Pak muaj para zgjedhjeve lokale të pranverës së vitit 2023, Bashkia e Tiranës ka shpallur tenderin për riparimin e dhjetra pallateve të dëmtuara nga tërmeti i rreth 4 viteve më parë. Në një seri lotësh të publikuara së fundmi në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj ka vendosur në dispozicion për riparimet e banesave disa-katëshe mbi 2 milionë euro, të alokuara nga Qeveria Shqiptare. Procesi i Rindërtimit, i nisur pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit 2019, është parë si një mjet i mirë i qeverisë dhe pushtetit lokal të drejtuar i gjithi nga Partia Socialiste, si një mjet i mirë për të siguruar vota. Një nismë e tillë u vërejt qartësisht në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, të zhvilluara në Prill të vitit 2021, ku thuajse të gjithë institucionet qendrore e lokale shpërndanë fonde për rikonstruksionin e pallateve dhe banesave private.
Megjithatë, thuajse katër vjet pas tërmetit të nëntorit 2019, një numër shumë i vogël banesash të reja, të ndërtuara kryesisht nga donatorë të huaj, kanë përfunduar. Ndërsa një numër akoma më i vogël i mijëra familjeve të mbetura të pastreha tashmë kanë marrë çelësat e apartamenteve të rinj. Në Tiranë, si një prej qyteteve më të goditura nga dëmet sizmike, procesi i Rindërtimit ka ecur me ritme shumë të ngadalta. Deri më tani nuk ka asnjë familje që të ketë marrë çelësat e apartamentit të ri, ndërkohë që Bashkia e Tiranës ende nuk ka përfunduar procesin e demolimit të godinave që janë shpallur të pabanueshme.
Tenderat e votave
Socialistët në pushtet ka ngritur një rrjet të gjerë Patronazhistës, të cilët janë celula partiake që kanë informacion thuajse të detajuar për përbërjen e familjeve në lokalitete të caktuara, si edhe për nevojat e tyre, të cilat mund të shërbejnë si një mjet joshjeje apo presioni për të votuar në favor të kandidatëve të Partisë së drejtuar nga Edi Rama. Tashmë, me tenderat që ka shpallur kryebashkiaku socialist i Tiranës, Erion Veliaj, mijëra banorë të kryeqytetit do të kenë përpara syve të tyre jo vetëm Patronazhistët, por edhe punëtorët e rindërtimit, prania e të cilëve mund të konsiderohet si një mjet kujtese për “mirëbërësit politikë”.
Procesi i Rindërtimit jo vetëm që është i nevojshëm, por edhe tejet i vonuar. Arsyeja e kësaj vonese mund të lidhet ngushtësisht me proceset elektorale. Projekti i Rindërtimit u shpall nga qeveria shqiptare menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Një fushatë e gjerë solidariteti ndërkombëtar i siguroi qeverisë shqiptare donacione dhe grante apo kredi me kushte lehtësuese në vlerën e rreth 1.2 miliardë eurove. Por, përveç fondeve për disa godinave shkollore, shumica absolute e shumës së siguruar nga bujaria e huaj, nuk rezulton të jetë e tërhequr nga qeveria “Rama”. Përdorimi i fondeve të huaja do të shoqërohej edhe me një monitorim strikt nga partnerët ndërkombëtarë për destinacionin real të tyre.
Natyrisht, do të kërkoheshin edhe afate konkrete dhe zbatimi me korrektesë i plan-projekteve ndërtimore. Me shumë mundësi, për të shmangur kontrollin rigoroz, qeveria ka vendosur të operojë me “forcat e veta” në procesin e Rindërtimit, i cili nuk dihet se kur do të përfundojë. Por, gjithësesi, e dukshme është që po aplikohet skenari “Rindërtim në këmbim të votës”.
Vonesat në “qarkullimin” e fondeve të Rindërtimit
Bashkia e Tiranës ka nisur herët hapat e parë të procesit për rikonstruksionin e godinave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Në periudhën Mars-Prill të vitit 2021, Bashkia përdori rreth 1.4 milionë euro të alokuara nga qeveria shqiptare për të hapur siparin e rikonstruksionit.
Diçitura: Lista e tenderave për riforcimin e pallateve në vitin 2021 (Burimi: Opendata.al)
Por, pas këtyre tenderave, gjithçka u shty për shumë kohë. Në 30 Mars të këtij viti, Këshilli i Ministrave miratoi një fond të ri për rikonstruksionin e godinave të dëmtuara, përfshirë edhe ato në Tiranë.
Diçitura: Vendimi i Këshillit të Ministrave për fondin e riforcimit të godinave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019
Dhe, pasi kaluan disa muaj të tjerë, në Tetor 2022, Bashkia shpall tenderat e rinj, rreth 1 vit e gjysëm pas procedurave të para. Tashmë, fondi është më i madh dhe numri i godinave që pritet të rikonstruktohen janë edhe më shumë. Dhe, kjo prani e shtuar e Bashkisë së Tiranës ndodh pikërish para fushatës elektorale, ku Erion Veliaj pritet të jetë sërish kandidati i socialistëve për një mandat të tretë në drejtimin e kryeqytetit.
Diçitura: Tenderat e shpallur nga Bashkia e Tiranës në Tetor 2022 për riforcimin e pallateve
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një auditim të mbyllur në Tetor të vitit 2021 mbi veprimtarinë e Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin, konstatoi vonesa të theksuara dhe anomali në hartimin e raporteve të nevojshme për situatën e godinave pas tërmetit. KLSH konstatoi se “Veprimtaria e Ministrisë së Shtetit për Rindërtimit për ndjekjen dhe bashkërendimin e veprimtarisë së ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit ka shfaqur mangësi në drejtim të dokumentimit të saj;
Skenar “i parë” edhe më parë
Përdorimi i fondeve të Rindërtimit për përfitime elektorale shënoi kulmin e tij në Durrës, në prag të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit 2021. Të dhënat e raportuara në media dhe dokumentat zyrtarë dëshmuan se Bashkia e Durrësit, vetëm në periudhën mars-prill 2021 ka shpërndarë mbi 30 milionë euro fonde rindërtimi. Këto të dhëna e vendosën Bashkinë e drejtuar nga Emirjana Sako në qendër të akuzave nga Partia Demokratike në opozitë.
Diçitura: Pjesë nga pagesat për Rindërtimin, të kryera nga Bashkia Durrës në ditët para zgjedhjeve të vitit 2021
Bashkia e Durrësit i mohoi këto akuza, duke deklaruar publikisht se fondet e Rindërtimit ishin planifikuar më herët dhe se shpërndarja e tyre nuk ka lidhje me fushatën elektorale. Megjithatë, shumë dokumenta zyrtarë dëshmojnë se Bashkia e Durrësit pati një impenjim maksimal për të ndarë fondet tek familjet e dëmtuara nga tërmeti gjatë Marsit, por sidomos në Prill 2021, ndërkohë që vendi përgatitej t’i drejtohej kutive të votimit.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post