Nga tri këndvështrime të ndryshme është gjykuar sot në “Kafe Shqeto”, vendimi më i fundit i qeverisë për të marrë në pronësi, Sarajet historike të Toptanëve në zemër të Tiranës. Dori Daka ftoi akademikun Apollon Baçe, ish-Drejtor të Institutit të Monumenteve të Kulturës; arkitekten dhe aktivisten Doriana Musai dhe kreun e shoqatës “Tirana”, Arben Tafajn.
Flavio: Dakord, mund të jenë paguar pronarët e truallit 2,5 milionë USD, siç është edhe pretendimi i bashkisë së Tiranës. Por, a ka një çmim për të zhdukur identitetin?
Doriana Musai: A ka një çmim për trashëgiminë?! Ne nuk kemi një metodologji për ta vlerësuar trashëgiminë. Çmimin që ka dalë në Fletoren Zyrtare, nuk e dimë se si është përllogaritur. Dimë që çmimi i truallit i është referuar një harte të miratuar nga shteti shqiptar. Çmimi i godinës është një çmim mesatar, që nuk dihet se si ka dalë. E ka nxjerrë Agjencia e Kadastrës, pra është llogaritur si banesë e zakonshme. Në mos gaboj, ishte diçka tek 1,7 milionë lekë të vjetra për metër katror. Pra, është pak a shumë një apartament në qendër të Tiranës, diçka më pak se një apartament. Domethënë, vlera, pa i hyrë në detaje vetë, e përllogaritur më duket shumë e vogël në krahasim me vlerën që ka vet objekti, por kjo është një çështje kalkulimesh ekonomike; i takon atyre që janë shpronësuar ta diskutojnë.
Por, vlera që ne po paguajmë dhe çmimi që po paguajmë për trashëgiminë është ai i shkatërrimit dhe zhdukjes përfundimtare të shtresave të tëra urbane në qytetin e Tiranës, por jo vetëm. Ky është çmimi më i lartë që po paguan sot publiku dhe e paguajmë njëherë duke u shkatërruar dhe njëherë pastaj duke kompensuar nga “xhepi ynë”- xhepi i përbashkët, ato, që në rast se janë pronë private si në rastin e Sarajeve, duhen kompensuar dhe në rast se procedurat ligjore, që në shumicën e rasteve shteti shqiptar ka rezultuar që i bën në mënyrë flagrante antikushtetuese, të drejtën e kanë fituar dhe e fitojnë vazhdimisht në Strasburg. Pra, e paguajmë disa herë një trashëgimi…
Dori: Z. Tafaj, mua më vjen keq që kemi një vit e gjysmë që takohemi herë pas here bashkë që nga momenti I 17 majit 2020, por edhe në raste të tjera shembjesh kësaj periudhe, të asaj pjese të vyer e të çmuar të trashëgimisë së Tiranës me të cilën kishim të gjithë një lidhje emocionale. Si ndiheni në këtë hap të radhës të bashkisë së Tiranës ndaj një pronësie, e cila ne, por edhe ju veçanërisht, ju lidh dhe ka një domethënie shumë të madhe?
Arben Musai: Për të qenë të sinqertë, ne, unë në krye të shoqatës Tirana – dhe si banorë të hershëm të këtij qyteti, u kemi kërkuar vazhdimisht organeve vendore dhe qendrore, një muze etnografik të Tiranës. Pra Tirana është ndoshta i vetmi qytet që i ka munguar muzeu i vet. Shpeshherë justifikohen e thonë se “ju keni Muzeun Kombëtar” dhe duke pasur Muzeun Kombëtar, Ansamblin e Këngëve dhe Valleve, duke pasur Bandën qendrore, ju s’keni nevojë për të tilla që përfaqësojnë qytetin tuaj.
