Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj Partisë Demokratike Europiane pas debatit për bllokimin e llogarive të opozitës dhe aktivistëve shqiptarë në rrjetet sociale. Rama akuzoi Demokratët Europianë për “aludim të turpshëm”, ndërsa këta të fundit këmbëngulin se kanë kërkuar vetëm transparencë nga Meta dhe Komisioni Europian.
Kryeministri Edi Rama ka vijuar përplasjen në distancë me Partinë Demokratike Europiane (EDP), pas shqetësimeve të ngritura prej saj lidhur me kufizimin ose çaktivizimin e dhjetëra llogarive të opozitës dhe aktivistëve shqiptarë.
Në një reagim në platformën X, Rama e cilësoi qëndrimin e Demokratëve Europianë si “një tjetër nivel të ulët”, duke pretenduar se postimi i tyre i mëparshëm përmbante një aludim të papranueshëm ndaj tij.
“Jo, ky është një tjetër nivel i ulët. Ajo që më revoltoi ishte aludimi juaj i turpshëm vizual dhe fakti që refuzoni ta adresoni tregon saktësisht se çfarë lloj demokratësh jeni. Për të ardhur keq!”, shkroi Rama.
Reagimi i kryeministrit shoqërohej edhe me postimin grafik të Demokratëve Europianë, ku shfaqej fotografia e tij dhe mbishkrimi: “Me sa duket, Ramës nuk i pëlqyen pyetjet tona…”. Në grafik pretendohej se qindra llogari të opozitës shqiptare ishin bllokuar dhe se EDP i kishte kërkuar Meta-s dhe Komisionit Europian përgjigje për rastin.
No, this is another low. What I abhorred was your shameless visual insinuation, and the fact that you refuse to address it shows exactly what kind of democrats you are. Pity! pic.twitter.com/UGbDknNCNd
— Edi Rama (@ediramaal) September 3, 2026
Reagimi i Demokratëve Europianë
Reagimi i Ramës erdhi pasi Demokratët Europianë iu përgjigjën kritikave të tij, duke theksuar se nuk kishin pretenduar se qeveria shqiptare ishte përgjegjëse për pezullimin e llogarive.
“Kryeministër Edi Rama, fyerjet nuk u përgjigjen pyetjeve. Dhe ndoshta duhet ta lexoni dy herë atë që kemi shkruar në të vërtetë përpara se të na sulmoni”, thuhej në reagimin e publikuar në emër të sekretarit të përgjithshëm të EDP-së, Sandro Gozi.
Sipas tyre, kërkesa kishte të bënte me transparencën mbi atë që kishte ndodhur.
“Ne kurrë nuk pretenduam se qeveria juaj ishte përgjegjëse për pezullimin e këtyre llogarive. E mirëpresim mohimin tuaj kategorik. Ne thjesht i kërkuam Meta-s transparencë dhe Komisionit Europian që të shqyrtojë rastin”, deklaroi Gozi.
Ai argumentoi se kufizimi ose çaktivizimi në të njëjtën kohë i dhjetëra llogarive të opozitës dhe aktivistëve përbën një çështje që, sipas EDP-së, meriton vëmendje.
“Në një demokraci, të bësh pyetje nuk është ‘agjitacion’. Dhe demokratët europianë do të mbrojnë gjithmonë pluralizmin politik dhe lirinë e shprehjes , në Shqipëri dhe kudo tjetër”, shtoi Gozi.
Nga reagimi i fundit i Ramës, kundërshtia e tij duket se përqendrohet jo vetëm te përmbajtja e deklaratës së EDP-së, por edhe te mënyra vizuale me të cilën kjo çështje është paraqitur.
Kryeministri e cilësoi grafikën e publikuar nga Demokratët Europianë si një “aludim të turpshëm”, ndërsa EDP ka mohuar se ka akuzuar drejtpërdrejt qeverinë shqiptare për bllokimin e llogarive.








Discussion about this post