Nga Enver Bytyçi
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka dhënë një intervistë, në të cilën sërish del në mbrojtje të Aleksandër Vuçiçit dhe Serbisë kur bie fjala për raportet me Kosovën. Rama ka folur për një portal shqiptar në Maqedoninë e Veriut, të quajtur KDP. Ndërkaq deklaratat e kryeministrit tonë i kanë komentuar me entuziazëm mediet e Beogradit. Është e kuptueshme se me sa patetizëm i kanë pritur ato Aleksandër Vuçiç, Ivida Daçiç dhe politika nacionaliste e Beogradit. Aq sa presidenti i Serbisë ka filluar ta shesë si arritjen më të madhe në karrierën e tij politike bashkëpunimin me Edi Ramën.
Sipas kryeministrit shqiptar, kompromiset që duhet të bëjë Prishtina, sado të dhimbshme të jenë për ta, janë një ‘copë keku’ në krahasim më atë që duhet të pranojë Beogradi në këtë dialog. “Është një copë keku në krahasim me atë që duhet të gëlltisë Beogradi,” tha ai. E jo vetëm kaq! Rama sërish kërkoi që komuniteti ndërkombëtar perëndimor të mos bëjë presione ndaj Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, raportoi para dy ditësh agjencia e lajmeve serbe, B92. Ndërsa media ruse Sputnik citoi Edi Ramën të ketë thënë: “Serbia nuk mund ta bëjë këtë as politikisht, as teknikisht. Serbia është e mbaruar pa gazin rus. Nuk është Gjermania që mund të presë dhe mund të hapë një platformë tjetër për gazin çdo të shtunë, përmes të cilës ajo blen gaz shumë më të shtrenjtë nga Katari dhe vende të tjera”. Ky deklaratë është e fundit nga avokatia që Edi Rama i ka bërë për dekada Serbisë, pavarësisht genoocidit që ajo ka bërë kundër shqiptarëve në Kosovë!
Në karrierën e tij Edi Rama historikisht është orientuar nga një aleancë me Serbinë. Kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, në pamundësi për t’iu qasur në fushën politike, ai iu përkushtua lidhjeve përmes asaj që quhet kulturë. Të parit që i dha Çelësin e Tiranës ishte këngëtari serb, Goran Bregoviç, një mbështetës i zjarrtë i genocidit serb në Kosovë dhe mik i Milosheviçit. Madje, sipas dëshmive të tashme, ai është gjithashtu eksponent i shërbimit sekret të Serbisë. Rama asokohe nxiti botues të ndryshëm afër tij në Tiranë që të rehabilitonin shkrimtarin dhe diplomatin antishqiptar të Serbisë, Ivo Andriç. Sponsorizoi përkthimin e librave të tij në shqip. Dhe të gjitha këto i bëri vetëm një-dy vite pas luftës në Kosovë.
Megjithatë u desh që Edi Rama të bëhej kryeministër, e ne shqiptarët të shihnim qartë se çfarë lidhjesh të ngushta kishte ai me Beogradin. Fillimisht gatoi së bashku me Vuçiçin planin e “heroizimit” të tij, Ndodhi kjo me “sulmet” ndaj Olsit (vëllait te Ramës) prezent në stadiumin e Beogradit në ndëshjen Shqipëri-Serbi në tetor 2014, kur shërbimi sekret i Serbisë inskenoi dronin e Shqipërisë Etnike mbi stadium. E fajësuan Olsin për këtë dron. Sepse fillimisht Edi, vëllai i tij dhe gjithë familja duheshin reklamuar si “patriote” te shqiptarët!
Një muaj më pas të dy kryeministrat, Vuçiç dhe Rama, sajuan planin e “shpalljes së pavarësisë së Kosovës” në Beograd, gjatë një konference shtypi që ata mbajtën aty. Njerëzia thirrën me të madhe, madje thërrasin idiotët edhe sot, se “Edi Rama ishte i pari që ua tha në Beograd serbëve – Kosova është e pavarur”! Nuk e menduan asnjëherë pse Edi dhe Sandri e bënë këtë akt?! Megjithatë ajo çfarë ka ndodhur pas nëntorit 2014 ka zbuluar tashmë gjithçka edhe çfarë intrige qe ajo deklaratë në ndihmë të imazhit të Edi Ramës te shqiptarët. Pas saj ka ndodhur ajo që ishte e pamendueshme dhe e pashpjegueshme. Edi Rama në mënyrë kontinuive, prej fillimit e derisa të jetë gjallë, e mbron e do ta mbrojë Serbinë në raport me Kosovën. Gjithmonë do t’i jepte e do t’i japë të drejtë Serbisë në konfliktin e saj me Kosovën. Aq sa ka mbërrit ta paraqesë Serbinë si viktimë, ndërkohë që Kosovën si „agresore“ kundër serbëve.
Nuk do të radhis gjithçka çfarë ka bërë kryeministri i Shqipërisë në mbrojtje dhe në shërbim të Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandër Vuçiç. Të gjitha këto do të shënohen në historinë e turpshme të shqiptarëve, atëherë kur dikush të publikojë bisedat dhe aktet që janë ndërmarrë për ndarjen e Kosovës si dhe për Open Balkan. Ndërsa deklarata e cituar në fillim të këtij shkrimi për një portal të Maqedonisë së Veriut është dëshmia e fundit në radhën e shumë deklaratave dhe akteve proserbe e antishqiptare (antikosovare) të Edi Ramës. Kjo deklaratë jo vetëm e forcon pozitën e serbëve dhe e dobëson atë të Kosovës në dialogun midis tyre, por rrit shanset që Kosova të dëmtohet rëndë nga pikëpamja e funksionimit institucional dhe integritetit territorial nga krijimi i Asociacionit serb.
Pikërisht ky është qëllimi dhe kuptimi i asaj deklarate. Gjithçka, çdo deklaratë dhe qëndrim të tijin pro-Serbisë, kryeministri i Shqipërisë i bën në momentin e caktuar, kur rritet ndikimi i tij në suksesin serb kundër Kosovës e dobia në favor të Serbisë. Asgjë, asnjë deklaratë dhe qëndrim i tij në raport me Serbinë nuk është i rastësishëm. Kush e merr dhe interpreton si të tillë, kërkon që ta relativizojë përgjegjësinë e tij.
Megjithatë është enigmë dhe e panjohur pse Edi Rama e bën këtë gjithmonë në momentet delikate dhe të disfavorshme për Beogradin! Pse ai pikërisht kur Kosova është në avantazh i bie bilbilit për ndonjë faull të skuadrës kosovare të dialogut?! Pse qenkan për Kosovën kek lëshimet që mund të bëjë ajo ndaj Serbisë dhe qenka helm zgjidhja për Serbinë?! Askush nuk e di sot e kësaj dite se sa paguhet e me çfarë shpërblehet Edi Rama për avokatinë e tij ndaj Serbisë dhe për diversionin që ai ia bën Kosovës. Megjithatë do të vijë një ditë e kjo do të mësohet patjetër!
Discussion about this post