GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Breaking Views

Rama anulon ankandin e pasurive të Bechettit, në favor të Shpëtim Shijakut, që vazhdon bizneset e Kodian Zotos

15:03 - 28/11/25
në Breaking Views, Fact-Checking & Analize, Kryesore2, Të fundit, Të Gjitha
Kohë leximi: 12 min
A A
Rama anulon ankandin e pasurive të Bechettit, në favor të Shpëtim Shijakut, që vazhdon bizneset e Kodian Zotos
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Edi Rama anulon ankandin e shitjes së pajisjeve të Hidrocentralit të Kalivaçit që i është sekuestruar Francesco Bechetti-t. Kjo bëhet e qartë pasi vendimi është marrë nga Komisioni i Prokurimit Publik që është një institucion i kontrolluar drejtpërsëdrejti prej tij, sepse ministrja Diella akoma nuk i ka marrë në dorë prokurimet.

Në pamje të parë ankandi dukej sikur qeveria e shqetësuar për buxhetin e shtetit, po grumbullonte lekë për shpenzimet e gjyqeve të Arbitrazhit me Francesco Bechetti-n. Në fakt, na rezulton se pas këtij veprimi fshihet favorizimi i Shpëtim Shijakut, një biznesmeni të lidhur me Klodian Zoton, që është nën hetim nga SPAK. Gjithashtu, Shijaku gëzon mbështetje të madhe nga kryeministri, pasi ka përfituar statusin e investitorit strategjik. Ankandi që do të mbahej në 2 shtator 2025 ishte shtyrë për në datën 6 tetor dhe më pas për në 28 tetor 2025, synon shitjen e pajisjeve që la në Shqipëri afaristi italian. Procedura e anuluar është organizuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Më konkretisht, procedura ka si objekt të shitjes “Pajisje, makineri dhe automjete të sekuestruara të shoqërisë “Energji –Kalivaç”. Pajisjet dhe makineritë janë të vendosura në zonën e Kalivaçit, Tepelenë, konkretisht në kantierin e ndërtimit të hidrocentralit Kalivaç. Këto pasuri objekt ankandi janë pasuri te shoqërisë “Energji Kalivaç” e cila është e sekuestruar. Brenda këtij kantieri ndodhen një sërë mejtesh dhe makinerish që variojnë nga pajisje zyre dhe kancelarie deri te makineritë e rënda, përfshirë impiantin e prodhimit të betonit dhe mjete të ndryshme transporti. Ankandi duket simbolik dhe ka dyshime për rezultatin që do të arrihet.

“Këto mjete dhe pajisje nuk janë përdorur apo mirëmbajtur për një periudhë të gjatë kohe, që përkon me më shumë se një dekadë, çka ka ndikuar ndjeshëm në amortizimin e tyre të përgjithshëm dhe paraqesin një gjendje të rënduar fizike dhe teknike”, konstaton Agjencia.

Pse u pezullua ankandi i Kalivaçit?

Më 25 nëntor 2025, KPP ka nxjerrë urdhër për pezullim procedure ankandi drejtuar Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Vendimi është marrë me kërkesë të kandidatit blerës “Shijaku” SHPK, me pronar dhe administrator Shpëtim Shijakun.

Kompania kundërshton veprimet proceduriale të Agjencisë lidhur me kualifikimin e kandidatit blerës “Cekrezi Metal” SHPK në procedurën e ankandit publik me objekt “Pajisje, makineri dhe automjete të sekuestruara të shoqërisë “Energji – Kalivaç”, me vlerë fillestare 21.723.029 lekë pa TVSH, parashikuar për tu zhvilluar në datën 28.10.2025, nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Sipas vendimit të KPP, “urdhërohet pezullimi i procedurës së ankandit dhe moskryerjen e asnjë veprimi nga autoriteti shitës deri në shqyrtimin e ankesës dhe marrjen e vendimit përfundimtar”

Kush është Shpëtim Shijaku?

Pyetjes së mësipërme do t’i përgjigjemi duke sqaruar pse është kaq i fuqishëm Shpëtim Shijaku, sa të anulojë ankandin?

Në vitin 2021, rafineria e Ballshit do t’i kalonte privatit nëpërmjet ankandit nga banka te kompania që privatizoi ish-rafinerinë. Kjo ishte “SHIJAKU” sh.p.k në pronësi të vëllezërve Petrit, Bilal dhe Shpëtim Shijaku.

