Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka publikuar raportin vjetor për luftën kundër korrupsionit, duke evidentuar një rritje të ndjeshme të çështjeve dhe personave nën hetim gjatë vitit 2024.
Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, Prokuroria e Posaçme ka ndjekur një qasje aktive duke hetuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të lartë.
Gjatë vitit 2024, rezultojnë të jenë nën hetim 33-ish zyrtarë të lartë (ku dy prej tyre janë të regjistruar në dy procedime të ndryshme secili), nga të cilët 19 zyrtarë janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim. Nga numri total i ish-zyrtarëve të lartë nën hetim, 19 prej tyre janë dërguar në gjykatë, që përfaqëson 52,9% të rasteve.
Në krye të problematikave që duhen adresuar, SPAK thotë se është “Presioni i jashtëm nga krimi i organizuar, aktorë politikë dhe mediatik, i cili cenon pavarësinë e tij kushtetuese dhe efektivitetin në hetime. Ndërhyrjet e jashtme rrezikojnë gjithashtu, integritetin e prokurorëve dhe të procesit hetimor. Për të garantuar pavarësinë e SPAK-ut, si dhe mbështetje për prokurorët në çështje të ndjeshme, nevojitet një reagim më i koordinuar dhe në kohë i të gjitha institucioneve, të cilat kanë përgjegjësinë e mbrojtjes së integritetit të SPAK.”
Nga trafiku i drogës te komunikimet e bandave në Sky Ecc, SPAK: Identifikohen 16 grupe kriminale
Prokuroria e Posaçme ka zbuluar detaje lidhur me trafikun e drogës dhe mënyrës si funksionojnë grupet kriminale shqiptare.
Sipas të dhënave, në vend janë identifikuar 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të cilat janë aktive në qarqet e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Elbasanit dhe Vlorës.
“Nga veçoritë dalluese të këtyre grupeve kriminale është struktura e tyre hierarkike, ndarja e roleve, përfshirja në anëtarësinë e tyre të përfaqësuesve të gjyqësorit, prokurorisë, policisë së shtetit, medias dhe botës akademike. Disa tipare të tjera të veçorive të këtyre grupeve janë përdorimi i komunikimeve të koduara si ECC dhe pastrimi i parave nëpërmjet kriptovalutave”, thuhet në raportin e SPAK.
Sipas SPAK, këto grupe vijojnë të jenë aktive në tregjet ndërkombëtare të drogës, kryesisht në trafikun e kokainës dhe kanabisit, me një shtrirje të konsiderueshme në disa shtete të Bashkimit Evropian (BE) dhe më gjerë.
Kokaina kryesisht porositet në sasi të konsiderueshme në Bolivi, Meksikë, Peru, Ekuador, dhe Paraguai. Në raport thuhet se këto dërgesa kalojnë në BE dhe Ballkanin Perëndimor kryesisht nëpër porteve hyrëse të Gioia Tauro (Itali), Roterdam (Holandë), Antwerp (Belgjikë), Algeciras (Spanjë), Pire (Greqi), si dhe nëpërmjet porteve të Durrësit (Shqipëri) dhe Tivarit (Mal i Zi).
Po ashtu, shumë prej eksponentëve kryesorë të këtyre grupeve janë vendosur në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Përveç trafikut të drogës, raporti i SPAK thekson se grupet kriminale shqiptare janë gjithashtu të përfshira në aktivitetet e kontrabandës së qenieve njerëzore dhe krimit kibernetik.
Ndër të tjera, këto grupe kriminale sipas SPAK, përdorin teknologji të avancuar për të mbajtur komunikimet sekrete, duke aplikuar sisteme të koduara si ECC.
“Administrimi i të dhënave nga ECC, i kombinuar edhe me prova të tjera, ka mundësuar identifikimin e të paktën 9 prej këtyre grupeve kriminale”, thotë SPAK në raport.
