Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është përplasur në distancë me deputeten socialiste Sara Mila gjatë seancës plenare në Kuvend, ku nuk kanë munguar as akuzat dhe replikat me tone të ashpra. Gjatë fjalës së tij, Berisha iu drejtua deputetes me epitetin “princesha e Kodrës së Kuajve”.
“Ti, princesha e Kodrës së Kuajve, mos bëj asnjë gjest, sepse këto që them unë janë të vërteta dhe të këshilloj t’i denoncosh, se nuk mund ta nisësh kështu karrierën”, i tha Berisha.
Nuk ka vonuar as përgjigjja e deputetes socialiste, e cila e akuzoi kreun e opozitës se e ka komentuar dhe përgojuar mandatin e saj parlamentar, ndërsa i kujtoi ngjarjet e Gërdecit dhe 21 Janarit. Mila iu përgjigj gjithashtu thirrjes së Berishës për dorëzimin e mandatit, duke i kërkuar që të njëjtin standard ta zbatonte fillimisht për veten.
“E ka komentuar mandatin tim që pa ardhur unë, vazhdon ta përgojojë mandatin tim dhe në ecejaket e oborrit të SPAK-ut, që ai vetë e shan dhe nuk e konsideron. Më bëri thirrje të dorëzoja mandatin. Mirë do të ishte që këtë standard ta niste nga vetja. ‘Dorëzo mandatin’, më thotë mua, ndërkohë që e thërrasin shpirtrat e 26 të vrarëve në Gërdec, 4 në Bulevard e kush e di sa të tjerë në ’97. Meqë ke qejf ecejaket në korridoret e drejtësisë, merr informacionet e sakta, që unë nuk kam shkuar atje si person në dijeni. Unë nuk i kam dit në politikë sa mëkate ke ti”, iu përgjigj Mila.










Discussion about this post