Në kohën kur studentët u kthyen, universiteti kishte vendosur se ndalesa do të ishte i kotë. “E kuptuam se nuk ishte e realizueshme”, thotë Vira. Në vend të kësaj, universiteti u përpoq të krijonte udhëzime për përdorimin e drejtë. “Duhet të kemi ca kufij, në mënyrë që ata të kenë ide shumë të qartë se çfarë lejohet dhe çfarë nuk lejohet”.
Vlerësimi i tyre ishte i saktë. Sondazhi i gazetës studentore të Kembrixhit, Varsity, muajin e kaluar zbuloi se pothuajse gjysma e të gjithë studentëve kanë përdorur ChatGPT-in për t’i përfunduar studimet e veta. Një e pesta e përdori në proces pune, që kontribuoi në diplomën e tyre, ndërsa shtatë për qind planifikonin ta përdornin në provime. Ishte ekuivalenti, siç tha një student, “t’i dërgosh mesazh njërit prej shokëve më të zgjuar” për t’i kërkuar ndihmë.
Ayushman Nath, student 19-vjeçar i inxhinierisë në Kolegjin Çërçill të Kembrixhit, e zbuloi ChatGPT-in në TikTok, si shumë nga bashkëmoshatarët e tij. Në fillim, njerëzit postonin video qesharake të çetbotit duke treguar shaka, por pastaj dalëngadalë pati një ndryshim.
Në ditët e sotme, Nath thotë se është e zakonshme që studentët të kalojnë në artikuj të gjatë ose në punimet akademike për të krijuar përmbledhje ose që ta krijojnë një ide për një temë të gjerë. Për shembull, e ka përdorur atë për ta hulumtuar një raport mbi bateritë për makinat elektrike. “Nuk mund ta përdorni për t’i zëvendësuar njohuritë themelore të punimeve shkencore. Por, është vërtet i dobishëm për ta zhvilluar shpejt një njohje të nivelit të lartë, për një temë komplekse, dhe për të dalë me idenë që ia vlen të eksplorohet”, thotë ai.
Sidoqoftë, Nath shpejt mësoi se nuk mund t’i besoni se është 100 për qind i saktë: “Mbaj mend që më dha disa statistika në lidhje me bateritë e automjeteve elektrike dhe kur i kërkova citatet, më tha se i kishte krijuar vet ato”.
Saktësia është një nga sfidat kryesore me AI-të gjeneruese. Modelet gjuhësore njihen si “halucinante”, që do të thotë se fabrikojnë fakte, burime dhe citate në mënyra të paparashikueshme, siç zbuloi studenti Nath.
Ekzistojnë gjithashtu prova të paragjykimeve në tekstin e shkruar me AI, përfshirë seksizmin, racizmin dhe animet politike, të mësuara nga korpusi i të dhënave të internetit, përfshirë platformat e mediave sociale si Reddit dhe YouTube që kompanitë i kanë përdorur për t’i trajnuar sistemet e veta.
Në themel të kësaj është efekti i “kutisë së zezë”, që do të thotë se nuk është e qartë se si AI arrin në përfundimet e veta. “Mund t’ju japë informacion të rremë … është një vakum që thith një sërë përmbajtjesh nga interneti dhe e riformulon atë”, thotë Jonathan Jones, profesor i historisë në Institutin Ushtarak të Virxhinias. “Gjetëm shumë më tepër mite sesa të vërtetat e pakontestueshme”.
Në fillim të këtij viti, në Institutin Rosenberg, një nga shkollat më elitare të Zvicrës, nxënësja e klasës së 12-të, Karolina, punonte për një detyrë për orën e saj të sociolinguistikës. Projekti ishte për thekset rajonale në Britani dhe për efektet e tyre në pozitat sociale dhe perspektivat e punës së njerëzve.
