Pak muaj më parë mbushi 19 vjeçe dhe është në kulmin e ëndrrave dhe zhvillimit të pasioneve të saj. Futbolli është një ndër to. Mesfushorja shqiptare Bora Fuçia ka nisur luajtur futboll që në moshën 7-vjeçare dhe katër vite më vonë u regjistrua për herë të parë në një ekip në Gjermani ku luajti për rreth një vit. Edhe pse me moshë duket e vogël dhe të ardhmen e ka përpara, Bora ka kaluar disa mesfusha skuadrash në Francë, Gjermani, Luksemburg e në kampionatin tonë. Tashmë luan me ekipin e AS Montygni në Francë, ndërsa është edhe pjesë e Kombëtares shqiptare U-19 të vajzave.
Në një intervistë për rubrikën ‘Talenti Shqiptar’ në fshf.org, Bora na rrëfen karrierën e saj tashmë 8-vjeçare në futboll, idhullin ‘Messi’, ndikimin e futbollit në jetën e saj dhe Kombëtaren kuqezi, ku përjeton edhe emocionet më të mëdha. Bora e ka thuajse të pamundur të harrojë golin e parë të saj me Shqipërinë kundër Letonisë, ndërsa është e bindur se Shqipëria e vajzave ka një të ardhme shumë premtuese përpara. Në fund, mesfushorja shqiptare, e cila luan në Francë ka edhe një mesazh për të gjithë vajzat që nuk luajnë futboll për shkak të mentalitetit.
-Çfarë ju ka shtyrë të përfshiheshit në botën e futbollit? Sa vjeçe ishit kur nisët të luanit?
– Kam qenë vetëm 7 vjeçe kur kam nisur të luaj futboll, pra në moshë fare të vogel. Nga njëra anë shkolla dhe nga ana tjetër futbolli. Dëshira ishte shumë e madhe dhe luaja futboll fillimisht në lagje me shokët dhe shoqet.
-Na tregoni pak për hapat e tua në karrierë, ku e nisët dhe si vazhdoi gjithçka? Ka qenë e vështirë?
– Karriera ime në futboll ka nisur në moshën 11-vjeçare. Fare e vogël le të themi, por luajta për rreth një vit në Gjermani. Më pas jam rikthyer në Shqipëri dhe kam luajtur një vit për ekipin Tirana AS. Ky është edhe ekipi im i parë dhe i vetëm ku kam luajtur futboll me vajzat në Shqipëri. Jam transferuar në Francë më pas, ku jam aktivizuar për dy dite në ekipin e Veymrange dhe kam vijuar dy vite të tjera në ekipin e SWIFT Hesperange në Luksemburg. Aktualisht po luaj me skuadrën e AS Montygni në Francë. E vështirë? Po sigurisht. Nuk ka fillime të lehta. Duke qenë se kam ndërruar edhe disa skuadra në Gjermani, Shqipëri, Francë e Luksemburg, siç e lartpërmenda, më duhet edhe të ambientohesha dhe të përshtatesha me mënyrën e tyre të të luajturit futboll. Tani që e kthej kokën pas, shoh se sa shumë ia ka vlejtur dhe se sa me fat jam që jam bërë pjesë e këtij sporti.
– Për vajzat nuk është e lehtë të merren me futboll, po për ju si ka qenë? Kush ju ka mbështetur më shumë?
– Absolutisht, nuk është aspak e lehtë. Por fatmirësisht, edhe gjërat kanë ndryshuar. Unë kam pasur gjithmonë mbështetje familjen time dhe kryesisht babin, i cili më ka shoqëruar kudo vetëm e vetëm që unë të luaja futboll. Shokët dhe shoqet i kam pasur gjithmonë tifozët e mi më të mëdhenj. Pra, kanë ndryshuar. Gjërat kanë ndryshuar.
-Keni ndonjë idhull, futbollist apo futbolliste që ju motivon?
-Po, idhulli im është argjentinasi Lionel Messi. Ajo që më motivon më shumë nga ai është mënyra se si ai luan. I jashtëzakonshëm. Dua të bëhem një ‘Messita’ në futboll.
