Ka nisur këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) seanca e radhës gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi.
Në fillim të seancës, Ilir Meta i paraqiti gjykatës një kërkesë me shkrim për të qëndruar jashtë kafazit të xhamit gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor. Megjithatë, trupa gjykuese e rrëzoi kërkesën, duke argumentuar se çështja është shqyrtuar më herët dhe ka marrë një vendim përfundimtar.
Monika Kryemadhi hodhi poshtë akuzat e ngritura ndaj saj gjatë seancës në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke deklaruar se nuk ka ushtruar asnjë ndikim politik në favor të biznesmenit Adrian Shatku dhe se të gjitha komunikimet kanë ndjekur rrugët zyrtare.
Gjatë mbrojtjes së saj, Kryemadhi sfidoi organin e akuzës të provojë se ka bërë presion ndaj ish-ministrit Edmond Haxhinasto, ndërsa kundërshtoi edhe pretendimet që lidhen me vajzën e saj, Bora, duke i cilësuar ato të pavend dhe pa lidhje me çështjen penale në shqyrtim.
Monika Kryemadhi, duke iu referuar komunikimeve me biznesmenin Adrian Shatku, deklaroi se e kishte këshilluar atë të ndiqte vetëm rrugët institucionale dhe jo të ushtronte ndikim politik.
“E kam sugjeruar jo për të ushtruar ndikim politik. Përkundrazi, i kam thënë: dërgoje kërkesën me shkresë, jo elektronikisht. Janë dërguar shkresa në disa institucione dhe ministri. Ma gjeni një mesazh ku t’i kem thënë Haxhinastos: ‘Bëje se të vrava’, ‘bëje se të shkarkoj nga puna’ apo ‘bëje për këtë përfitim’. Nuk provohet asnjë ndërhyrje nga ana ime për një procedurë që kishte gjashtë vjet që zgjaste”, u shpreh ajo.
Sipas Kryemadhit, edhe komunikimet mes Shatkut dhe ish-ministrit Edmond Haxhinasto kanë qenë tërësisht zyrtare dhe protokollare. “Shikoni komunikimet mes Shatkut dhe Haxhinastos. Askund biznesmeni nuk thotë: ‘Bëje se kam folur me Monikën’. Zero. Kemi dy faqe në akuzë, ‘e lagu se lagu’, thua se kaloi nëndetësja me drogë”, tha ajo.
Ajo argumentoi se, nëse do të kishte pasur një ndërhyrje korruptive, nuk do të ishin ndjekur procedurat zyrtare. “Po të kishte ekzistuar ndërhyrje nga ana ime, nuk do të ishin ndjekur rrugët institucionale. ‘Alo Mondi, bëje sekret, mos e marrë vesh njeri’. Kush do ta merrte vesh? Por jo, janë lënë gjurmë shkresore. Po të kishte ndërhyrje, nuk do të ishte ngritur grup pune”, deklaroi Kryemadhi.
Duke iu referuar një pjese të akuzës që lidhet me vajzën e saj, Bora, Kryemadhi tha se ajo është përfshirë padrejtësisht në dosje. “Komunikimet e 24 shtatorit flasin për Borën time. Ç’lidhje ka goca ime me akuzën? Është bërë vetëm për ta bërë çështjen sa më mediatike. Unë i them: ‘Bora ndërroi mendje’. Ishte një fëmijë 16-vjeçar në SHBA. Këto biseda nuk lidhen as me Haxhinaston, as me AKEP-in dhe as me ndikime të paligjshme”, u shpreh ajo.
Kryemadhi kundërshtoi gjithashtu pretendimet se Adrian Shatku kishte paguar shkollimin e vajzës së saj. “Nuk mendoj se kjo përbën fakt penal. Nuk është e vërtetë që Shatku ka paguar shkollën e vajzës. Ashtu siç dërguan letërporosi, mund t’i drejtoheshin edhe shkollës për të marrë analizën financiare të shpenzimeve të saj. Përdorimi i kartës është ose te fibra optike, ose te Vodafone. Nuk mund të përdorësh dy objekte totalisht të ndryshme duke i lidhur me të njëjtin fakt juridik. Një komunikim i caktuar nuk mund të trajtohet si provë universale. Nuk mund të mbështetet i njëjti komunikim në dy çështje të ndryshme si provë, qoftë për përdorimin e kartës, qoftë për blerje apo shpenzime private. Është një strukturë komunikimesh me tema të ndryshme që duhen veçuar. Është si të thuash: ne jemi këtu në gjyq dhe pyesim se çfarë po bëjnë flamingot atje në bulevard, përfundoi ajo.
Nga ana e tij, kryesuesi i trupit gjykues, Erion Bani, i kërkoi Kryemadhit të ishte më e përmbledhur në paraqitjen e argumenteve.
“Zonja Kryemadhi, jeni bërë juriste. Ju lutem, në mënyrë të përmbledhur. Jo çdo lloj komunikimi mund të lexohet këtu. Mund të keni 5 mijë e-mail, por duhet të lexoni vetëm ato mesazhe që janë pjesë e shqyrtimit gjyqësor”, u shpreh Bani.










Discussion about this post