Ajo që dorëzoi nuk ishte ese, por një video ku shfaqej një dialog analitik për këtë temë, mes dy grave me thekset përkatëse. Skenari u bazua në kërkimin e vetë Karolinas. Gratë nuk ishin reale: ishin avatarë të krijuar nga Colossyan Creator, softuer i AI-së nga një startap me bazë në Londër. “E pashë dhe u mahnita”, thotë Anita Gademann, drejtoresha e Rosenbergut dhe përgjegjëse për inovacione. “Kishte më shumë ndikim për ta treguar esencën”.
Gademann thotë se shkolla e ka inkurajuar përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale, në mesin e nxënësve, duke ndjekur organet e tjera të kualifikimit. “Nuk ka kthim prapa”, thotë ajo. “Fëmijët po e përdorin teknologjinë për të studiuar dhe për mësuar, me ose pa AI”.
Gjatë vitit të kaluar, shkolla ka vërejtur se detyrat e nxënësve janë bërë shumë më vizuale. Krahas punës me shkrim, studentët paraqesin rregullisht imazhe ose video të krijuara nga gjeneratorët e artit, të fuqizuar nga AI-ja, si Dall-E ose Midjourney. Vetë pamjet vizuale janë mundësi mësimi, thotë Gademann, duke cituar një orë historie që i vlerësoi anakronizmat në fotografitë e Mesjetës të krijuara nga AI-ja.
Ka pasur suksese të tjera: përmes përdorimit të përsëritur, ChatGPT ka përmirësuar standardin e të shkruarit të studentëve që më parë kishin vështirësi. “Janë mendimtarë, janë inteligjentë, mund të analizojnë, por [të vendosësh] diçka në letër është e vështirë”, thotë Gademann.
Në Rosenberg, afërsisht 30 për qind e notave tashmë fitohen përmes debateve dhe prezantimeve. Gademann thotë se ardhja e AI-së gjeneruese e ka bërë të qartë se duhet t’i ndryshojnë modelet e standardizuara të testimit: “Nëse një makinë mund t’i përgjigjet një pyetjeje, ne nuk duhet t’ia kërkojmë një qenieje njerëzore t’i përgjigjet kësaj pyetjeje”.
Kjo dilemë gjithëpërfshirëse – deri në çfarë mase vlerësimet duhet të riformohen për AI-në – është bërë me vend. Përkundër problemeve të tyre, modelet e mëdha gjuhësore tashmë mund të prodhojnë ese të nivelit universitar dhe të kalojnë lehtësisht testet e standardizuara si GMAT [Graduate Management Admission Test] dhe GRE [Graduate Record Examinations], të kërkuara për shkollën pasuniversitare, si dhe për provimin amerikan të licencimit për mjek.
Softueri madje mori notën B në një kurs kryesor për MBA të Shkollën Uarton [Universiteti i Pensilvanisë], duke nxitur dekanët e shkollave të biznesit, në të gjithë botën, të kërkojnë takime urgjente për të ardhmen.
Në fillim të këtij viti, Wolfram, pionieri i inteligjencës artificiale, binjakëzoi ChatGPT-në me një shtesë të quajtur WolframAlpha dhe i kërkoi të kalonte në nivelin A të matematikës, në kualifikimin standard për matematikë në Angli, për 18-vjeçarët. Motori i përgjigjes arriti në 96 për qind.
Për Wolframin, kjo ishte provë e mëtejshme se arsimi i matematikës në Mbretërinë e Bashkuar, është i pashpresë nëse rri prapa përparimeve teknologjike, duke i detyruar fëmijët të kalojnë vite duke mësuar shuma të gjata që mund të bëhen lehtësisht nga kompjuterët.
Në vend të kësaj, Wolfram pohon se shkollat duhet të mësojnë “arsimimin kompjuterik”, duke mësuar se si t’i zgjidhin problemet e ndërlikuara, duke u shtruar kompjuterëve pyetje komplekse dhe duke i lejuar ata që të bëjnë llogaritje të lodhshme. Kjo do të thotë se studentët mund të ngjiten “në nivelin tjetër”, thotë ai, dhe të kalojnë kohë duke përdorur më shumë aftësi njerëzore, të tilla si të qenit krijues ose mendimi strategjik.