Kompania “Shijaku” ka qenë pas disa projekteve që përfshinin marrjen e pronave shtetërore dhe rafineria është një shembull që tregon shkatërrimin dhe tjetërsimin për të transferuar trojet me vlerë të ulët te njerëzit e lidhur me kryeministrin Edi Rama.

Emri i kësaj kompanie do të binte në sy duke blerë territorin ku ka qenë rafineria e naftës me qëllim çmontimin dhe shkrirjen e saj për hekur skrap. Në vitin 2021, banka që kishte në zotërim rafinerinë tentoi të realizonte ringjalljen e këtij sistemi industrial, por duheshin investime me vlerë 25-30 milionë euro dhe në pamundësi për të tërhequr investitorët, ish-rafineria iu shit “SHIJAKU” sh.p.k me vlerë 9 milionë euro.

Në mars të vitit 2022, Shpëtim Shijaku bleu kompaninë që e kishte vetë nën zotërim “GreeNNat Solar Park Ballsh” sh.p.k me një çmim prej 100 mijë lekësh drejt kompanisë “Shijaku” sh.p.k.

Blerja e rafinerisë për 9 milionë euro duket se ka qenë e mirëmenduar sepse në vitin 2023 Këshilli i Ministrave vendosi ndërtimin e një centrali gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike në zonën ku ka qenë rafineria nga shoqëria “GREENNAT SOLAR PARK BALLSH” nën pronësinë e kompanisë “Shijaku”. Vetëm nën autoritetin e Edi Ramës mund të kryhej ky veprim, ndërkohë që punonjësit e rafinerisë kishin kohë që protestonin për mbylljen e saj dhe pagat e palikujduara.

Dhe kjo e ka një çmim. “Shijaku” sh.p.k pasi ka marrë këtë sipërfaqe të madhe toke, lejen për central fotovoltaik, vendos t’ia shesë “Green Solar Park Ballsh” sh.p.k shoqërisë “Infotelecom-albsolar 3” sh.p.k me një çmim prej afro 2 milionë eurosh.

Në fund të vitit 2021, Shpëtim Shijaku nëpërmjet kompanisë që sapo kishte themeluar “MEDITERRANEAN WAVE” do të përfitonte nga qeveria shqiptare statusin “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Veçantë” për Projektin e Investimit “MEDITERRANEAN WAVE”.

Në Dhjetor të vitit 2021, kompania “Mediterranean Wave” e Shijakut fiton statusin e “Investitorit Strategjik”, me një vendim të miratuar nga Komiteti përkatës, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama. Sipas këtij vendimi, kompania e Shijakut do të asistohet nga shteti për ndërtimin e një resorti turistik, me vlerë investimi mbi 50 milionë euro.

Përmes këtij projekti, pushteti i dha të drejtën ekskluzive të shfrytëzimit të plazhit ranor për 30 vjet për një nga zonat më të lakmuara në Shqipëri, Plazhi i Gjeneralit.

Paralelisht, shteti ka marrë përsipër të ndërtojë ujësjellësin, impiantin e ujërave të zeza, infrastrukturën rrugore dhe nënstacionin e energjisë elektrike. Të gjitha këto ndërtime, të cilat do të shërbenin ekskluzivisht vetëm për resortin dhe të pasurit që do të blinin rezidencat në atë zontë, do të ndërtoheshin me paratë nga xhepat e qytetarëve.

Pra, me një vendim qeveria i “fali” një kompanie private rreth 50 milionë euro asete shtetërore.

Kur sheh projektin gjigand të Shpëtim Shijakut për resortin tek Plazhi i Gjeneralit, vetëvetiu mendon se kompania ka një potencial, me të cilin e meriton statusin e “investitorit strategjik”.

Por nuk është kështu. Hetimet e SPAK-ut për Arben Ahmetaj tregojnë më së paku dy episode, në të cilat kompania mëmë e Shpëtim Shijakut, pra “Shijaku” shpk, ka luajtur rolin e maskës për Klodian Zoton.

