Lufta kundër korrupsionit në të gjitha nivelet e administratës, përfshirë këtu pastrimin e radhëve të Policisë, nga oficerë të kompromentuar, përben një prioritet të rëndësishëm. Tashmë janë në hetim disa raste të korrupsionit, të cilat priten të finalizohen në një të ardhme të afërt.
Kështu u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, gjatë takimit me Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Ambasadorin Todd Robinson, i cili njëkohësisht drejton Zyrën Ndërkombëtare për Çështjet e Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL).
Gjatë takimit, Rrumbullaku nënvizoi operacionet e suksesshme të Policisë së Shtetit, të realizuara në bashkëpunim dhe me mbështetjen e SPAK-ut dhe të Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm, që kanë mundësuar goditjen e grupeve kriminale të trafikimit dhe shpërndarjes se lëndëve narkotike, në mënyrë konsistente, me tolerancë zero ndaj çdo aktiviteti kriminal që zhvillohet, qoftë në Shqipëri apo jashtë kufijve të saj.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë me ekspertet e DEA-s dhe të FBI-së, mbështetja e të cilëve ka mundësuar zbulimin e ngjarjeve të renda kriminale dhe goditjen e “baronëve” të drogës, të cilët operonin të paprekur në Shqipëri dhe jashtë saj gjatë 20 viteve të fundit.
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm informoi për bashkëpunimin shume të mirë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe CIA-s, për parandalimin dhe goditjen e terrorizmit dhe të ekstremizmit të dhunshëm. Ndër të tjera, ai kërkoi mbështetjen e ICITAP-it, për të jetësuar qëllimet e Policisë së Shtetit për një integrim sa më të madh të oficereve femra të Policisë, në strukturat drejtuese të saj, duke nënvizuar se eksperienca amerikane në këtë drejtim është nga më të mirat.
Drejtori i Përgjithshëm e siguroi Ambasadorin Robinson, se Policia e Shtetit disponon të gjitha kapacitetet për të kontribuar ne operacione dhe hetime ndërkombëtare, duke ofruar garanci për një partneritet dhe besim reciprok.
Dëshmi e kësaj është fakti se Policia e Shtetit është pjesë e grupeve të përbashkëta hetimore me EUROPOL-in dhe me vendet anëtare të BE-së. Dëshmi tjetër është situata e qetë e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik veror, kur Shqipërinë e vizituan mbi 8 milionë shtetas të huaj, për qëllime turistike.
Për sa i përket trafikut të narkotikëve, zyrtari i DASH nënvizoi thirrjen e Sekretarit të Shtetit Blinken, për krerët e shteteve, për t’i kushtuar vëmendje të veçantë trafikimit dhe shpërndarjes së drogave sintetike, të cilat janë kthyer në një rrezik potencial për shëndetin dhe jetën e qytetareve. Ai u shpreh krenar për faktin që Shqipëria është pjesë e koalicionit global kundër drogave sintetike.
I informuar për rezultatet në luftën kundër korrupsionit, Ambasadori Robinson theksoi se kjo luftë është shpallur prioritet nga administrata e SHBA-së, si një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të çdo vendi. Për këtë ai kërkoi që Policia e Shtetit të punojë sa më ngushtë me SPAK-un, pasi ky i fundit ka nevojë për kapacitete që vetëm Policia e Shtetit i ka, duke përsëritur se bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut është jetik.
Discussion about this post