Pas marrjes së vulës, Partia Demokratike ka një tjetër betejë më të madhe atë të hapjes së garës së ndershme në parti dhe rikthimin e figurave dhe një lidership të ri. Kështu u shpreh Rudina Hajdari në studion e A2 CNN, një ditë pasi gjykata e Apelit vendosi t’ia kalojë vulën e PD-së Sali Berishës. Duke i njohur meritat liderit historik të PD-së për fitoren e kësaj beteje, Hajdari thotë se është koha që ai të largohet dhe kjo parti të reformohet për të synuar zgjedhjet e ardhshme.
“Me fitimin e kësaj beteje PD ka një betejë tjetër, që është një lidership të ri të PD. një hapje të re të vërtetë të PD rikthim të shumë njerëzve dhe rikthim të figurave të reja. Unë mendoj që zoti Berisha fitoi një betejë shumë të madhe me rikthimin e vulës së PD, ishte dhe beteja e tij dhe shumë demokratëve të tjerë që treguan përkrahje për Rithemelimin, por ajo që pengon zoti Berisha janë dy gjëra; e para që ka kryer ciklin e tij. Ai do të jetë gjithmonë udhëheqësi shpirtëror i PD, por PD siç ka një të shkuar ka dhe një të ardhme dhe duke qenë se e ardhmja e PD duhet të jetë moderne dhe me figura të reja gjatë kësaj kohe të reformimit të PD. Duhet të bëjmë çka është mundur që të ringrejmë atë PD që të thithë atë elektoratin gri. Synimi duhet të jetë të fitojmë zgjedhjet e ardhshme”.
Për momentin ajo thotë se nuk e shikon këtë frymë në PD, por apelon që kjo forcë politike të shohë drejt 30 viteve të ardhshme. Ajo i bën thirrje Berishës që të hapë garën reale në PD për lidershipin e ri, pa njerëz të deleguar prej tij, pasi kjo, thekson Hajdari, do të ishte vdekje përfundimtare për PD-në.
“Nuk e shoh këtë frymë hapje në PD për momentin dhe është një gjë që duhet prekur e diskutuar dhe Berisha me vizionin e mençurinë e tij duhet të kuptojë që e ka përmbushur misionin e tij, ia ka çuar nderin në vend PD-së, duke i rikthyer vulën e simbolin PD. Është koha që PD të shohë drejt të ardhmes, për 30 vitet e ardhshme, por dhe 9 muajt e ardhshëm do të jenë shumë të rëndësishëm dhe ai duhet të shpalosë vizionin dhe misionin e tij për lidershipin e ri. Duhet të mbledhë kongresin e PD, të ketë zgjedhje të reja, të promovojë garën reale në PD. Nuk duhet të ketë garë të manipulueshme. Nëse do të kemi njerëz të deleguar nga Berisha në krye të PD kjo do të jetë një vdekje përfundimtare për PD. Ky është një moment kyç për PD dhe do e forcojmë dhe do të jetë konkurruese në zgjedhjet e ardhshme”.
Shpalljen non grata nga SHBA, Hadari e konsideron një problem personal të Sali Berishës, të cilin duhet ta zgjidhë përmes gjykatave. Ndërsa dëmin më të madh PD-së sipas saj ia ka bërë Lulzim Basha.
“Berisha ka një problem personal që lidhet me SHBA, dhe ai duhet ta zgjidhë përmes gjykatave, avokatëve dhe padyshim si kryetar i PD ai ndikon në marrëdhëniet tona dhe në qasjen e PD në publik. E bën më pak të besueshëm lidershipin. Berisha ka rolin e tij në PD, çdo ditë ka njerëz që e konsiderojnë si udhëheqës shpirtëror. Duhet të përballet vetë. Nëse do të isha në vendin e tij nuk do ta lejoja të ndikonte në PD, shpeshherë ka ndikuar. Berisha duhet ta zgjidhë me SHBA dhe kjo mund të ndodhë që të ndryshojë në të ardhmen. Është çështje personale e Berishës. Ajo që dëmtoi më shumë PD-në është lëvizja e Bashës që copëzoi partinë. Zotit Basha nuk i takonte në atë formë, ishte thikë pas shpine”.
E pyetur nëse i beson drejtësisë, Hajdari tha se nuk duhet hedhur baltë mbi këto institucione, ndërsa theksoi se ditët kur politika ndikonte mbi gjyqësorin kanë ikur.
“Nuk duhet hedhur baltë mbi gjykatën kur nuk je dakord dhe kur je dakord ta mbështetësh. Dhe gjykatat janë të ndara ka njerëz që janë vënë në pikëpyetje nga mënyra si janë promovuar. Ne jemi duke mbyllur ciklin e reformës në drejtësi. Unë e mbështes si institucion SPAK-un, padyshim që nuk është perfekt, por duhet ta lëmë drejtësinë të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe ne si politikanë të bëjmë rrugën tonë që mos ndikojmë në gjykim apo të hedhim baltë mbi drejtësinë. Do ketë ndikim, por ditët e gjykatave të atëhershme kanë ikur dh politika nuk është më aq ndikuese”.
Dhe mesazhi i fundit që Hajdari ka për Partinë Demokratike është: “Sot është momenti të kthehemi në gjirin e partisë, por zgjidhja nuk është thjesht denoncimi i akteve që bën qeveria korrupsioni është kancer, por opozita duhet të fokusohet tek idetë e reja, sesi do të ishte Shqipëria nëse PD do ishte forcë qeverisëse” .
Discussion about this post