Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka refuzuar ftesën e Sali Berishës për bashkim opozitar, duke deklaruar se kreu i Partisë Demokratike nuk përmbush kushtet për të udhëhequr një opozitë morale dhe serioze kundër qeverisë së Edi Ramës.
I ftuar në emisionin “Prime”, Qori e cilësoi Berishën, krahas Ramës, si një nga problemet kryesore të politikës shqiptare. Ai kritikoi qëndrimet e kreut të PD-së dhe vuri në dyshim besueshmërinë e tij për të udhëhequr një bashkim të forcave opozitare.
“E keqja e madhe e Shqipërisë janë Rama dhe Berisha. Ramën duhet ta rrëzojë një opozitë morale. Berisha, si lider i PD-së, del dhe thotë fjalën më të zezë dhe më pas e lëpin atë që ka pështyrë. Politika duhet të jetë parimore, serioze dhe Berisha nuk plotëson këto kushte. Është në pikëpyetje fakti nëse Sali Berisha është opozitar i vërtetë. Berisha është i akuzuar vetë nga SPAK dhe ironikja është se Sali Berisha bën thirrje për bashkim opozitar nga Struktura e Posaçme”, deklaroi Qori.
Kreu i Lëvizjes Bashkë u ndal edhe te protestat qytetare, duke theksuar se kërkesat e pjesëmarrësve shkojnë përtej largimit të kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, protestuesit kërkojnë ndryshimin e sistemit politik që ka dominuar vendin për 36 vite.
“Në protesta, kërkohet rrëzimi i qeverisë, por edhe rrëzimi i një sistemi të vjetër që sundon prej 36 vitesh. Unë më 28-29 nëntor pres një masë të jashtëzakonshme njerëzish. Studentët dhe qytetarët do ta rrëzojnë këtë qeveri. Ky palo-kryeministër duhet të jepte dorëheqjen, me kaq shumë njerëz që ka në sheshe”, deklaroi Qori.
Qëndrimi i kreut të Lëvizjes Bashkë e bën të qartë se ai nuk e sheh bashkimin nën drejtimin e Berishës si rrugën për largimin e Ramës. Për Qorin, ndryshimi politik duhet të vijë nga një opozitë që nuk përfaqëson figurat dhe praktikat e sistemit të vjetër.









Discussion about this post