Nikolin Marku (Leksatakaj) u ekzekutua pasditen e sotme në Balldre të Lezhës, sapo doli nga një market ku bleu një pije freskuese. Ndaj tij u qëllua me breshëri automatike, ndërsa në rolin e ekzekutorit ishte një person.
Dyshimet janë se në vrasjen e 42-vjeçarit kanë marrë pjesë të paktën dy persona, njëri prej të cilëve ishte drejtuesi i automjetit nga ku është qëlluar, ndërsa tjetri në rolin e ekzekutorit. Automjeti me të cilin lëviznin autorët dyshohet se ishte me xhama të zinj.
Vrasja konsiderohet si një krim i mirëorganizuar, ndërsa dyshohet se viktima është survejuar gjatë gjithë ditës deri në momentin e ekzekutimit.
Viktima merrej me blegtori, ndërsa për vite me rradhë ka jetuar në Britaninë e Madhe. Ai ishte baba i 3 fëmijëve, ndërkohë që nuk ka të dhëna se mund të ketë qenë i skeduar nga policia për ngjarje të tjera.
Ndoshta një detaj rastësor është ai se Nikoli Lekstakaj u vra në datën 19, fiks 3 muaj pas ekzekutimit në lokalin e tij të Ardian Nikulajt, i cili u qëllua më 19 prill, disa herë me pistoletë nga një shtetas portugez, i paguar për vrasjen, sikundër ka deklaruar policia.
Pas krimit raportohet se në ndihmë të forcave të Policisë së Lezhës kanë shkuar edhe efektivë të Reparteve RENEA dhe FNSH, kjo edhe për faktin se dy fiset që janë në një gjakmarrje prej 27 vitesh jetojnë në të njëjtën zonë.
Ndërkohë policia ka marrë në pyetje dëshmitarë dhe familjarë të viktimës.
Policia ka marrë në pyetje shitësen e dyqanit ku ishte futur viktima për të blerë, ndërkohë që zona ku ndodhi ekzekutimi nuk mbulohet nga kamerat. Gjithsesi grupi hetimor ka nisur mbledhjen e pamjeve filmike të bizneseve në afërsi të zonës, në një tentativë për të identifikuar automjetin nga i cili u qëllua 42-vjeçari.
Drejtori i Policisë vendore të Lezhës, Alfred Elezi, në një deklaratë për mediat pas atentatit ndaj Nikolin Lestakajt, tha se në bashkëpunim me Prokurorinë po punojnë për identifikimin e autorëve ndërsa dyshojnë se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje ose gjakmarrje.
“Sot rreth orës 18:30 morëm njoftimin që u bëra Nikolin Marku Lestakaljt. Nga shërbimet e policisë është ngritur grupi hetimor dhe në koordinim të plotë me prokurorinë po punohet për rastin dhe identifikimin e autorit. Jemi ende në hetim. Dyshojmë për hakmarrje ose gjakmarrje”, tha Elezi.
Ngjarja e rëndë dyshohet se ka lidhje me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj pak javë më parë.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe kanë bërë rrethimin e zonës, janë ngritur pika kontrolli e vijon krehja e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Historia e gjakmarrjes mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj
Historia e përplasjeve mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj në Lezhë, e ka zanafillën në vitin 1996, ku konflikti nisi në një karburant në dalje të qytetit të Lezhës për 10 mijë lekë të vjetra të dyshuara si të papaguara.
Vëllai i Ardian Nikulajt, bashkë me një person tjetër, ishin shitës në karburantin në fjalë dhe një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj po furnizonte makinën.
Pas furnizimit me karburant shitësit kanë debatuar me drejtuesin e mjetit me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën prej 10 mijë lekësh të vjetra të furnizimit me karburant.
Pas debatit verbal drejtuesi i mjetit është larguar, duke u rikthyer i armatosur disa minuta më vonë dhe ka qëlluar në drejtim të dy punonjësve duke i lënë të vdekur në vend mes të cilëve dhe vëllain e Ardian Nikulaj.
Aty nis dhe historia e gjakmarrjes, ku pak muaj më vonë vriten Gëzim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja që ishte nip i familjes.
Ndërsa në vitin 1999, vritet Gjovalin Lekstakaj dhe plagoset rëndë Pjetër Lekstakaj, ngjarje këto të pazbardhura ende.
Megjithatë këtë sagë mes dy familjeve, pavarësisht se kishte kaluar kohë, Ardian Nikulaj lëvizte lirshëm në Lezhë.
“Mbi bazën e materialeve të referuara nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë ka regjistruar procedimin penal nr. 205, viti 2023 për veprën penale ‘Vrasje për motive gjakmarrje’ e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, ‘Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal’ dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak’”, – tha Muhamet Rrumbullaku gjatë konferencës për shtyp, pas vrasjes së Nikulajt.
Të gjithë autorët e dyshuar, sipas kreut të policisë, pas ngjarjes kanë arritur të largohen nga Shqipëria.
Discussion about this post