Në shtator të vitit 2013, kur Arben Ahmetaj u emërua Ministër i Zhvillimit dhe Sipërmarrjes, emëroi mikun e tij të ngushtë, Artan Gjokaj, në pozicionin e likuidatorit për kompaninë publike, “Petrol Alba”, e cila prej vitesh nuk prodhonte.

Në Prill të vitit 2014, likujidatori Gjokaj kërkon nga Ministria e Ahmetaj lejimin për zhvillimin e ankandit për shitjen e skrapit dhe çelikut, që gjendej në pjesën e pashfrytëzuar të TEC-it Fier.

Pak ditë më pas, Ahmetaj miraton procedurën e ankandit për shitjen e mbi 4.8 milionë kilogramë skrap, për një vlerë prej 115.8 milionë lekë të reja.

Drejtoria e Privatizimit në Ministrinë e Zhvillimit ngarkon shtetasin Klodian Mene (vëllai i kunatit të Arben Ahmetajt, Leonard Mene), që të përfaqësojë institucionin në procedurën e ankandit.

Në 18 Qershor 2014 zhvillohet ankandi, i cili fitohet nga kompania “Shijaku”, me ofertë saktësisht deri në qindarka me shumën e vendosur nga Ministria e Zhvillimit dhe Sipërmarrjes.

SPAK thotë se “pavarësisht se palë kontraktore në këtë marrëdhënie shfaqet kompania ‘Shijaku’, në fakt pas kësaj shoqërie qëndrojnë miqtë e Arben Ahmetaj (Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto)”.

Ky konkluzion “lexohet nga provat e administruara”-thotë më tej SPAK.

Në kompjuterin e Klodian Zotos, hetuesit kanë zbuluar një e-mail nga shtetasja Lele Filaj, punonjëse e “Shijaku” shpk. Në këtë e-mail, dërguesja i dërgon Zotos një dokument me titull: “draft kontratën për shitjen e skrapit TEC-Fier. Nëse keni ndonjë sugjerim, na komunikoni”.

Bazuar në këtë komunikim, prokurorët specialë dyshojnë se “pavarësisht se shoqëria ‘Shijaku’ rezulton fituese e ankandit, procedura kontrollohet nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri”.

Po ashtu, SPAK-u ka gjetur edhe komunikime të tjera mes “Shijaku” shpk e Zotos, të lidhura me këtë procedurë ankandi. SPAK thotë që ka identifikuar edhe një tjetër punë të përbashkët mes Shpëtim Shijakut dhe dyshes Zoto-Mërtiri.

Në Dhjetor të vitit 2015, Bashkia e Rrogozhinës i prezanton Ministrisë së Mjedisit me projektin për “ndërtimin e impiantit të pastrimit të grykëderdhjes së lumit Shkumbin dhe rikualifikimi i vijës bregdetare Vilë Bashtovë-Rrogozhinë”.

Projekti ishte punuar nga studio “Ave Consulting” e Arben Dervishaj, një tjetër i pandehur tashmë për aferën e inceneratorit të Fierit.

Dokumentat e siguruar nga SPAK në kompjuterin e Klodian Zotos tregojnë se ai ka pasur dijeni paraprakisht për këtë procedurë, të paktën prej janarit 2016, i informuar nga ish-drejtoresha e përgjithshme e koncesioneve në Ministrinë e Mjedisit, Etleva Kondi, edhe kjo e pandehur për rastin e inceneratorit të Fierit.

Në mesin e shkurtit 2016, Ministria e Mjedisit shpall procedurën për impiantin e grykëderdhjes së Shkumbinit deri në Vilë Bashtovë.

Fondi limit për këtë tender është 136.321.418 lekë të reja. Në Prill të vitit 2016, Ministria e Mjedisit shpall fitues të tenderit bashkimin e operatorëve, të përbërë nga “Integrated Technology Service” e Klodian Zotos, “Shijaku” shpk e Shpëtim Shijakut dhe “Zenit Ambiente”, të cilat paraqitën ofertë ekonomike me vlerë 101.240.160 lekë të reja.

Por ka edhe veprime më të rënda se sa zhvatja përmes korrupsionit e tenderave dhe privatizimet e pasurisë shtetërore. Shpëtim Shijaku rezulton I lidhur edhe me paratë e trafikut të drogës.

