Në progres-raportin të publikuar ditën e sotme KE ka cilësuar se, qeveria shqiptare duhet të ketë parasysh që, media është pushtetit i katërt dhe nuk duhet cenuar liria e saj. KE deklaron se sulmet e raportuara kundër gazetarëve nuk kanë rezultuar në asnjë dënim përfundimtar dhe kjo çështje nuk duhet të kalohet me kaq.
“Atmosfera e sulmeve verbale, fushatave shpifëse dhe akteve të frikësimit ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar. Tensionet midis aktorëve politikë dhe gazetarëve janë rritur gjatë krizës COVID-19 dhe në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare. Sulmet e raportuara kundër gazetarëve nuk kanë rezultuar në asnjë dënim përfundimtar”, thuhet në raport.
Vetë-rregullimi i mediave është një tjetër çështje e trajtuar në raport, por edhe debati mbi paketën “anti-shpifje” të iniciuar nga shumica sociale për të cilën Komisioni i Venecias kishte shumë rezerva. KE kërkon vetë-rregullim dhe hapa të kujdesshëm në çdo vendim, ndërsa shprehet se i qëndron vendimit që paketa anti-shpifje nuk duhet të kalojë për votim në Kuvend
“Hapat për ta bërë plotësisht funksionale autoritetin rregullator audio-viziv duhet të ndërmerren në një mënyrë që siguron pavarësinë dhe legjitimitetin e tij. Pavarësia, standardet profesionale dhe qëndrueshmëria financiare e transmetuesit të shërbimit publik duhet të forcohen.
Pas opinionit të pafavorshëm të Komisionit të Venecias dhe kritikave të gjera mbi projekt -ndryshimet në ligjin për mediat që synojnë rregullimin e mediave online dhe disa aspekte të “shpifjes”, përfaqësuesit e shumicës qeverisëse u angazhuan publikisht për të siguruar që çdo legjislacion i ri për mediat të jetë në përputhje me Rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe në konsultim me organizatat e medias. Qeveria e rishqyrtoi çështjen dhe Kuvendi nuk iu kthye çështjes”, thuhet në raport.
KE kujton që, po të cenohet liria e medias dhe fjala e lirë qeveria i hap më shumë rrugë korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe iu lehtëson rrugën zyrtarëve të lartë të korruptuar. Prandaj në raport theksohet se qeveria duhet të lërë mediet të bëjnë punën e tyre dhe se KE gjithmonë do jetë kundër paketës anti-shpifje.
Isabel Santos thirrje BE-së: Mjaft më me shtyrje! Dua datën e Konferencës së Parë për Shqipërinë dhe RMV-në
Raportuesja për Shqipërinë në PE, Isabel Santos, i ka bërë thirrje publike BE që të mos zvarrisë më procesin e integrimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në konferencën e zhvilluar sot për prezantimin e progres-raporti, ajo i ka kërkuar BE që të përcaktojë sa më parë datën për mbledhjen e para ndërqeveritare për të dy vendet.
“Ne po diskutojmë këtë paketë pa pasur dokumentet. BE duhet të mbajë fjalën për negociatat e Shqipërisë dhe M. Veriut. Ata kanë punuar dhe nuk po jepet rezultati i pritur për ta. Doja të dëgjoja prej jush një datë për konferencën e parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe M. Veriut. Vazhdoni thoni muajin tjetër, muajin tjetër, dhe akoma nuk kemi parë gjë. Njerëzit kërkojnë rezultate dhe duhet t’i japim këto rezultate“, tha Santos.
Isabel Santos theksoi se njerëzit duan rezultate dhe nuk duan të dëgjojnë më shtyrjet që i është bërë herë pas here datës së konferencës së parë, prandaj dhe i kërkoi një datë të saktë kur do të mbahet.
Më tej, raportuesja deklaroi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë punuar për Konferencën e Parë Ndërqeveritare dhe nuk po jepet një vendim pozitiv për ta.
KE: Korrupsioni, problem mbizotërues, SPAK dhe GJKKO të bëjnë si duhet punën e tyre
Në progres-raportin e publikuar ditën e sotme, KE përveç se ka kërkuar integrimin sa më parë të Shqipërisë në BE, ka vënë në dukje edhe problemet të cilat duhet të reduktojë qeveria në vazhdim. Në raport thuhet se, kaosi në sistemin e drejtësisë dhe niveli i lartë i korrupsionit vijojnë të mbeten problem. Sipas tij, është detyrë e institucioneve të drejtësisë të rrisin luftën antikorrupsion.
“SPAK dhe Gjykata për Antikorrupsionin dhe Krimin e Organizuar duhet të ngrenë më lart aftësitë e tyre hetimore në ndjekjen e korrupsionit, i cili mbetet një shqetësim serioz, sepse mbizotëron në shumë fusha të jetës publike e private’, thuhet në raport.
