Shqipëria, ajo e futbollit, e sportdashëve dhe tifozëve të zjarrtë vuri pikat mbi “I” mbrëmjen e së enjtes jo thjesht për të marrë pjesë në Euro2024, por duke iu imponuar Europës, me kokën lart, se vendi i vogël i shqiponjave nuk është thjesht në surprizë.
Shqipëria e futbollit dje u rrëmbeu çdo dekoratë, ofiq, apo titull, çdo shtetari e pushtetari, çdokujt prej atyre që në tërë këto vite e dekada, janë munduar të vjedhin çdo sakrificë e meritë, të atyre që dje, sot apo në vijim, mund të rikthejnë shpresën te një popull që ndjehet krenar, ndoshta më shumë se për çdo gjë tjetër.
Në 8 vjet, Shqipëria është dy herë pjesë e Europianëve. Herën e parë në Francë, atje ku shkuan ballëlartë dhe dikush i veshur me petkun e Kryeministrit u mundua të vjedhë çdo meritë, madje ishte gati të shpikte çdo teori konspiracioni për të bindur të madh e të vogël se po të mos ishte Ai, nuk do e provonim një shije të tillë.
Sot pas 8 vitesh, Shqipëria është drejt Gjermanisë, në europianin e 2-të, por me një dallim: këtë rradhë është një ekip që ngjall frikë te kundërshtarët, që s’ka pasur nevojën e pikëve në tavolinë, dhe që luan në fushë pa pasur kompleksin se përballë kanë një kundërshtar që mund të ketë në përbërje 1, 2 apo 3 yje futbolli.
Merita kryesore natyrisht është e ekipit që jep shpirtin në fushë, që luan me zemër dhe ngreh peshë shqiptarët anembanë Botës.
Dikush mund të thotë se kombëtarja nuk ka vuajtur për lojtarë, gjithmonë ka pasur në ekip emra me peshë, të aktivizuar në kampionatet me nivelin mbi mesatar. Po është e vërtetë, ka pasur dhe ka, sikundër në të ardhmen do të ketë edhe më shumë.
Por këtë rradhë janë bërë bashkë ekipi dhe trajneri, të dy funksionojnë si ato “orët zvicerane”, me saktësi maksimale. Sylvinho, ndoshta për herë të parë, po aplikon te Shqipëria e futbollit, skemën e një ekipi sulmues, që edhe shumë prej tifozëve më të zjarrtë ishin dyshues dhe spektikë.
Koha tregoi se braziliani u soll në Shqipëri dhe morri drejtimin e ekipit, jo thjesht për të mbushur një vend në pankinë, por për të lënë gjurmë, pse jo edhe për të rritur kredencialet e tij.
Sylvinho arriti të ndryshojë mentalitetin në një ekip që bënte volum loje, por s’kishte rezultate, që në jo pak raste dorëzohej edhe në sekondat e fundit të takimit. Dhe kjo është merita e teknikut Brazilian.
Më në hije, por me një rol përcaktues e domethenës në sukesin e Shqipërisë së futbollit, qëndron Armand Duka. Presidenti legjendar i FSHF-së, që duket se është si ajo valvula, pa të cilën i gjithë mekanizmi dështon.
Dikush apo shumëkush mund të pyesë se ç’hyn Presidenti i FSHF në suksesin e Kombëtares?
Në fakt Armand Duka ka meritën se ngriti të gjithë infrastrukturën, të dukshme e të padukshme, herë duke u përplasur dhe herë duke krijuar qejfmbetje, herë duke prodhuar sulme e herë duke mbajtur mbi supe epitete e akuza.
Koha po tregon se kreu i FSHF ka pasur një vizion të qartë, një objektiv jo thjesht për të siguruar kushtet për një kombëtare që bënte lojë, por s’kishte rezultat, por për një Shqipëri të futbollit që kishte vendin e saj në arenën europiane, pse jo edhe atë Botërore. Dhe këtë ia ka arritur, madje edhe skeptikët më të mëdhenj, sot nuk mund të thonë që është një rastësi.
Ky sukses është shpërblimi më i mirë i asaj punës së padukshme ndoshta që nis që me ato ekipet e moshave, me ato fushat e futbollit, me ato ambientet sportive.
E nëse njerëz të veshur me kostumin politik, të ulur në karrige pushteti, do e kishin më kollaj që atë hapësirën ta kthenin në një shesh ndërtimi për kulla, Duka i FSHF tregoi se ato fushat e futbollit dhe ambientet sportive, prodhojnë shumë më shumë emocione e dhurojnë shumë më shumë gëzim, sesa çdo manekin politik që deri dje përbetohej se kishte “këmborë” hekuri.
Me suksesin e kombëtares, Duka i ka kthyer përgjigjen më të mirë, gjithkujt që e shihte FSHF si një ishull që duhej pushtuar, sepse në të kundërt Ai që mburrej se i kishte të “hekurta” do të lëvizte çdo gur e mur derisa të rrëmbente atë që mendonte se i takonte.
Në fakt nëse dje, sot dhe nesër shqiptarët që gëzohen e festojnë për Shqipërinë e futbollit, e kanë të qartë se ky sukses erdhi sepse nuk u arrit të pushtohet ai ishulli, që ka emërtesën Federata Shqiptare e Futbollit, dhe kjo është merita më e madhe e Armand Dukës.
Nëse pushtuesi me “këmborë” hekuri do t’ia arrinte ta pushtonte, të jeni të sigurtë se sot do të kishe një kombëtare ku trajneri do të ishte patronazhist, në rastin më të keq, dhe në rastin më të mirë do të ishte dikush i rrethuar nga patronazhistët, që do të diktonin jo vetëm përbërjen e ekipit, por edhe grupimet e tifozëve.
Ndaj, jo për elozhe, ata që gëzohen nga Shqipëria e futbollit duhet të kenë parasysh se kur falenderojnë dhe brohorasin për lojtarët kuqezinj, kur lumturohen nga skemat e trajnerit Brazilian Sylvinho, minimalisht duhet të falenderojnë Armand Dukën, qoftë dhe vetëm se i rezistoi presionit dhe nuk e dorëzoi “ishullin” te pushtuesi.
E nëse sot lojtarët i quajmë ambasadorët më të mirë në imazhin e Shqipërisë, trajnerin e konsiderojmë si arkitektin e rritjes së këtij imazhi, Duka është ai Presidenti, që mundësoi që mekanizmi të funksionojë me saktësi dhe natyrisht përmes tij, të mendoni se në Gjermani nuk shkohet si vetëm si emigrant, as si një i pashpresë në vendin e tij, por edhe si tifoz kokëlart që tund flamurin dhe mban plisin në kokë.
Discussion about this post