Mësimi i të rinjve për t’i shijuar njohuritë, në vend që t’i mësojnë përmendësh, do t’i përgatisë më mirë fëmijët për një botën e ardhshme të punës, shton Wolfram, duke parashikuar se punët e ulëta do të automatizohen, ndërsa njerëzit do të marrin rol mbikëqyrës. “Vokacioni është konceptual”.
Derisa mjetet e inteligjencës artificiale po zbatohen me shpejtësi nga studentët dhe madje po integrohen në kurrikulë në disa shkolla, si në Rosenberg, rreziqet dhe kufizimet e softuerit mbeten të qarta.
Një koalicion shkollash shtetërore dhe private në Mbretërinë e Bashkuar, janë kaq të shqetësuara për shpejtësinë me të cilën po zhvillohet AI-ja, saqë po e krijojnë një organ ndërsektorial për t’i këshilluar edukatorët “e hutuar” se si ta përdorin më mirë teknologjinë. Në një letër drejtuar The Times-it, grupi gjithashtu tha se ata “nuk kanë besim” se kompanitë e mëdha digjitale janë të afta që ta rregullojnë veten.
Anna Mills, instruktore e shkrimit në Kolegjin e Marinës, kolegj komunitar në Kaliforni, ka kaluar një vit duke testuar modelet gjuhësore, teknologjinë që qëndron në themel të ChatGPT-së, siç është modeli më i avancuar i OpenAI-së, GPT-4. Shqetësimi i saj kryesor është se automatizimi i mësimeve të përditshme te të rinjtë, duke lejuar që AI të bëjë punën e mundimshme, mund të çojë në “humbje të të nxënit”, një rënie në aftësitë thelbësore të shkrim-leximit dhe numërimit.
Në Shkollën e Mesme të Uimbëldonit, ku përdorimi i AI-së udhëhiqet nga Rachel Evans, drejtoreshë për mësim dhe inovacion digjital, shoqja e klasës së Laurenës, Olivia, ka shijuar përdorimin e ChatGPT-së si një “shkëndijë krijuese”, por është e shqetësuar se rrezikon të gërryejë aftësitë e saj.
Shoqja e saj Rada është më pak e shqetësuar. Ajo e ka gjetur ChatGPT-në si jo të besueshme për dhënien e përgjigjeve, por të dobishme për të ndihmuar në strukturimin e argumenteve të saj. “Nuk është si duhet në përgjigje, por ka dobi për t’i ‘përpunuar’ ato”, thotë ajo, duke iu referuar aftësisë së çetbotit për t’i kthyer idetë e përafërta në diçka më të mirë.
Mills pajtohet se esetë e prodhuara nga AI-ja janë shpesh të artikuluara dhe mirë të strukturuara, por atyre mund t’ju mungojë origjinaliteti dhe idetë. Kjo, thotë ajo, duhet t’i detyrojë edukatorët të hetojnë se çfarë duhet të marrin studentët nga detyrat e esesë. “E caktojmë shkrimin, sepse mendojmë se u ndihmon njerëzve të mësojnë të mendojnë”, shton ajo. “Është procesi kryesor që akademia ka zhvilluar për të ndihmuar njerëzit që të mendojnë dhe të komunikojnë dhe të arrijnë më tej në njohjen e vet. Duam që studentët të angazhohen në këtë”.
Udhëheqësit e lartë në Federatën Harris që drejton 52 shkolla fillore dhe të mesme të financuara nga shteti, në Londër, janë të ngazëllyer për potencialin e AI-së gjeneruese për të ndihmuar studentët me kërkime, si dhe duke ua shtuarën kohën e lirë mësuesve për të bërë plane mësimore ose duke e kryer punën.
Megjithatë, shefi ekzekutiv i federatës, Sër Dan Moynihan, është i shqetësuar se teknologjia mund të paraqesë një “çështje të paanësisë”. Jo vetëm që studentët më të varfër mund të luftojnë për të hyrë në teknologjinë e AI-së me pagesë, që do ta bëjë punën më të lehtë, thotë ai, por shkollat me buxhete të ngushta mund të përdorin AI-në për të kursyer në mënyrën që nuk është domosdo më e mira për të mësuar.
