Eurodeputeti austriak dhe bashkë-kryetari i Partisë së të Gjelbërve Europianë, Thomas Waitz, ka reaguar në mbështetje të protestave studentore në Shqipëri. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Waitz kundërshtoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama se protestuesit po rrezikojnë anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Ai kritikon gjithashtu qëndrimin e qeverisë ndaj protestuesve, duke deklaruar se pas 13 vitesh në pushtet, Rama po i cilëson ata si ekstremistë në duart e të huajve dhe po kërcënon me anulimin e bursave dhe arsimit falas. Eurodeputeti përmendi edhe përdorimin e gazit lotsjellës dhe ujin me presion ndaj protestuesve, duke i cilësuar këto veprime si në kundërshtim me vlerat evropiane.
Postimi i Eurodeputetit austriak, Thomas Waitz:
Edi Rama thotë se “protestuesit po rrezikojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE”. Më lejoni ta sqaroj se të protestosh për institucione që kanë kapacitetin dhe vullnetin për të luftuar korrupsionin është proevropiane. Të protestosh për arsim cilësor është proevropiane. Po kështu, të protestosh për mbrojtjen e duhur të trashëgimisë natyrore të Shqipërisë është gjithashtu proevropiane.
Pas 13 vitesh në pushtet, Edi Rama po u thotë protestuesve se janë ekstremistë në duart e të huajve dhe se do të anulojë bursat falas dhe arsimin falas. Ai po hedh gaz lotsjellës, po përdor topa uji dhe po ndalon minatorët. E gjithë kjo bie ndesh me vlerat evropiane.
Ne të gjithë duam ta shohim Shqipërinë në Bashkimin Evropian si një shtet të së drejtës, që respekton të drejtat e qytetarëve, mbron zonat natyrore, dëgjon qytetarët e tij dhe respekton të drejtën e tyre për të protestuar. Kjo është rruga evropiane dhe shpresojmë që Shqipëria të jetë e gatshme ta ndjekë atë.
Zanafilla e protestës studentore, e cila është shoqëruar me revolta të ashpra nuk ishte një shpërthim i rastësishëm. Ajo erdhi si rezultat i një pakënaqësie të akumuluar prej kohësh nga të rinjtë, që kanë protestuar prej kohësh, por zëri tyre me protesta paqësore nuk u dëgjua. Diskutimet për tarifat e studimit, cilësinë e mësimdhënies dhe kushtet nëpër konvikte kanë qenë prej kohësh në qendër të ankesave, por siç duket qeveria nuk mendonte se kjo do shpërthente në një lëvizje masive dhe këmbëngulëse. Dita e parë e protestës nisi me modesti, në dukje si një grumbullim i zakonshëm.
Një grup i vogël studentësh, të lodhur nga premtimet e pambajtura dhe nga “mbyllja e veshëve” nga institucionet, u mblodhën te Ministria e Arsimit. Me thirrje dhe pankarta të improvizuara, ata shprehën indinjatën e tyre. Por ajo që filloi si një zë i vetmuar, shumë shpejt gjeti jehonë. Lajmi u përhap shpejt në rrjetet sociale, duke frymëzuar qindra të tjerë të bashkoheshin. Brenda disa orësh, numri i protestuesve u rrit ndjeshëm, duke bllokuar qarkullimin në rrugën kryesore dhe duke “shpërthyer” në protesta me revolta të mëdha. Të revoltuar, studentët nisën t’i vinin flakën institucioneve shtetërore dhe bankave. Ndërkohë, që tubimet vijojnë ato nuk e kanë ndaluar në asnjë moment thirrjen “Rama jepe dorëheqjen”
gijotina.com/









Discussion about this post