-Sa ka ndikuar futbolli te ju, në çdo aspekt të jetës? Ju kanë parë ndryshe apo diçka tjetër?
– Sigurisht që ka ndikuar. Dhe jo pak të them të drejtën. Ka ndikuar për mirë, pasi falë futbollit më janë dhënë shumë mundësi të arta në karrierën time. Në moshën time, të jesh pjesë e disa ekipeve në Francë, Gjermani e Luksemburg nuk është pak. E përveç karrierës, kam bërë edhe shumë shoqëri.
-Ju jeni pjesë e kombëtares shqiptare u-19. Çfarë domethënie ka për ju? Çfarë emocionesh ju jep të luani për Shqipërinë?
– Jam shumë e lumtur që jam pjesë e Kombëtares U-19. Duket klishe, ama çdokush që luan futboll ëndërron që një ditë të jetë pjesë e Kombëtares dhe të luajë për ngjyrat kuqezi. Emocionet janë të papërshkrueshme. Që nga stërvitjet, te veshja e fanellës, zbritja në fushë dhe ai himni ynë kombëtar më bëjnë të ndjej emocione vërtetë të veçanta. Kjo lidhet edhe me faktin që luaj jashtë vendit dhe më mungon Shqipëria ime.
– Herën e parë te Shqipëria si e mbani mend? Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje atëherë?
– Jam grumbulluar për herë të parë me ekipin Kombëtar U-19 vitin e kaluar, ku luajta edhe ndeshjen time të parë kundër Letonisë. Fatmirësisht, në debutimin tim ia dola të lija edhe gjurmën time të parë, duke shënuar golin tim te parë me Shqipërinë. Emocione të jashtëzakonshme dhe i jam shumë falënderuese trajnerit dhe stafit për besimin e dhënë, por edhe vajzave që më pritën aq mirë. Gjatë grumbullimit, askush nuk e ndjen veten të huaj dhe larg familjes, pasi aty jemi të gjithë një familje.
-Duke parë që ju luani jashtë dhe shumë elementë të tjerë të rinj luajnë në kampionate të rëndësishme europiane, a mendoni se Shqipëria e vajzave ka një të ardhme të ndritur?
– Unë shpresoj dhe besoj shumë që ekipi ynë kombëtar i vajzave ka një të ardhme shumë premtuese përpara. Shoh punën e palodhur të stafit në grumbullim, jo vetëm të stafit të ekipit kombëtar U-19, por edhe të atij U-17 ku unë kam qenë më parë. Vajzat e reja kanë talent dhe uroj shumë që një ditë të kualifikohemi edhe në Europian me ekipin e vajzave. Kjo është edhe ëndrra ime më e madhe.
– Çfarë mund të veçoni deri më tani nga jeta juaj futbollistike? Ka një arritje për të cilën jeni krenare?
– Po është pak e vështirë që të veçoj një moment, duke pasur parasysh edhe moshën time. Nuk mund të them që kam arritur ndonjë gjë shumë të madhe në karrierë, por po veçoj golin e parë me Shqipërinë në sfidën kundër Letonisë. Siç e thashë edhe më sipër, është emocion i madh dhe mbetet një skenë e paharruar për mua. Dhe sigurisht, edhe ftesa nga Kombëtarja U-19 është një tjetër moment që dua të veçoj sërish. Tani synimet e mia janë të jem pjesë e Kombëtares A të vajzave.
-Çfarë mesazhi i jep vajzave që u thuhet se futbolli është vetëm për djem?
– Të gjitha vajzave, qoftë atyre që luajnë në Shqipëri, por edhe shoqeve të mia që luajnë në kampionatet jashtë vendit tonë dua t’u them që futbolli nuk është më vetëm për djem. Duhet të kenë më shumë besim në vetvete për të realizuar ëndrrat dhe objektivat që kanë në jetën e tyre. Gjithçka arrihet vetëm me pasion dhe vullnet.
Discussion about this post