Biznesmenët e lidhur me skandalin e inceneratorëve vazhdojnë të fitojnë tendera, megjithëse SPAK-u po “heton”. Kështu, kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli ia jep tenderin e fundit ortakut të Mirel Mërtirit. Në këtë qeveri, përjashtohesh nga tenderat po të mos paguash energjinë elektrike, por jo nëse abuzon dhe përvetëson.
Tender me “flamur të kuq”
Bëhet fjalë për prokurimin me numër reference REF-37756-08-03-2022 dhe objekt “Ndërtimi Rikualifikimi Urban i Rrugës “Kujtesa” + Segmentet”.
Ky tender është klasifikuar nga Open Data me “flamur të kuq”, pasi Bashkia ka skualifikuar të gjithë operatorët dhe ka lënë në garë vetëm një kompani. Në garë kanë marrë pjesë 11 kompani, të cilat janë mënjanuar nga gara me argumente diskriminuese, ndërsa fituese u shpall firma “ALBAVIA” shpk. Kjo kompani është në pronësi të Shkëlqim Rakipajt dhe Hasan Hafizit, emra mjaft të njohur për lidhjet me pushtetin.
Kushëriri në krye të SPAK-ut
Ky është një tender klientelist, i cili duhet të merrej menjëherë në shqyrtim nga SPAK-u, por ka një pengesë. Njëri nga ortakët e kompanisë “Albavia”, Hasan Hafizi ka lidhje të forta me pushtetin. Ky rezulton të jetë kushëriri i kryetarit të SPAK-ut, Arben Krajës. Gjithashtu, Hazifi është edhe bashkëshorti i ish-deputetes së PS-së, Mimoza Hazifi. Pra, Hafizi e ka mire me qeverinë e majtë, ndërsa lidhjet me të djathtët i ka pasur ortaku tjetër.
Lidhja me biznesmenin e “inceneratorëve”
Kompania ALBAVIA ka histori financiare të dyshimtë, pasi ortaku kryesor Shkëlqim Rakipaj, është në lidhje me Mirel Mërtirin, ish-pronarin e kompanisë që u vu në qendër të skandalit të inceneratorëve. Rakipaj ka qenë bashkë me Mërtirin aksionerë në kompaninë “Eden” sha. (një nga 40 kompanitë fantazmë që vodhën shtetin). Në kohën e Berishës, kjo kompani merrte paratë e shtetit për fibrat optike, ndërsa bashkëpunonte gjithashtu me “Hermes-in” e Arben Ahmetajt. Po ashtu, vetë Albavia kishte pjesën e luanit në tenderat e rrugëve dhe të koncesioneve të hidrocentraleve që ndante Berisha.
25 milionë euro nga projekti i “Unazës”
Duke qenë se pronarët e saj janë të mbrojtur dhe nuk i kap ligji (për sa kohë që Kraja është në krye të SPAK-ut) kompania “ALBAVIA” shpk përfiton duke abuzuar në tenderët e mëdhenj. Kjo kompani është përfshirë pak muaj më parë në një nga skandalet e Unazës së Madhe. Hafizi dhe Rakipaj u shpallën fitues për tenderin e Lotit 2 të Unazës Lindore të Tiranës nga Evis Berberi i ARRSH-së me 9.4 milionë dollar. Plot 2 milionë dollarë më shumë se oferta më e mirë.
Në garë kanë marrë pjesë 7 kompani dhe oferta më e leverdisshme është dhënë nga bashkimi i kompanive CURRI” SHPK & “BE – IS” SH.P.K me rreth 7,4 milion dollarë. Por Autoriteti Rrugor Shqiptar i drejtuar, nga Evis Berberi ka shpallur fituese, kompaninë ‘Albavia’ me rreth 9,4 milion dollarë. Ky tender është shtesë fiktive, mbi vlerën e tenderit 15 milionë Euro, që firmës “Albavia Shpk” i është dhënë më 10 tetor 2018, për ndërtimin e Segmentit Nr. 2 të Unazës Lindore-Tiranë, kur rrugët lidhëse janë brenda vlerës 15 milionë Euro.
Para për Albavia-n në fshatin turistike të Saimir Manes
Më 6 janar 2021, Këshilli i Qarkut-Vlorë ka marrë nga qeveria një fond të përshpejtuar me vlerë 6 milionë Euro, për krijim aksesi urban në Plazhin e Drymadhës, të cilat ia ka dhënë firmës “Albavia Shpk” të Hasan Hafizit.
Më konkretisht bëhet fjalë për 525,000,000 lekë të tenderuara pa garë në 8 tetor 2020 me objektin “Ndërhyrje e integruar për përmirësimin e aksesit, shërbimeve dhe rikualifikimit urban në zonën e Plazhit Palasë – Drymadhes”. Në këtë tender u skualifikuan të gjithë operatorët, përveç kompanisë “Albavia” të Hasan Hafizit. Tenderi i cili synonte të ndërtonte rrugët e fshatit turistik të Saimir Mane, kishte si projekt edhe ndërtimin e një porti privat për oligarkun. Kështu, falë këtyre lidhjeve politike, “Albavia” shpk vazhdon të gllabërojë para publike.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post