Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, deklaroi se Komisioni i Ligjeve refuzoi të shqyrtojë në thelb projektligjin e PD-së për pagesat e kategorisë së mësuesve, duke e votuar kundër vetëm për shkak se nisma ishte paraqitur nga opozita.
Pas mbledhjes, në një deklaratë për mediat, Zhupa u shpreh se në Komisionin e Ligjeve asaj iu lejua vetëm prezantimi i projektligjit, pa debat, ndërsa kryetari i komisionit, Ulsi Manja, pranoi publikisht se maxhoranca e voton kundër nismën jo për shkak të përmbajtjes, por sepse ajo është paraqitur nga opozita, me arsyetimin se një nismë e tillë do të paraqitet më vonë nga vetë maxhoranca.
Deputetja demokrate e cilësoi këtë qëndrim si fund të parlamentarizmit, duke deklaruar se Kuvendi po shndërrohet në një institucion që miraton vetëm ligjet e qeverisë dhe refuzon çdo nismë të opozitës, edhe kur ajo i shërben interesit publik.
Sipas saj sjellje shpjegon pse dhjetëra nisma të opozitës kanë mbetur të bllokuara prej vitesh pa u shqyrtuar.
“Sot ishim në Komisionin e ligjeve për të prezantuar projektligjin tim në lidhje me pagesat e kategorisë së mësuesve shqiptarë. Me pak fjalë, Komisioni i ligjeve sot kishte për të shqyrtuar nëse mësuesit që kanë mbaruar para sistemit të Bolonjës do të duhet të paguhen një lloj me kolegët e tyre që kanë mbaruar pas sistemit të Bolonjës.
Projektligji im korrigjon një gabim që është bërë me VKM-në në qershor të vitit 2024, ku 11.172 mësuesve ju hoq pagesa e kategorisë rreth 50.000 leke të vjetra dhe nuk u trajtuan në mënyrë të barabartë me kolegët e tyre, vetëm sepse ata kishin mbaruar përpara sistemit të Bolonjës, institutet e larta të arsimit, të cilat edhe sipas ligjit, për efekt page njiheshin një lloj si shkollë e lartë apo si master profesional 60 dhe 90 kredite.
Kjo nismë u prezantua nga ana ime në Komisionin e ligjeve, sepse i shërben të gjithë mësuesve, është një propozim i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shqiptar dhe është një çështje që prej një viti e gjysëm rëndon xhepat e mësuesve shqiptarë, jo vetëm atyre që janë në sistem dhe marrin më pak pagesë, por edhe atyre që dalin shumë shpejt në pension, sepse do t’ju ndikojë gjithmonë në jetën e tyre në sasinë e pensionit që marrin, duke ju hequr para nga paga bazë që marrin sot. Sepse duhet të kemi parasysh që ata që prekin janë mësuesit më të vjetër, ata që kanë mbaruar përpara sistemit të Bolonjës.
Në diskutim, në komisionin e ligjeve, më lejuan të bëja vetëm prezantim dhe sot më në fund Kuvendi pranoi me zë dhe figurë nga goja e kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, që projektligjet që vijnë nga deputetët e opozitës nuk analizohen nëse i sjellin të mirë interesit publik, qytetarëve, nëse janë në përputhje me kushtetutën apo jo, por analizohen vetëm kush i ka sjellë. Në momentin që i ka sjellë një deputet i opozitës, pa asnjë argument, ata e votojnë kundër dhe pa lejuar debatin. Sot zoti Manja ka thënë tekstualisht, ne nuk jemi kundër nismës, por ne do ta votojmë kundër sepse është sjellë prej jush dhe ne do ta sjellim vetë këtë nismë”,- ka deklaruar Zhupa ndër të tjera.










Discussion about this post