Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste për ta vendosur përplasjen politike në vend përballë procesit të integrimit europian. Në fjalën e tij, kryeministri e cilësoi protestën si një ofensivë dhune, që sipas tij, në dukje drejtohet kundër qeverisë, por në të vërtetë synon të pengojë mënyrën se si mazhoranca kërkon ta çojë Shqipërinë përpara.
Rama e ndërtoi këtë argument politik mbi raportin më të fundit të Komisionit Europian për zgjerimin dhe kërkesën për nisjen e përgatitjeve të traktatit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Por këtu lind edhe një çështje që kryeministri nuk e sqaroi. Çfarë lidhjeje konkrete ka protesta kundër qeverisë me përgatitjen e traktatit të anëtarësimit dhe përse kundërshtimi politik duhet të interpretohet si kundërshtim ndaj rrugëtimit europian të vendit?
Ai e ndërtoi fjalën mbi nevojën që politika të ngrihet mbi zhurmën dhe tymin, duke e paraqitur momentin e integrimit si një përgjegjësi që duhet të mbizotërojë mbi konfliktet e brendshme.
“Protesta u kthye në ofensivë dhune kundër rrugës që po merr Shqipëria “Kush udhëheq duhet të kuptojë se ku ndodhet vendi pikërisht atëherë kur zhurma dhe tymi ngrihen më lart se zakonisht. Duhet të kuptojë se çfarë është e rëndësishme në ato që janë arritur, çfarë rrezikon të humbasë vendi nën presionin e zhurmës dhe pengesën e tymit dhe si duhet ushtruar përgjegjësia e drejtimit pa humbur kthjelltësinë e shikimit. Ky është një moment i tillë.
Në raportin më të fundit për zgjerimin, KE-ja ka shkruar një frazë, e cila nuk ka zënë vend, se s’ka se si të zërë vend asgjë që ka një rëndësi domethënëse për ecurinë e vendit, në kushtet kur vendi po jeton nën presion të brendshëm përmes instrumentalizimit politik të një proteste të nisur për arsye krejt të tjera dhe të degraduar në një ofensivë dhune, në dukje kundër qeverisë, por në fakt kundër mënyrës se si ne duam që Shqipëria të shkojë përpara”, tha Rama në Asamblenë e PS-së.
Në këtë mënyrë, Rama e zhvendosi diskutimin nga arsyet që sollën protestën te pasojat politike që ai i atribuon asaj.
Kryeministri nuk u ndal te kërkesat fillestare të protestuesve, megjithëse pranoi se protesta kishte nisur për arsye të tjera. Ai u përqendrua te dhuna dhe te interpretimi se përplasja synon drejtimin politik që mazhoranca i ka dhënë vendit.
Në pjesën tjetër të fjalës, Rama u kthye te Komisioni Europian dhe te perspektiva e anëtarësimit.
“I kërkohet Këshillit Europian të nisë përgatitjet për të hartuar Traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, tha ai, duke e cilësuar këtë zhvillim si moment historik për vendin dhe për Partinë Socialiste.
Kryeministri shkoi më tej, duke e paraqitur afrimin me Bashkimin Europian si përfundimin e një rrugëtimi që, sipas tij, PS-ja e mori përsipër në vitin 2013, kur gjeti një vend me borxhe, probleme financiare dhe mungesë shprese.
“Faqja e fundit e historisë që po e shkruajmë ne, PS, e paarritshme deri dje, por sot, e prekshme”, deklaroi Rama.
Kryeministri u mundua gjatë fjalimit të tij para Asamblesë që ecurinë e integrimit dhe sukseisn ta lidhte vetëm me bilancin pozitiv të qeverisjes së tij.
Megjithatë, përgatitja e traktatit nuk është e njëjtë me përfundimin e procesit të anëtarësimit. Shqipëria duhet të përmbushë detyrimet që lidhen me negociatat, ndërsa institucionet europiane dhe shtetet anëtare duhet të marrin vendimet përkatëse.
Edhe reforma në drejtësi, të cilën Rama e përmendi si një nga përplasjet e mëdha me interesa të rrënjosura, mbetet pjesë e rëndësishme e këtij procesi.
Pikërisht këtu qëndron edhe dallimi mes mesazhit politik të kryeministrit dhe procesit institucional të integrimit. Rama kërkon që përparimi drejt BE-së të shërbejë si argument për të kapërcyer konfliktin politik, ndërsa vetë procesi europian kërkon rezultate konkrete në reforma, funksionimin e institucioneve dhe shtetin e së drejtës.
Në fjalën e tij, kryeministri nuk paraqiti ndonjë vlerësim të Komisionit Europian që ta lidhte protestën e fundit me rrezikimin e negociatave të anëtarësimit.
Ai bëri një interpretim politik të situatës së brendshme, duke e vendosur përballë një zhvillimi që e konsideron historik.
Pavarësisht se Rama kërkon që politika të shohë përtej protestës dhe konfliktit, fjalimi i tij i gjatë, nuk shpjegon përse kundërshtimi ndaj qeverisë duhet të trajtohet si kundërshtim ndaj integrimit europian.
Traktati i anëtarësimit është një proces mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, ndërsa protesta është një çështje e politikës së brendshme.
Lidhjen mes të dyjave, të paktën në këtë fjalim, e bëri vetë Edi Rama.










Discussion about this post