Në raport thuhet se, në luftën ndaj krimit të organizuar janë bërë përgatitje në fushën e ligjeve dhe bashkëpunimit me Europol sa i takon pastrimit të parave, organizatave kriminale dhe trafikimit të drogave.
“Shqipëria vazhdon të shtojë luftën kundër drogës, ndërsa policia ka regjistruar mbi 2 mijë çështje të prodhimit, kultivimit dhe trafikimit të drogave tek prokurorët gjatë vitit të kaluar”, thuhet në raport.
Kërkesa për opozitën
Përmes këtij raporti, KE ka renditur edhe disa kërkesa për opozitën shqiptare, e cila duhet të luaj si duhet rolin e saj për të çuar përpara reformën në drejtësi dhe jo vetë,. Konkretisht, KE shprehet se opozita duhet të bashkëpunojë më shumë dhe të gjejnë dialogun e përbashkët me mazhorancën.
“Zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit u mbajtën pas marrëveshjes shumë partiake të 5 qershorit 2020, dhe sipas OSBE ato ishin përgjithësisht të mirëorganizuara. Në legjislaturën e re shumica dhe opozita duhet të përmirësojnë dialogun politik dhe të punojnë së bashku për agjendën e reformës për hapjen e negociatave me BE-në. Decentralizimi i kompetencave të pushtetit vendor, fuqizimi i bashkive dhe autonomia fiskale e tyre duhet të ecë paralel me reformën territoriale për të rritur shërbimet ndaj qytetarëve. Përparim i kufizuar u bë për të krijuar një klimë të nevojshme për shoqërinë civile, po ashtu edhe në rritjen e kapaciteteve të administratës publike për reformat”, thuhet në dokument.
Problemet me barazinë gjinore
Sipas KE, jo pak problem mbetet edhe barazia gjinore, për shkak se ende nuk ka arritur në nivelin e duhur. Në raport thuhet se, barazia gjinore në Shqipëri vazhdon të ketë boshllëqe dhe një strategji e re në nivel kombëtar dhe vendor pritet të sjellë përmirësime. Indeksi i barazisë gjinore në Shqipëri është ende më poshtë se ai i BE-së.
“Dhuna në familje vazhdon të sjellë vrasje të grave, ndërsa një pjesë tjetër ka nevojë për streha, fondet për të cilat u rritën. Të drejtat e fëmijëve janë të mbrojtura mirë me ligje, ndërsa institucionet po fuqizohen për t’i zbatuar ato. Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve ka trajtuar gjatë vitit të kaluar mbi 2 mijë raste dhune ndaj fëmijëve. Në Shqipëri, 60 për qind e abuzimeve seksuale janë kryer kundër fëmijëve”, thuhet në raport.
Në përfundim KE, ka vlerësuar se Shqipëria është gati për të hyrë në BE, por duhet të rregullojë patjetër problematikat e evidentuara më lartë. Ndërsa kujtojmë se BE vazhdon të shtyjë mbledhjen e parë ndërqeveritare për vendin tonë, duke gjetur si shkak problemin mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Varhelyi: Çështja Bullgari-RMV mos të bëhet pengesë
Komisioneri për zgjerim, Oliver Varhelyi ka deklaruar ditën e sotme se, Shqipëria është gati për të hyrë në BE, pasi i ka plotësuar të gjitha kushtet e lëna si detyrë. Ndër të tjera ai i bëri thirrje BE që të mos lejoj problemin mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të bëhet pengesë për integrimin e Shqipërisë. Ai vlerësoi reformat e marra së fundmi nga Shqipëria dhe tha se ka shpresë që do të përmirësohet më shumë reforma në drejtësi.
“Shqipëria i ka plotësuar kushtet që i kemi kërkuar, problemet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të mos bëhen pengesë për integrimin e Shqipërisë
Duhet të forcojmë bashkëpunimin rajonal. Sa punë duhet, e sa duhet investuar tek kjo marrëdhënie. Do të maksimalizojmë përfitimet e infrastrukturës dhe zhvillimit rajonal. Duhet të kemi marrëdhënie të mira fqinjësie. Këtë vit besueshmëri sa i përket raportit. Janë ndërmarrë reforma të rëndësishme. Nëse partnerët tanë do të bëjnë detyrën e tyre për reformat. Lënia pezull e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ka zhgënjyer rajonin. Të dyja vendet kanë ndërmarrë reforma të rëndësishme. Është esenciale për besueshmërinë e BE-së.
Shqipëria ka bërë reforma të mira. Zgjedhjet ishin të organizuara mirë, presim progres të mirë në luftën e krimit, dhe lirinë e medias”, tha ai.
Komisioneri bëri këtë deklaratë sot gjatë prezantimit të raportit vjetor të KE për Shqipërinë, mbi përparimin e saj në procesin e anëtarësimit në BE.