Teksa në Tiranë protestohet për dorëheqjen e tij, kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel, ku ka folur për integrimin e Serbisë në Bashkimin Europian dhe nevojën që Beogradi të mos largohet nga projekti europian.
Gjatë një interviste me gazetaren Maria Tadeo në samitin e Euronews për zgjerimin e BE-së, Rama deklaroi se Serbia përbën një pjesë të rëndësishme të Ballkanit Perëndimor dhe se vendet e rajonit kanë interes që ajo të bëhet anëtare e Bashkimit Europian.
Kryeministri theksoi se ka mbështetur vazhdimisht perspektivën europiane të Serbisë, pavarësisht qëndrimit të Beogradit ndaj Kosovës dhe sanksioneve kundër Rusisë.
Rama pranoi se Beogradi nuk ka treguar gatishmëri për njohjen e Kosovës, por këmbënguli se Serbia nuk duhet të braktisë procesin e integrimit europian.
Në përfundim, ai deklaroi se Serbia duhet ta meritojë anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke përmbushur kushtet që Brukseli i konsideron të panegociueshme.
“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë.
Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor.
Kam qenë avokat që nuk duhet ta lëmë Serbinë të shkojë në drejtimin e gabuar dhe të braktisë projektin evropian. Nga ana tjetër, e dimë si shkojnë gjërat.
Kur bëhet fjalë për aspekte të caktuara, Serbia ka dëshmuar një hezitim ndaj Kosovës, por edhe për qëndrimin që mban karshi Rusisë dhe sanksioneve.
Na duhet Serbia të jetë me ne, të jetë pjesë e fqinjësisë dhe të jetë pjesë e plotë e BE-së, por duhet të tregojë rezultate dhe ta meritojë këtë përkatësi, duke realizuar atë që është e panegociueshme me BE-në”.-u shpreh Rama.










Discussion about this post