Një kompani si “Kriol.AL” e themeluar në Tetor të 2021 me vetëm një punëtor të regjistruar, Kristian Koni, ka ngritur dyshime të forta për specialistët e krimit-ekonomik në Tiranë, të cilët në 7 Prill 2025 hapën një dosje të hetimit pasuror, pas dyshimeve mbi aktivitetin e kësaj firme.

Kompania kishte deklaruar fatura shitje në vlerën prej 960 milion lekë të vjetra drejt një kompanie në Poloni, e quajtur “Redenberg” S.P”.

I dënuari për trafik droge dhe vrasje në Itali, kishte ndryshuar dy herë emrin e tij dhe për më tepër kishte zgjedhur të ndryshonte dhe strategjinë e biznesit të tij, nga tregtia e drogës në Itali në tregtinë e pajisjeve dhe makinave drejt një kompanie polake.

Për pak vite ai kishte shitur mall shqiptar drejt Polonisë në vlerën prej 960 milionë lekë të vjetra.

Shifra e madhe e faturave del nga sistemi i Tatimeve, ku “Kriol.AL” ka deklaruar fatura shitje në vlerën e mësipërme. Ndërsa fatura blerje ka vetëm me kompania “Shijaku”.

Nisur nga këto dyshime dhe manovrat e kryera lidhur me veprimet ekonomike për blerjen e një vile në “Rolling Hills” me vlerë mbi 800 mijë euro, prokuroria vlerësoi për sekuestrimin e 21 pasurive të regjistruara në emër të Kristian Konit dhe nënës së tij, Fitnete Meta.

Emri i bisnesmenit kontrovers Shpëtim Shijaku është përfshirë në disa prej dosjeve që SPAK ka nën hetim. Kujtojmë se pak muaj më parë, Shpëtim Shijakut iu pezullua projekti për ndërtimin në Plazhin e Gjeneralit në zonën e Kavajës. Ky veprim është bërë pas hetimeve që ka nisur SPAK ndaj biznesmenit.

Nga akuzat tek sekuestrimi i pasurive dhe finalja në Arbitrazh

Vendimi i Gjykatës së Tiranës i datës 5 qershor 2015, që shpalli në kërkim biznesmenin Francesco Becchetti me dy bashkëpunëtorët e tij Liliana Condomitti (nëna) dhe Mauro De Renzis. Ndërsa në pranga kanë përfunduar Pranvera Gjika, ish-drejtore e një filiali banke në Tiranë dhe Erjona Troplini, pjesëtare e grupit BEG. Ndërkohë, krahas televizionit, gjykata ka sekuestruar edhe katër kompani të tjera, në pronësi të Beketit apo nënës së tij, shoqëri të cilat përgjatë tetë viteve kishin qarkulluar me njëra-tjetrën miliona euro. Prokuroria e Përgjithshme tha zyrtarisht se hetimet kanë filluar në vitin 2014 për veprat penale të pastrimit të parave, mospagimit të taksave apo të falsifikimit të dokumenteve.

Prokuroria, pas miratimit të kërkesës nga gjykata, ka sekuestruar 60% të aksioneve të shoqërisë “AgonSet”. Më pas ka bllokuar shoqëritë “Energji”, “Cable System”, “400KV”, “Fuqi”, si dhe llogaritë e tyre bankare në banka të ndryshme, të gjitha të administruara nga shtetasit Françesko Beketi, Liliana Condomiti, Mauro de Renzis dhe Erjona Troplini. “Ata janë të dyshuar si të përfshirë në një skemë gjigante pastrimi parash, e cila arrin në miliona euro”, thotë akuza qendrore. Sipas saj, njësia Task-Forcë e Prokurorisë së Tiranës, pas një hetimi të nisur në vitin 2014 në bazë të materialit referues nga ana e Policisë së Tiranës, ka siguruar deri më tani prova të mjaftueshme për të krijuar dyshimin e arsyeshëm se personat e mësipërm kanë konsumuar elementet e veprave penale të “falsifikimit të dokumenteve, kryer nё bashkëpunim dhe mё shumё se njё herё” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Sipas vendimit të Gjykatës, pronat duhet të vendosen në sekuestro dhe të merret në administrim nga Agjencia e Administrimit të Pronave të Sekuestruara në Ministrinë e Financave.