Problemi është se ne në 2016-ën me zotin Veliaj kemi pasur një komunikim shkresor ku i kemi kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe përgjigjja ka qenë që “në rastin më të parë”; edhe projekti ka qenë në fundin e bulevardit “Zogu I”, “në rastin më të parë kur të fillojnë ndërtimet aty, një pjesë e ndërtimeve do të destinohet për Muzeun Etnografik të Tiranës. Mirëpo, çfarë ndodh tani?!
Merret prona e pronarëve të Tiranës dhe bëhet muze!!! Pra, hiq nga një xhep dhe fut në xhepin tjetër! Ne këtë këtu e kemi pasur, kjo godinë ka qenë këtu, kjo është godinë shekullore dhe kurrë ndonjëherë nuk na ka shkuar mendja që do të merren godina që pronarët i kanë dhe janë jashtëzakonisht të pakta tashmë, sepse Tirana po zbrazet, po boshatiset. Gati-gati këto lloj fjalësh tona kanë mbetur në nivel vajtimi po themi, sepse këtu nuk ke çfarë ruan më! Këtu ka ngelur vetëm me prish Sahatin, Xhaminë dhe me i thënë “mirupafshim”, Tiranës së vjetër…
Flavio: Profesor Apolloni! A mjafton një pagesë për të zhdukur trashëgiminë kulturore? A mund t’i lajmë duart si Ponc Pilati duke i dhënë paratë , pronarëve të truallit dhe pastaj të bëjmë çfarë të duam me një trashëgimi si Sarajet?!
Apollon Baçe: Mua më duket se pyetjen e ndërtoni pak gabim: “me një pagesë lajmë duart”! Unë e di që Veliaj këtu në Tiranë ka bërë krimet e dynjasë, pak a shumë ai ka zhdukur gati tërë qytetin. Po në rast se ditën e hënë thotë që është ditë e hënë, kjo është normale.
Mua më duket për rastin në fjalë se vendimi është shumë i rregullt. Ka një ligj, bile nuk e di se sa e kanë hequr (meqënë se ajo zonja Furrxhi kishte tendencën që të zhdukte tërë ligjet e vjetra e të fuste ligje të reja) që në rastet kur pronarët nuk janë në gjendje që ta mbajnë një monument, atëherë i jepet nga shteti hua me afat të gjatë me kredi zero dhe njëkohësisht, në rast se nuk munden, këtë e merr shteti. Mua me duket në rastin e dhënë, po qe se do të jemi gjithnjë me këtë që do të kthehet në një muze kulture, zgjidhja është më se e drejtë.
Mos harroni se ai që hodhi atë bombën Molotov atje që ta digjte ishte nga pronarët që donin që të zhdukej kjo dhe atëherë të fillonin të ndërtonin diçka të re e ta shisnin me çmim më të lartë. Kur unë kam qenë aty herën e fundit, kam parë se në pjesën e pasme ishte një zgavër, nja dy metër me dy dhe një e thellë në murin nga qerpiçi, mur nga qerpiçi.
Unë i kam bërë punimet te Sarajet; do të thotë se është puna e parë që kam bërë në jetën time, madje kam qenë në punë fizike në atë kohë dhe kam punuar, i kam rregulluar tavanet dhe këta dollapët me duart e mia. Atëherë, një ditë, u la nga dikush një çezmë e hapur dhe ditën tjetër u zhduk e gjithë ajo pjesë që ishte.
Qerpiçi është një baltë si puna e gjalpit, që po e vure në një tenxhere, shkrin menjëherë dhe mua më duket se qëllimi i këtyre pronarëve ka qenë gjithnjë në këtë, jo se po e ruajmë një pasuri të popullit për popullin, por duan që të shembej kjo dhe të ndërtonin aty, ta shisnin me çmimet e tregut.
Kjo që flitet “a janë pak”, 2 milionë a 3 milionë, mua më duket se ato nuk janë që paguhen nga qeveria, por paguhen nga taksat tona dhe një çmim i këtillë është mëse i kënaqshëm, megjithëse aty ka ndarje, nëndarje, domethënë ka një numër të pafund pronarësh. Mua më duket se sjellja është normale.