosjes Ideologjia e shpërbërjesu bë shkas për rrahjen e kësaj teme, Qosja iu përgjigj brenda vitit me esetë Idetë raciste të Kadaresë dhe Realiteti i shpërfillur. Kundëpërgjigjja e Qosjes çoi Kadarenë drejt reagimit dhe kështu u zhvillua një debat mbi identitetin kombëtar. Qendra e mendimit të Qosjes është se identiteti mbarëshqiptar në gjerësinë e tij ngërthen elemente të të dy qytetërimeve, si atij perëndimor, si atij lindor. Në veprën Identiteti Evropian i Shqiptarëve, Kadare i ka kritikuar ashpër qëndrimet e Qosjes:
«Askush nuk mund të jetë aq naiv sa të mos e kuptojë se një identitet i ndarë është një komb i ndarë. Askush s’mund të jetë aq i ngathët nga mendja që të mos e kuptojë se përjashtimi i gjysmës ose shumicës së kombit shqiptar nga identiteti evropian, do të thotë përjashtim nga Evropa. Dhe përjashtimi nga Evropa nuk është larg dëbimit nga Evropa. Ky nuk është as përfundim teorik e as filozofik. Kombi shqiptar, përpara se ta lexojë në libra e ka ndier në mishin e tij këtë lemeri. Shpërnguljet me dhunë kanë hyrë në vetëdijen e traumatizuar të disa brezave shqiptarë. Këto shpërngulje nuk ranë si rrufe në qiell të pastër. Ato ishin përgatitur për një kohë të gjatë nga zyra kriminelësh, nga ushtarakë sadistë, nga akademikë të zinj si Vasa Çubrulloviçi, nga mendësia e një popullsie të tërë të dehur prej etheve shoviniste.»
Rexhep Qosja është një ndër autorët që kanë patur një ndikim të madh në modernitetin letrar të dramës shqipe, në dimensionin e saj filozofik dhe thellësinë psikologjike në vitet 70, bashkë me Teki Dervishin dhe Beqir Musliun. Qosja ka shkruar dramat Beselam pse po më flijojnë, Sfinga e gjallë dhe Vdekja e një mbretëreshe, botuar në vitin 1978 nën titullin e përbashkët “Mite të zhveshura”. Dramën e parë, Sfinga e gjallë, e nisi po atë vit që përfundoi romanin e parë, Vdekja më vjen prej syve të tillë (1974), dhe e inskenoi në vitin 1976.











Discussion about this post