“Sipas kontrollit nga dega e Tatim-Paguesve të Mëdhenj, rezulton se ‘Energji’ duhet t’i paguante shtetit një shumë prej rreth 770 milionë lekësh të reja detyrime tatimore, të cilat nuk janë paguar. Për këtë arsye, Drejtoria e Tatimeve ka urdhëruar bllokimin e llogarive bankare të ‘Energji’ dhe pagesën e detyrimeve nga llogaritë e saj. Për të shmangur tërheqjen automatike të parave në favor të Drejtorisë së Tatimeve në formën e detyrimeve të papaguara, koncesionari BEG i ka bërë pagesat për ‘Energji’ nëpërmjet kompanisë ‘Cable System’, e cila kontrollohej në shumicë absolute nga Liliana Condomiti (nëna e Beketit)”, thotë akuza.

Në dosje thuhet se për gjashtë vite, 2007-2013, janë kryer dhjetëra transaksione bankare, të cilat kanë pasur si qëllim pastrimin e parave. “Këto transferta, të cilat arrijnë në 39 milionë euro, janë lejuar në mënyrë të kundërligjshme nga shtetasja Pranvera Gjika, drejtuese në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri”, thuhet në dosje, e cila saktëson se ka urdhëruar bankat e nivelit të dytë të bllokojnë pasuritë e këtyre shoqërive, të dyshuara për pastrim parash. Kërkesat janë depozituar edhe në Hipotekë apo edhe në QKR, që të mos bëjnë veprime për tjetërsimin e këtyre pronave.

Shtetasi Francesco Becchetti në vitin 1997, nëpërmjet kompanisë “Beg s.p.a”, në marrëveshje me qeverinë shqiptare, ka fituar të drejtën koncesionare për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit mbi lumin Vjosë. Më pas, me ndryshimet në marrëveshje në vitin 2007, është legjitimuar pjesëmarrja e një partneri të ri në këtë koncesionar, “Deutsche Bank”. Këta dy operatorë krijuan në Itali kompaninë “Hydro srl”, në të cilën 55% i kishte “Beg” dhe 45% “Deutsche Bank”.

Ndërsa në Shqipëri, në funksion të veprimtarisë koncesionare, këta dy operatorë krijuan kompaninë “Kalivaçi Green Energy” (KGE), e cila ishte 100% në pronësi të “Hydro srl” (pra, të bashkimit ndërmjet “Beg” dhe “Deutsche Bank”), ndërsa kapitali fillestar për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit ishte 150 milionë euro. Sipas marrëveshjes me qeverinë shqiptare, koncesionari duhej të kontraktonte një shoqëri me eksperiencë në ndërtimin e hidrocentraleve. Për këtë arsye, koncesionari (pra “Hydro srl) lidh kontratë me kompaninë “General Contractor” për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit.

Por kjo kontratë nuk hyri në fuqi, pasi kompania koncesionare nuk bëri të mundur sigurimin e kontratës koncesionare me kompaninë italiane “SACE” (ky ishte një kusht që kompania e kontraktuar “General Contractor” të niste punën në Shqipëri). Në këto kushte, kompania koncesionare KGE lidhi një kontratë me shoqërinë “Energy” për kryerjen e disa punimeve, të konsideruara përgatitore.

Sipas Prokurorisë, në këtë moment nis zbatimi praktik i skemës së dyshuar të pastrimit të parave. Shoqëria “Energy” zotërohet 20% nga Mauro De Renzis dhe 80% nga shoqëria italiane “Construcione”, e cila nga ana e saj zotërohet në masën 99,5 % nga shtetasja italaine Liliana Condomitti, nëna e Francesco Becchetti-t.

Ky i fundit ka nënshkruar kontratën koncesionare dhe ka qenë deri në muajin tetor të vitit 2013 kryetar i këshillit mbikëqyrës të shoqërisë KGE, madje “de fakto” është sjellë si administrator dhe pronar i të gjitha shoqërive të sipërcituara. Nga hetimi ka rezultuar se Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, gjatë viteve 2012 dhe 2013, ka ushtruar kontroll mbi zbatimin e marrëveshjes së koncesionit.

Nga kontrollet e ushtruara, ka rezultuar se gjatë zbatimit të punimeve ka mungesa të theksuara dokumentacioni, nuk ka projekt të nënshkruar, raporte supervizimi të kryerjes së punimeve. Edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit janë konstatuar një sërë parregullsish në punimet dhe dokumentacionin e mbajtur nga shoqëria, si dhe rezultojnë plot vonesa të kryerjes së punimeve.

