Të organizosh tender me vlerë mbi 1.2 miliardë lekë me vetëm një pjesëmarrës, duhet të kesh porosi nga “lart”. Të jesh me dosje korrupsioni në gjykatë dhe ta bësh këtë tender pa garë, duhet guxim i madh. Këto janë rrethanat që na bëjmë të dyshojmë se Spitali Rajonal “Memorial” Fier është vetëm një hallkë e zinxhirit korruptiv dhe drejtoresha Rudina Degjoni po vepron si pjesë e një loje më të madhe me paratë e buxhetit të Shëndetësisë.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Blerje materiale konsumi specifike për nevojat e Spitalit Rajonal Memorial Fier për 24 mujore”. Fondi limit për këto materiale mjekësore të konsumueshme, 119 953 731,00 lekë pa TVSH.
Në tenderin e njoftuar më 31 korrik 2025 dhe të mbajtur më 5 shtator 2025 ka marrë pjesë vetëm kompania e biznesmenit nga Fierit, Ermal Riza “O.E.S DISTRIMED” sh.p.k. Duke qenë se është i vetëdijshëm që nuk ka konkurrencë në këtë tender, oferta e tij është sa 99.99% e fondit limit: 119 741 000,00 lekë pa TVSH.

Open Data Albania e ka shënuar këtë tender me “Flamur të kuq” që është shenja e riskut të korrupsionit.
Kur prokurimi zhvillohet me një konkurrent të vetëm, pavarësisht se ligji e lejon këtë lloj procedure, shpesh kjo mungese konkurrence ne treg shfaq opsione të formulimit të kritereve në favor të një kompanie të paramenduar klienteliste.
Ndërsa drejtoresha Degjoni ka bërë shpalljen e fituesit 30 shtator 2025, pa shqyrtuar mundësinë e anulimit të tenderit për arsye të mungesës së “ofertave të përshtatshme”. Në këtë rast oferta është sa fondi limit dhe nuk ka kuptim ekonomik mbajtja e tenderit.

Favorizime dhe mashtrime në tendera
Në disa raporte të KLSH, gjatë aditimit të procedurave tenderuese, del në pah kompania e Ermal Rizajt, e cila ka fituar tendera në mënyrë të paligjshme, pa plotësuar kriteret e shpalluara nga autoriteti kontraktues dhe me dokumente të falsifikuara.
Në disa raste edhe nga Autoriteti i Konkurrencës janë evidentuar shkelje të ligjit nga kompanitë farmaceutike në vend, duke përfshirë edhe kompaninë OES Distrimed, pjesë e rrethit klientelist të Manastirliut. Kompania është ndëshkuar për pozita dominuese dhe kartel në treg, por vetëm sa i ka futur më thellë duart në buxhetin e Shëndetësisë.
Miliona euro para publike ka ndarë ish ministrja Manastirliu gjatë pandemisë në favor të ortakes së Ermal Rizës. Në një rast, Manastirliu paracaktoi me pazar në tavolinë kompaninë OES Distrimed fituese të tenderit për blerjen e kiteve mjekësore për të testuar qytetarët për koronavirusin, duke vendosur si kusht që kompania t’i sillte testet për Covid-19 brenda dy orëve kundrejt një çmimi arbitrar.
Në të njëjtën kohë me tenderin e Sppitalit “Memorial”, pra në korrik 2025, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, do t’I jepte “O.E.S DISTRIMED” sh.p.k, 1.9 miliardë lekë përmes një gare fiktive.
Tenderi i parë, me objekt “Materiale Sintetike për Trajtim Vaskular Kirurgjikal”, kishte një fond limit prej 89,960,350 lekë të reja pa TVSH, ndërsa vlera fituese është 89,500,000 lekë të reja pa TVSH, që përbën 99.5% të fondit limit. Duke përfshirë edhe TVSH-në, kjo shumë arrin rreth 1 miliard lekë të vjetra.
Skema e ndjekur është e njëjtë në të dy procedurat e tjera: “Material për trajtim endovaskular” dhe “Sutura specifike vaskulare”. Disa kompani futen në garë vetëm për numër, por nuk japin asnjë ofertë ekonomike. Fituesi është gjithmonë i njëjtë – “O.E.S DISTRIMED” – që shpallet fitues me çmime afër tavanit maksimal të lejuar.
Në total, nga këto tre tendera, kompania e Ermal Rizajt dhe Orjada Jahos ka përfituar mbi 205 milionë lekë të reja me TVSH.
Kompania e Rizës ka marrë vitet e fundit 495 tendera vetëm dhe në bashkëpunim me operatorë të tjerë me vlerë afro 120 milionë euro.
Drejtoresha me dosje korrupsioni
Drejtoresha e Spitalit Rajonal “Memorial” Fier, Rudina Degjoni qëndron në këtë post qysh nga viti 2021, pavarësisht se korrupsioni i saj është i denoncuar dhe i provuar nga drejtësia. Më 18 shtator 2023, Prokuroria dërgon në gjyq drejtoreshën e Spitalit “Memorial” të Fierit, Rudina Degjonin nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Prokuroria arriti në këtë konkluzion pasi përfundoi hetimet për Degjonin e cila në kundërshtim me ligjin ka lejuar të kryehen procedurat e botoksit të stomakut te pacientët, por me preparate mjekësore që nuk janë blerë nga spitali.
Më konkretisht, preparatet e botoksit të stomakut vinin në rrugë të tjera jashtë-spitalore për të cilat pacientët kanë bërë pagesat e tyre. Prokuroria sqaron se kjo procedurë, është jashtë çdo lloj standardi ligjor dhe teknik te pacientët, duke mbartur rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe duke dëmtuar interesat dhe imazhin e një institucioni shëndetësor publik.
“Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim procedimin penal në ngarkim të shtetases R.D., me detyrë Drejtor i Përgjithshëm pranë Spitalit Memorial Fier, e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
Nga hetimet është provuar se e pandehura në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi dhe në mungesë të miratimit nga Ministria e Shëndetësisë, ka lejuar kryerjen e paligjshme të procedurës së botoksit të stomakut te pacientët në këtë spital publik, nëpërmjet aplikimit në organizimin e brendshëm të pacientëve, të preparateve mjekësore të botoksit të stomakut që nuk janë blerë nga vetë spitali me procedura të ligjshme të prokurorimit publik, por janë gjetur në rrugë jashtë-spitalore për të cilat pacientët kanë bërë pagesat e tyre”, njoftonte prokuroria.
“Mungesa e kryerjes së procedurave të ligjshme të prokurorimit publik, ka sjellë mungesën e verifikimit në këtë spital të dokumentacionit përkatës lidhur me verifikimin e datës së skadencës dhe vendit të origjinës së preparateve, duke sjellë kryerjen e kësaj procedure jashtë çdo lloj standardi ligjor dhe teknik te pacientët, duke mbartur rrezik serioz per jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe duke dëmtuar interesat dhe imazhin e një një institucioni shëndetësor publik.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Por Rudina me sa duket i ka shpatullat të mbrojtura dhe do të vazhdojë të firmosë tendersa klientelistë në favor të oligarkëve të fondeve të Shëndetësisë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post