Ndërsa 28-vjeçari Erjon Vishkulli rrezikon të humbasë shikimin pas plagosjes me plumb gome gjatë protestës në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra ndaj protestuesve dhe atyre që i akuzon si nxitës të dhunës, duke përdorur shprehje si “kriminelë”, “të paditur” dhe “errësira”.
Kryeministri nuk i kursen akuzat as ndaj të rinjve të përfshirë në protesta, duke pretenduar se mes pjesëmarrësve ka persona të paguar, kriminelë, të rinj të paditur dhe fëmijë të mitur.
“Lëndimi i djalit nga Elbasani duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë, po mbi të gjitha për nxitësit e dhunës që propagandojnë nga ekranet e korruptuara televizive dhe nga pasqyrat e tyre sociale apo më zi akoma që paguajnë për mish për top lloj-lloj individësh, nga kriminelë, te djem të paditur e deri te fëmijë të mitur”, shkruan Rama.
Deklarata vjen pas plagosjes së rëndë të Erjon Vishkullit, i cili ka treguar se u godit papritur në sy gjatë protestës, ndërsa ndodhej rreth 30 metra larg forcave të policisë. Sipas dëshmisë së tij, pas goditjes bëri vetëm disa hapa dhe u rrëzua në tokë.
Postimi i Plotë:
Pjesëmarrja në protestat e dhunshme është sigurisht e rrezikshme edhe për vetë dhunuesit dhe ata që rrinë rrotull tyre, aq më tepër kur dihet tanimë edhe botërisht që në këto protesta është edhe dora e një matufi maniak me një biografi të pasur me zjarrvënie e me gjakderdhje. Më vjen shumë keq kur kushdoqoftë lëndohet fizikisht, qoftë edhe një protestues i dhunshëm, por si mund të shmanget çdo lëndim i mundshëm nëse dhuna e dikton natyrën e një proteste?!
Kjo është një pyetje retorike dhe lëndimi i djalit nga Elbasani duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë, po mbi të gjitha për nxitësit e dhunës që propagandojnë nga ekranet e korruptuara televizive dhe nga pasqyrat e tyre sociale apo më zi akoma që paguajnë për mish për top lloj-lloj individësh, nga kriminelë, te djem të paditur e deri te fëmijë të mitur. Pasi jam marrë personalisht që mbrëmë me sigurimin e kurimit të djalit në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor, u them të gjithë atyre që po e keqpërdorin si të tërbuar syrin e plagosur të tij për të nxitur më tej dhunën:
Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit! Ju jeni gishtat dhe thonjtë e dorës së mallkimit që e përndjek Shqipërinë qysh në 1912-ën, duke ia mbyllur sytë sa herë ky vend sheh dritë! Po këtë herë jeni të humbur, sepse drita e Shqipërisë është sot ku e ku më e madhe se sa errësira dhe ju jeni gjithnjë e më pak, prandaj edhe po dhunoni, digjni e shkatërroni me urrejtjen e pangushëllueshme të asaj dore, por duke ua kujtuar më mirë se kurrë shqiptarëve se kush jeni. Dhe shqiptarët s’do t’ua falin. Prisni dhe shikoni
gijotina.com/










Discussion about this post