Më 28 mars 2023, Becheti fitoi përfundimisht në përballjen me qeverinë shqiptare, pasi Arbitrazhi i Bankës Botërore ka rrëzuar rekursin e qeverisë Rama dhe i ka dhënë të drejtë biznesmenit italian duke lënë në fuqi vendimin e marrë më herët.

Qeveria shqiptare është rrëzuar në të gjitha kërkesat e saj. Vendimi i lënë në fuqi dhënë po nga qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve i jepte të drejtë pretendimeve të biznesmenit italian, Francesco Becchetti dhe familjarëve të tij në biznes, në padinë e ngritur prej tij kundër Shtetit Shqiptar, duke gjetur se “pala përgjegjëse shpronësoi në mënyrë të paligjshme interesat e paditësve në kompaninë mediatike shqiptare Agon Set sh.p.k (“Agonset”). Në vendim thuhet se për Francesco Becchetti dhe 2 ortakët e tij do të përfitojnë si dëmshpërblim duke llogaritur interesat rreth 108 milionë dollarëve.

©️Copyright Gijotina.com 

Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Etiketa: ankandEdi RamaFrancesko BechettiShpetim Shijaku

Lajme të lidhura

“Mos na i merrni fëmijët”, Nëna e Martin Canit reagon pas vdekjes së adoleshenti në Durrës
Aktualitet

“Mos na i merrni fëmijët”, Nëna e Martin Canit reagon pas vdekjes së adoleshenti në Durrës

23:17 - 04/12/25
Skema e Ballukut dhe Berberit për “qethjen” e tenderave energjisë, përfituese “Net Group”, miliona euro edhe kompanisë së sanksionuar nga SHBA
Breaking Views

Skema e Ballukut dhe Berberit për “qethjen” e tenderave energjisë, përfituese “Net Group”, miliona euro edhe kompanisë së sanksionuar nga SHBA

22:25 - 04/12/25
Salianji i kundërpërgjigjet Berishës: Takimet i kam bërë me strukturat, PD të riformatohet
Breaking Views

Salianji i kundërpërgjigjet Berishës: Takimet i kam bërë me strukturat, PD të riformatohet

22:10 - 04/12/25
Para
Hysaj rrezikon të bëhet “spektator me pagesë” te Lacio

Hysaj jashtë listës, mbrojtësi kuqezi pritet të largohet nga Lazio në janar

Discussion about this post

TË FUNDIT

“Mos na i merrni fëmijët”, Nëna e Martin Canit reagon pas vdekjes së adoleshenti në Durrës
Aktualitet

“Mos na i merrni fëmijët”, Nëna e Martin Canit reagon pas vdekjes së adoleshenti në Durrës

23:17 - 04/12/25

Florina Cani, nëna e 15-vjeçarit Martinit, i cili u vra një vit më parë në Tiranë nga një bashkëmoshatar, ka...

Lexo më shumë
Skema e Ballukut dhe Berberit për “qethjen” e tenderave energjisë, përfituese “Net Group”, miliona euro edhe kompanisë së sanksionuar nga SHBA

Skema e Ballukut dhe Berberit për “qethjen” e tenderave energjisë, përfituese “Net Group”, miliona euro edhe kompanisë së sanksionuar nga SHBA

22:25 - 04/12/25
Salianji i kundërpërgjigjet Berishës: Takimet i kam bërë me strukturat, PD të riformatohet

Salianji i kundërpërgjigjet Berishës: Takimet i kam bërë me strukturat, PD të riformatohet

22:10 - 04/12/25
Salianji me ironi ndaj Berishës: Rama nuk ikën me muzikë poshtë zyrës

Salianji me ironi ndaj Berishës: Rama nuk ikën me muzikë poshtë zyrës

21:58 - 04/12/25
“Doktor ke shumë servila rreth vetes”, Militanti i PD-Berishës: Në Lezhë jemi pa kryetar partie…

“Doktor ke shumë servila rreth vetes”, Militanti i PD-Berishës: Në Lezhë jemi pa kryetar partie…

20:50 - 04/12/25

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com