Pjesë nga raporti i SPAK
Trafiku i Drogës
Grupet kriminale shqiptare vijojnë të jenë aktive dhe kryesisht në trafikun e kokainës dhe të kanabisit. Këto grupe janë aktive në disa shtetet të Bashkimit Evropian (BE), kryesisht në Itali, Spanjë, Belgjikë, Holandë, Francë, Gjermani, si dhe në vende të tjera si Norvegjia, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar (MB). Këto gjetje përputhen edhe me gjetjet raporti të vitit 2024 i Europol. Siç kemi theksuar edhe në raportin vjetor të SPAK për vitin 2023, grupet kriminale shqiptare kanë arritur tashmë të sigurojnë blerjen e kokainës në vendet e prodhimit të tyre në Amerikën Latine. Kokaina kryesisht porositet në sasi të konsiderueshme në Bolivi, Meksikë, Peru, Ekuador, dhe Paraguai. Shtetas shqiptarë, anëtarë të grupeve kriminale shqiptare, me banim në Brazil, Paraguai, Ekuador dhe Surinam, në disa raste në role drejtuese të grupit kriminal ose në disa raste në role dytësore (kryesisht koordinuese) ndjekin të gjithë procesin e transferimit të ngarkesës nga vendi i origjinës deri në destinacion.
Këto dërgesa kalojnë në BE dhe Ballkanin Perëndimor kryesisht nëpër porteve hyrëse të Gioia Tauro (Itali), Roterdam (Holandë), Antëerp (Belgjikë), Algeciras (Spanjë), Pire (Greqi), si dhe nëpërmjet porteve të Durrësit (Shqipëri) dhe Tivarit (Mal i Zi). Shumë prej eksponentëve kryesorë të këtyre grupeve janë vendosur në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Megjithëse në një shkallë më të ulët, grupet kriminale shqiptare janë gjithashtu të përfshira në kontrabandën e qenieve njerëzore dhe krimin kibernetikë, të cilat janë pjesë e tregjeve ndërkombëtare të BE-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Grupet Kriminale me rrezikshmëri të lartë
Sipas vlerësimit të brendshëm të SPAK, janë identifikuar rreth 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të cilat janë të mbështetur në lidhje familjare dhe miqësore dhe janë të përfshirë edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale, kryesisht në trafikun e kokainës. Këto grupe janë aktive në qarqet e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Elbasanit dhe Vlorës.
SPAK ka arritur të provojë me sukses 10 prej këtyre grupeve kriminale me aktivitete kriminale në disa qytete të vendit si Tiranë (3); Durrës (2); Elbasan (2); Shkodër (1), Lezhë (1) dhe Kukës (1). Nga veçoritë dalluese të këtyre grupeve kriminale është struktura e tyre hierarkike, ndarja e roleve, përfshirja në anëtarësinë e tyre të përfaqësuesve të gjyqësorit, prokurorisë, policisë së shtetit, medias dhe botës akademike. Disa tipare të tjera të veçorive të këtyre grupeve janë përdorimi i komunikimeve të koduara si ECC dhe pastrimi i parave nëpërmjet kriptovalutave.
Komunikimi i koduar “ ECC”
Administrimi i të dhënave nga ECC, i kombinuar edhe me prova të tjera, ka mundësuar identifikimin e të paktën 9 prej këtyre grupeve kriminale. Analiza e thelluar e komunikimeve të dekriptuara, mundëson jo vetëm identifikimin e aktivitete kriminale dhe të modus operandi, por edhe për të kuptuar më mirë mënyrat e veprimit, lidhjet me grupet e tjera kriminale brenda dhe jashtë vendit dhe për të analizuar mënyrën e lëvizjes së drogës dhe format e qarkullimit të parave.
Ky proces është realizuar nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me Europol dhe agjenci të tjera ligj zbatuese të cilat kanë ofruar të dhënat e dekriptuara, duke siguruar përputhshmëri me standardet ligjore për provueshmërinë e provave në gjykatë. Edhe jurisprudenca shqiptare ka mbajtur të njëjtin qëndrim në lidhje me vlefshmërinë e këtyre provave sikurse ato të gjykatave të larta të shteteve anëtare të BE-së.
Discussion about this post