“Nuk jam pesimist, por duhet që kolektivisht ta shmangim që të mos bëhet gjë distopike”, thotë Moynihan. “Duhet të sigurohemi që të mos përfundojmë me AI-në duke punuar me një numër të madh fëmijësh dhe të mësuesve që veprojnë veç për kujdes ose duke e mbajtur disiplinën”.
Megjithatë, ka nga ata që theksojnë se edukatorët sapo kanë filluar të mendojnë për mënyrat se si mund të përdoret në klasa.
Në shtator 2022, sipërmarrësi Sal Khan, themeluesi i Akademisë Han, një organizatë jofitimprurëse që ofron mësime falas në internet e të cilat shikohen nga miliona fëmijë në mbarë botën, u kontaktua nga OpenAI-së për të testuar modelin e saj të ri GPT-4.
Pasi Khani, i cili gjithashtu drejton një shkollë private në zemër të Luginës së Silikonit, e kaloi një fundjavë duke luajtur me të, e kuptoi se nuk kishte të bënte vetëm me prodhimin e përgjigjeve: GPT-4 mund të ofronte arsyetime, duke e nxitur studentin në mënyrë sokratike dhe madje t’i shkruajë pyetjet e veta. “Gjithmonë kam menduar se do të kalonin 10-20 vjet, para se të shpresonim që t’ia japin çdo studenti një mësues sipas kërkesës”, thotë Khan. “Por, atëherë thash, uou, kjo mund të jetë disa muaj larg”.
Deri në mars, një model nga ekipi i Khanit ishte kthyer nga “pothuajse asgjë në një mësues mjaft bindës”, i quajtur Khanmigo. Khan ia paguan OpenAI-së një tarifë për të mbuluar koston llogaritëse të funksionimit të sistemit të AI-së, afërsisht 9-10 dollarë në muaj për çdo përdorues.
Mësuesi i AI-së përdor GPT-4-shin për të debatuar me studentët, për t’i trajnuar ata në lëndë që shkojnë nga fizika te anglishtja, dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve teksa nxënësit plotësojnë mësimet. Të pyesësh softuerin për të dhënë shpjegim për përgjigjet e veta, kjo shton saktësinë dhe e përmirëson mësimin, thotë ai. Produkti po shpërndahet te qindra mësues dhe fëmijë nëpër shkollat fizike dhe virtuale të Khanit, dhe deri në 100 mijë nxënës në 500 rrethe shkollore të ShBA-së do ta përdorin atë deri në fund të vitit 2023.
Khan e përshkruan ChatGPT-në si portë për një “teknologji shumë të fuqishme” që mund të keqpërdoret. Megjithatë, nëse përshtatet për të qenë “i shëndoshë në aspektin pedagogjik, me mbikëqyrje të qartë dhe me filtra moderim”, modelet gjuhësore mund të jenë revolucionare.
“Mendoj se është ndoshta transformimi më i madh i jetës sonë … veçanërisht në arsim”, thotë Khan. “Do të jeni në gjendje ta zgjoni kureshtjen e njerëzve, t’i emociononi ata për të mësuar. Ata përgjithmonë do ta kenë me vete një mësues pafundësisht të durueshëm”.
Në Uimbëldon, Lauren dhe shokët e saj të klasës po ndërgjegjësohen se AI-ja gjeneruese, megjithëse e dobishme, nuk është zëvendësues për disa nga pjesët më të rëndësishme dhe shpërblyese të procesit të të mësuarit.
“Në jetë duhet të jeni në gjendje të kapërceni pengesa të vogla për t’u ndjerë krenarë për punën që ke bërë”, thotë Lauren.
“Është kaq jetike të mos ndalohet përdorimi i tij në arsim, por në vend të kësaj … mësoni se si ta përdorni përmes të menduarit të duhur, kritik”, shton shoqja e saj e klasës, Olivia. “Sepse, do të jetë mjet i së ardhmes tonë”. /Telegrafi/
Discussion about this post